Skuadra e Gjilanit ka siguruar kualifikimin tutje në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll, raporton Gazeta Enigma.
Ekipi i Zekrija Ramadanit ka kaluar në gjysmëfinale, pasi mposhti Trepçën 89′ me rezultatin e thellë 1-5.
Dabiqaj shënoi tri herë në pjesën e parë dhe dy herë në pjesën e dytë – teksa golin e nderit për Trepçën 89′ e realizoi Muja.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, Dabiqaj tha se realizimi i 5 golave i dha një ndjenjë të veçantë, duke qenë se kjo i ndodhi për herë të parë në karrierën e tij.
“Më të vërtetë është një ndjenjë e veçantë, pasi është diçka që më ndodh për herë të parë në karrierën time. Natyrisht, merita i takon të gjithë bashkëlojtarëve të mi, të cilët më ndihmuan të shënoj këto gola“, tha fillimisht ai.
Më pas, ai tha skuadra është në momentin më të mirë dhe se do ta bëjnë të pamundurën për ta fituar trofeun në fund.
“Jemi në momentin tonë. Kemi luajtur ndeshje të mira dhe kemi marrë rezultatet e kërkuara. Kupa është një tjetër objektiv i yni dhe ne do të bëjmë të pamundurën për t’i sjellë klubit dhe tifozëve një trofe të shumëpritur“, përfundoi mesfushori Dabiqaj në komentin e tij.