Vendosja e reciprocitetit nga Kosova për Serbinë po shihet si një vendim që do ta vështirësonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve nga njohësi i çështjeve ekonomike, Bardh Ahmeti.
Ahmeti ka thënë në një intervistë tha se reciprociteti nuk duhet të shihet si instrument për forcimin e ekonomisë vendore, ani pse sipas tij, kjo do të kishte një sërë efektesh pozitive.
“Në fazën në të cilën gjendemi, prioritet edhe i Qeverisë, por edhe i partnerëve tanë strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, është normalizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë fazë vendosja e reciprocitetit nuk do t’i ndihmonte kësaj kauze, do ta vështirësonte deri në pamundësi. Ne këso mase kemi përdorur njëherë e cila është plotësisht legjitime për një shtet të pavarur mirëpo meqenëse njëherë e kemi larguar tash është pak joserioze që ta kthejmë”.
“Në këtë fazë duke i ditur prioritet tjera që janë mendoj që është më e rrugës që të mos vendoset edhe pse efekti i saj në ekonominë e vendit në fazën ku është vendosur ka qenë pozitive, duke e forcuar prodhimin vendor, megjithatë me instrumentet e tilla pafundësisht nuk mund të forcohet ekonomia brenda vendit, kjo bëhet me instrumente të tjera përmes prioritetizimit përmes sektorit privat dhe rritjes së konkurrentshmërisë së prodhuesve vendor sidomos marrë parasysh faktin që periudhave të fundit sidomos që nga pandemia e këtej kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve dhe kjo është një sinjal shumë pozitiv. Mendoj që Qeveria duhet të fokusohet këtu që ekonominë ta rrisim duke e forcuar prodhuesin vendor”.
Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku ka thënë për Ekonomia Online se Kosovës nuk i duhet një reciprocitet i plotë me Serbinë.
“Të them të drejtën kjo është e komplikuar, si vendim unë e quaj të mirë të saktë dhe të duhurin mirëpo kjo nuk përputhet aspak me fushatën elektorale që ka bërë Kurti. Ka pas thënë që kjo është çështje ditësh e javësh e jo muajsh kur do të vendosim reciprocitetin dhe njerëzit natyrisht janë të revoltuar përndryshe Kosovës një reciprocitet i plotë në të gjitha fushat nuk i duhet për shkakun se ai mund të jetë edhe i dëmshëm. Reciprociteti në përgjithësi është një parim ndërkombëtar dhe ai zbatohet në fusha të caktuara dhe për çështje të caktuara dhe jo për të gjitha fushat njëherësh”.
Sipas Klinakut, Kosova duhet të zbatojë parimin e reciprocitetit kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës në relacion me Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën. Klinaku ka insistuar që çdo që kërkohet për serbët në veri duhet të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi.
“Një reciprocitet i plotë ka shumë të meta edhe pse mund të ketë edhe përparësi. Reciprociteti që kemi preferuar ne që nga 2010-ta lidhet ngushtë me veriun e Kosovës dhe Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën pra ne kemi insistuar që duhet Kosova ta zbatojë parimin e reciprocitetit në dialog me Serbinë dhe çdo gjë që ajo kërkon për veriun e Kosovës respektivisht për Leposaviçin, Zubin Potokun e Zveçanin duhet të jap për Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën”.
Po ashtu ai ka konsideruar se reciprociteti do të ndalonte kërkesat shoveniste të Serbisë.
“Të mirat janë të shumta në këtë drejtim, së pari kërkesat shoveniste të Serbisë zmbrapsen sepse ajo nuk mund të kërkojë gjithçka ashtu siç po kërkon Serbia për serbët sepse pastaj duhet të jap për shqiptarët. Do të ndihmonin shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit sepse ata kanë mbetur anash shumë në krejt procesin e pavarësimit të Kosovës. Do të ndihmonim shumë Mitrovicën se për herë të parë ajo nuk do të konsiderohej komunë serbe dhe nuk do të hynte në reciprocitet dhe sidomos imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vetëm atëherë do të ishim shtet i plotë”, ka theksuar ai.
Kurse profesori universitar, njëherit anëtar i LDK-së, Muhamet Hamiti është shprehur kundër këtij reciprocitetit pasi që sipas tij, ai është populist për marrje të votave.
“Unë nuk jam pro vendimeve që duken populliste sa për të marrë ndonjë votë. Këta kanë folur për reciprocitet dhe madje për vendosje të shpejtë të reciprocitetit, tash e bëjnë atë që anglishtfolësit e thonë ‘You turn’ kthehesh 180 shkallë, këso kthesash kemi parë këta dy muaj sepse punë jo, ndërsa është e pritshme që të kemi edhe të tjera. Këta kanë folur me një retorikë të lartë edhe nacionaliste edhe të tjera për ta marrë pushteti”, ka përfunduar ai.