Si pasojë e drejtpërdrejt e bllokadës institucionale, 11 komuna në Kosovë ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal. Përpos kësaj vendi humbi edhe 882 milion euro nga Komisioni Evropian nga pagesat e reja për Ballkanin Perëndimor, si pasojë e mos miratimit në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Aktualisht, 11 komuna të Kosovës ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë.
Kështu ka konfirmuar Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i cili thekson se kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme pasi aktualisht vendi ynë ende është në proces zgjedhor.
Ibrahimi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se e gjithë kjo çështje ka ndikuar në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve.
“Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme, pasi vendi është në proces zgjedhor, ndërsa më 09 nëntor mbahet edhe balotazhi në disa komuna, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve”, deklaroi Ibrahimi.
Sipas tij “është me rëndësi të theksohet se, edhe pse këto komuna nuk e kanë miratuar ende buxhetin, nëse ato i miratojnë buxhetet e tyre përpara se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për miratimin e buxhetit të shtetit, ekziston mundësia që këto buxhete të përfshihen dhe të miratohen bashkërisht me buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”.
“Ky hap është thelbësor për të shmangur pasojat e financimit me 1/12, për të siguruar vazhdimësinë e projekteve kapitale dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët”, tha Ibrahimi për “Enigmën”.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, theksoi se komunat janë të obliguara me e përgatit buxhetin dhe me dërgua në Ministri të Financave deri më 30 shtator që një muaj më pas të inkorporohen në buxhetin e konsoliduar.
Tutje ai ka theksuar se zgjedhjet lokale dhe mungesa e numrit të asamblistëve kanë ndikuar që këto kuvende të kenë këto mungesa.
“Komunat janë të obliguara me e përgatit buxhetin dhe me e dorëzua në Ministri të Financave në departament të buxhetit deri më 30 shtator në mënyrë që buxhetet komunale të inkorporohen brenda muajit tetor në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, pra në buxhetin e tërësishëm”, deklaroi Shatri për Gazetën “Enigma”.
“Sipas meje kjo mungesë ose ky mos aktivitet në buxhetet komunale ka mund të ndodhte edhe për shkak të zgjedhjeve lokale, por shumë herë nuk mbërrin me i bë votat në asamble edhe në kushte normale sepse nuk i kanë votat e mjaftueshme për miratimin e buxhetit”, theksoi ai.
Ministria e Financave ndan buxhet edhe për komunat që se miratuan buxhetin.
“Cila do që të jetë arsyeja e mos aprovimit të buxhetit komunal është një dobësi për komunat, dhe kjo shkakton probleme në vitin e ardhshëm kur duhet të implementohet buxheti për vitin vijues. Por, në rast se këto komuna nuk e kanë miratuar buxhetin atëherë Ministria e Financave ua përcakton një buxhet në bazë të buxhetit të vitit paraprak që sigurisht është më i vogël dhe nuk ka as fillime zhvillimore por janë disa shifra që i përcaktojnë vetëm sa mos me i lanë pa paga punëtorët e arsimit, shëndetësisë etj, ndërsa problemet tjera mbesin të bllokuara”, tha ish-ministri i Financave për “Enigmën”.
Tutje Shatri ka theksuar se “kjo gjendje është keq për komunat kur nuk e dorëzojnë buxhetin, por ligji e parasheh që në momentin kur komunat e kanë numrin e nevojshëm për ta votuar buxhetin ato e votojnë dhe ai buxhet ndërkohë inkorporohet në buxhet e konsoliduar të Kosovës”.
Dështim në përfitimin e fondeve të KE-së
Ndërkohë përpos bllokadës me buxhete të komunave, Kosova ka dështuar të përfitoj nga pagesat e reja nga Komisioni Evropian.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar për këtë dështim të Kosovës.
“Komisioni Evropian ka miratuar pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga Paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke i shpërblyer këto vende me transaksionet e dyta të mbështetjes financiare. Ndërkohë, Kosova mbeti jashtë listës së përfituesve, megjithëse kishte qenë ndër vendet e para që kishte përmbushur kushtet teknike dhe kishte miratuar agjendën e reformave”, deklaroi Miftaraj.
Tutje ai ka theksuar se “mos funksionimi i institucioneve shtetërore dhe mungesa e Kuvendit për të ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian kanë bërë që Kosova të mos jetë në gjendje të përfitojë nga kjo paketë, ndonëse fondet janë të gatshme dhe mund të aktivizohen sapo të zgjidhet ngërçi politik”.
Ndërkohë sipas ekonomistit Shatri “këto 882 milion janë të humbura edhe nga problemet e mëhershme që janë krijuar nga sanksionet e mëhershme që ju kanë bërë Kosovës, BE-ja”.
“Pra pjesa më e vogël mundet me qenë për shkak të ngërçit politik, por një pjesë është për shkak të sanksioneve që janë shkaktuar nga mënyra se si është qeverisur përderisa Qeveria ka qenë në fuqi të plotë dhe normalisht tani mbas zgjedhjeve të shkurtit për shkak se s’kemi nuk kemi subjekte politike që janë të gatshme me tejkalu ngërçin institucional”.
Sipas tij viti aktual mund të konsiderohet si një vit i humbur për Kosovën në zhvillimin ekonomik. / Gazeta Enigma/