Ramë Buja në një intervistë plot emocion: Rrëfen momentet më interesante nga shpallja e Pavarësisë

Ramë Buja në një intervistë plot emocion: Rrëfen momentet më interesante nga shpallja e Pavarësisë

Ishte një nga emrat kyç në politikë gjatë vitit 2008 kur ishte pjesë e partisë më të madhe në pushtet në atë kohë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan Gazeta “Enigma”.



Ramë Buja, ish shef i grupit parlamentar të PDK-së, në një intervistë për Gazetën “Enigma”, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka kujtuar disa nga momentet që ende i ka në memorie nga dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Përqafimi i të gjithë deputetëve pavarësisht vullnetit politik pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ishte momenti që më ka mbetur më shumë në mendje”, tha ai.

Buja ka folur edhe për disa nga momentet më të gëzuara në jetën e tij që lidhen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përjetimet e tij nëpër burgje.

“Kur kam marr pushkën në 16 qershorin e ‘98-tës jam ndier njeriu më i gëzuar në botë, sepse atëherë e kam ditur që do të ndodh ajo që mund të vritem dhe të vras. Ka qenë shumë e lehtë lufta për mua në krahasim me burgun që kam përjetuar në burgjet serbe të asaj kohe”, rrëfen Buja për “Enigmën”.

Ramë Buja gjatë kësaj interviste ka folur edhe për bashkëluftëtarët e tij që ende ndodhen në Hagë.

“Ky izolim dhe futja në burg e Jakup Krasniqit, Hashim Thaqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit është diçka e veçantë në kuptimin më negativ të fjalës. Kanë qenë ata që i kanë pri luftë çlirimtare, e kanë realizuar atë, dhe po ata i kanë pri mundësisë për ta shpallur Pavarësinë e Kosovës dhe e kanë shpallur atë”, ka theksuar Buja.

Intervista e plotë:

Gazeta “Enigma”: Ju si shef i grupit parlamentar të PDK-së keni marr pjesë në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Çfarë ndjenje ishte ky moment për ju?

Ramë Buja: Ishte një gëzim i madh që ne bashkë me të tjerët ta shpallnim Pavarësinë e Kosovës. Ndjenja e shpalljes së Pavarësisë është tepër e veçantë për të gjithë ne që e kemi përjetuar. Nuk është diçka që ndodh shpeshherë në jetë, apo dikujt si ndodh fare, dhe unë kur jam afruar te tavolina për ta nënshkruar si i katërti me radhë pas Fatmir Sejdiut, Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaqit jam ndjerë me privilegj të jashtëzakonshëm, tepër i nderuar dhe diçka që unë pastaj në jetën time nuk e kam përjetuar më asnjëherë pas këtij momenti.

Gazeta “Enigma”: Çfarë kujtoni nga ajo ditë?

Ramë Buja: Komplet dita ka qenë e veçantë, gëzimi i jashtëzakonshëm që kanë përjetuar të gjithë deputetët pavarësisht vullnetit politik, ka qenë diçka që unë e kam ende në kujtesë, aj përqafimi që na ka ndodhur të gjithëve bashkë për njëri tjetrin ka qenë po ashtu e veçantë, kremta e madhe që ka bërë populli i Kosovës atë ditë në një ftohtë të jashtëzakonshëm që ka qenë atë, ditë. Është diçka që nuk mund të përsëritet asnjëherë më, dhe mos u përsërit asnjëherë më sepse ne tani kemi mbështetjen që uroj ta avancojmë, ndërtojmë e ruajmë.

Gazeta “Enigma”: A mbani mend diçka që ndodhi në Kuvend pas kamerave?

Ramë Buja: Ngjarjet prapa kuintave kanë qenë të shumta, duke u nisur prej atij momentit që nuk dihej as dita saktësisht se kur do të ndodhte shpallja e Pavarësisë së Kosovës, pastaj ora u lajmërua në mëngjes kur ne i lajmëruam pastaj të gjithë anëtarët e grupit parlamentar unë dhe gjithë shefat tjerë të grupeve parlamentare. Pastaj ajo çka nuk u shfaq ishte se ne nuk dinim se çka do të ndodhte në atë orë të caktuar edhe pse e dinim që diçka e madhe do të ndodhte po e po. Nuk e dinim pastaj që si është bërë kjo puna e shkrimit të deklaratës së Pavarësisë, në çfarë cilësie të letrës është bërë dhe kush e ka bërë.

Gazeta “Enigma”: A është Kosova sot pas 15 viteve, ajo Kosovë që e kishit menduar kur i thatë “Po” shpalljes së Pavarësisë?

