Mungesa pagës së dinjitetshme ka bërë që punëtorët e sektorit privat në Kosovë, të konsiderohen të skllavëruar dhe të cilët po punojnë veç për të siguruar bukën e gojës.
Kështu thotë, kryetari i Sindikate së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi.
Azemi shtoi se deri me 31 dhjetor do t’i propozojnë kryeministrit pagën minimale, duke apeluar që Qeveria të diskutojë me ta ngase të rinjtë po ikin nga Kosova.
“Paga minimale kam kërkuar aq sa ka deklaruar kryeministri. Me 31 dhjetor duhet t’i propozojmë pagë minimale. Punëtorët e sektorit privat janë të skllavëruar, po punojnë për bukën e gojës. Çmimet kanë lëvizur diku 20 e diku 30%”.
“Rritja e çmimeve e obligon Qeverinë që të rrit pagën minimale, por ende nuk ka lëvizje. Apeloj Qeverisë të ulemi në tavolinë t’i zgjidhim këto probleme. Viti 2022 këta punëtorë të kësaj kategorie duhet ndryshuar përndryshe këta ikën”, tha Azemi.
Ragip Muli thotë se nuk ka parë asnjë zgjidhje nga Qeveria Kurti. Ai ka përmendur ngritjen e çmimeve duke e cilësuar si të papërballueshme.
“Sindikata e ka shumë mirë. Prej Kurtit s’ka mirë kurgjo hiq. Këta janë veç për veti tu punuar e jo për popull. Kurti ka premtuar derisa i ka marrë votat”.
“Për popull 5 cent me shtrenjtuar çmimet është boll e për ata nuk është kurgjo se kanë pare boll. Duhet ti heqë lypsët nga sheshi. Premtime të kota. Mos e pafsha kurrë më Kurtin”.
Kurse Ali Latifi thotë se edhe pse çdo ditë po ikin nga të rinjtë nga Kosova për jetë më të mirë në shtet perëndimorë, duhet të lihet Qeveria ta zbatojë planin e saj e më pas të kërkohet llogari.
“Koka e kombit po na ikë nga Kosova dhe këtë e kanë bërë pikërisht këta të cilët janë duke sulmuar votën e popullit të cilët e rrëzuan me ndihmën e Beogradit me 25 mars 2020 ku votën e popullit këta e rrëzuan dhe e sollën krimin”.
“Pritini të realizojë programin të cilin e ka premtuar dhe kur t’i largojmë hajnat qeveria do t’i realizojë qëllimet e veta”, tha Latifi.
Hilmi Grajqevci theksoi se me të gjitha problemet që po ballafaqohet Kosova vijnë shkaku i pandemisë dhe kriza globale, ndonëse pret që Qeveria të intervenojë, raporton EO.
“Kish me qenë mirë me prit sindikatat se këto probleme kanë qenë shumë më të theksuara edhe më herët. Por tash le ta lënë Qeverinë të punojë sepse janë rezultat i krizës globale dhe krizës për shkak të pandemisë”.
“Ajo pagë minimale është e lidhur me 60 mijë veteran të luftës të cilët e përfitojnë atë pensionin e veteranit. Nuk janë pagat e mira në Kosovë. Sa më shumë duhet të punojë Qeveria”, tha Grajqevci”./Gazeta Enigma/