Ramë Buja: Realisht të them shkurt jo. Kjo për faktin se unë kam menduar që Pavarësia e Kosovës, shpallja e pavarësisë së saj do të vij gjithnjë duke u avancuar në aspektin intelektual, moral dhe në aspektin juridik. Por, për fatin tonë të keq po ndodh e kundërta, por nuk dua të hyj në këtë temë personalisht për këtë strukturë është më e dobëta që ka pasur ndonjëherë parlamenti i Kosovës, por kjo është vullneti i qytetarëve dhe pastaj ne kë këtë e pësojmë ose e gëzojmë.

Gazeta “Enigma”: Ku çalojmë?

Ramë Buja: Mundësi e propagandës që ka bërë subjekti që sot është në pushtet. Një propagandë shumë e fuqishme dhe pastaj premtime të jashtëzakonshme dhe realizim gati zero. Kjo është ajo çka mund ta them në veçanti. Por, ajo që mua po më lëndon shumë, mbase edhe është faj i studimit tim, por ku çalon më së shumti Kosova jonë e dashur është çështja e rrafshit diplomatik që jemi kërka, kurrkund dhe asgjë s’jemi ka bëjmë. Kjo është tepër lënduese por megjithatë gjithmonë me shpresën se do bëjnë më shumë sepse dihet që shpresa nuk vdes asnjëherë, njeriu mund të vdes por shpresa asnjëherë.

Gazeta “Enigma”: Ju vet keni qenë në burg rreth gjashtë vite, bashkë me Jakup Krasniqin. Ai sot gjendet në Hagë për krimet që pretendohet se i ka bërë UÇK-ja, a është e drejtë kjo sipas juve?

Ramë Buja: Nga gjashtë vite në burg përafërsisht një vit e gjysmë rreth 18 muaj kam qenë në një dhomë burgu me Jakup Krasniqin. Ky izolim dhe futja në burg e Jakup Krasniqit, Hashim Thaqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit është diçka e veçantë në kuptimin më negativ të fjalës. Kanë qenë ata që i kanë pri luftë çlirimtare, e kanë realizuar atë dhe i kanë pri mundësisë për ta shpallur Pavarësinë e Kosovës dhe e kanë shpallur atë. Thjeshtë ky është një banalitet i jashtëzakonshëm juridik dhe politik për faktin se insistohet në balance të krimeve, e këto balance nuk mund të krijohen asnjëherë sepse në fakt ne e dimë që Kosovës i ka kushtuar më shumë se 13 mijë njerëz të vrarë e të masakruar, ndërsa ushtarë dhe policë serbë që janë vrarë në Kosovë janë rreth 2 mijë. Pra, nuk mund të krijohet kurrë bilanci i kësaj gjëje. Është shumë e pakuptimtë që të kërkohen balance në një shtet që në parim është i pavarur, ka krijuar Pavarësinë dhe lirinë vetëm me mund, sakrifica dhe me mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Gazeta “Enigma”: Si ka qenë për ju periudha e burgut?

Ramë Buja: Kur kam marr pushkën në 16 qershorin e 98-tës jam ndier njeriu më i gëzuar në botë, sepse atëherë e kam ditur që do të ndodh ajo që mund të vritem dhe të vras. Ka qenë shumë e lehtë lufta për mua në krahasim me burgun që kam përjetuar në burgjet serbe të asaj kohe.

Gazeta “Enigma”: Çfarë mesazhi keni për rininë kosovare që dita e ditës po dëshirohen me kushtet e mangëta në Kosovë, duke u drejtuar kështu kah perëndimi?

Ramë Buja: Ky është një gëzim i jashtëzakonshëm që do ta ndiej secili njeri i ndërgjegjshëm në Kosovë, sepse Kosova e zbrazur nuk i duhet askujt. Rinia duhet të ketë atë ndjenjë të përkushtimit ta them kushtimisht patriotik që të qëndrojë në Kosovë, por patriotizmi nuk hahet, nuk konsumohet, ai do të duhej paraprakisht të ketë kushtet elementare për të qëndruar në këtë vend. Më vjen keq por kjo votë e këtij populli ka bërë që këta njerëz të jenë në pushtet dhe ta bëjnë këtë që po e bëjnë ose s’po e bëjnë që të krijojnë një disponim të jashtëzakonshëm dhe pasiguri te rinia që ta lëshojnë vendin dhe kjo është goditje shumë e rëndë, tepër e jashtëzakonshme.

Pavarësinë e gëzofshim e nderofshim por me shumë dyshime!

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles