Shtrenjtimi i rrymës ndikon negativisht tek qytetarët e bizneset – Flasin ekonomistët

Shtrenjtimi i rrymës ndikon negativisht tek qytetarët e bizneset – Flasin ekonomistët

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e sotme ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, duke vendosur një rritje të çmimit prej 16.1%, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo rritje e çmimit është për periudhën 1 maj të këtij viti deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

ZRRE ka njoftuar se kjo rritje do të prekë të gjitha kategoritë e konsumatorëve, duke e bërë më të shtrenjtë energjinë për çdo familje dhe biznes në vend.

Sipas këtij vendimi, qytetarët do të duhet të paguajnë më shumë për shpenzimin e energjisë elektrike, duke përfshirë të gjitha nivelet e konsumit.

Si do të ndikoj rritja e çmimit të energjisë elektrike në ekonominë e vendit dhe në xhepin e qytetarit?

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kostove të prodhimit për bizneset, sidomos për industrinë dhe sektorët që varen nga energjia. Kjo do të ulë konkurrueshmërinë dhe mund të ngadalësojë rritjen ekonomike. Për qytetarët, rritja e faturave të energjisë do të zvogëlojë fuqinë blerëse dhe do të ndikojë në standardin e jetesës, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta”, tha Bytyqi-Shala.

Ekonomistja Yllnore Bytyqi-Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se shtrenjtimi i rrymës nxit një efekt zinxhir, ku ka theksuar se sektori ushqimor, transporti, ndërtimtaria dhe shërbimet do të preken më shumti.

“Po, shtrenjtimi i rrymës zakonisht nxit një efekt zinxhir. Kostot më të larta të energjisë për bizneset dhe prodhuesit transferohen te konsumatorët përmes rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Sektori ushqimor, transporti, ndërtimtaria dhe shërbimet do të preken më së shumti, duke kontribuar në një valë të re inflacioni”, tha ajo.

Kush ka me i’a pa hajrin, e kush sherrin më shumë?

“Hajrin ka me i’a pa shteti në një afat të shkurtër përmes rritjes së të hyrave nëse është vendosur liberalizimi i tregut të energjisë ose rritja e tarifave për mbushje të buxhetit. Gjithashtu, kompanitë që prodhojnë energji nga burime të ripërtëritshme mund të përfitojnë nga rritja e çmimeve”, ka theksuar Bytyqi-Shala.

“Sherrin më të madh ka me e pa qytetari i zakonshëm dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme që nuk kanë kapacitet të përballojnë rritjen e kostove. Kjo mund të çojë në mbyllje të bizneseve, humbje të vendeve të punës dhe shtim të varfërisë energjetike”, ka përfunduar ajo.

Vendimi për rritjen e tarifave ka shkaktuar reagime të shumta

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se s’ka kurrfarë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.

“E para, tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe pritet të mbesin të tilla, pasi nuk ka të ngjarë se do të ketë  ndryshime në kërkesë dhe as në ofertë të energjisë. Kjo pasi është bërë progres i madh në tranzicionin energjetik të shumë vendeve të BE-së për t’u pavarësuar nga gazi rus, që nënkupton se është stabilizuar oferta për energji dhe ka siguri shumë më të madhe të furnizimit”, ka deklaruar Hoti.

Hoti thotë se tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe ky stabilitet pritet të vazhdojë.

“Në anën tjetër, janë bërë investime madhore në shumë vende në efiçiencë të energjisë, të cilat investime së paku e kanë bërë më të moderuar rritjen vjetore të kërkesës për energji. Si rezultat, stabiliteti në ofertë dhe në kërkesë për energji pritet t’i mbajë çmimet e energjisë relativisht konstante”, ka shkruar ai.

Tutje Hoti ka theksuar se s’ka logjikë që humbjet e ndërmarrjeve të energjisë elektrike për çdo vit të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët.

“Nuk ka asnjë logjikë që vit pas viti ndërmarrjeve të energjisë elektrike në Kosovë t’u pranohen humbjet, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët. Çdo vit miratohet plani i investimeve në rrjet, kostoja e të cilit llogaritet në tarifat që paguajnë konsumatorët. Prandaj, është e natyrshme që humbjet e llogaritura të energjisë në rrjet të reduktohen vit pas viti, e jo të mbesin të njëjta, aq më pak të rriten. Gjithashtu, është e ditur se pagesat nga ana e konsumatorëve për energjinë e konsumuar  janë gjithnjë e më të rregullta, e cila gjë duhet të shpie në ulje të humbjeve të llogaritura dhe të reflektuara në tarifa”, ka deklaruar Hoti.

“Është për keqardhje që sot Kosova nuk ka Qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familje”, ka përfunduar ai.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas vendimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra ka thënë se ZRRE-ja është e shndërruar në mashë të Qeverisë paska aprovuar shtrenjtimin e rrymës 16.1%.

Tutje ajo ka theksuar se qytetarët do ta ndjejnë thellë varfërimin në faturat e rrymës nga muaji maj, ndërsa Kurti ka hallin e numrave e të pazareve.

“Derisa Albin Kurti “i dorëhequr” i paska ftuar anëtarët e kabinetit qeveritar në një mbledhje të Qeverisë, ZRRE-ja e shndërruar në mashë të Qeverisë paska aprovuar shtrenjtimin e rrymës 16.1%. E ndërkohë që Albin Kurti e ka hallin e numrave e të pazareve, qytetarët do ta ndjejnë thellë varfërimin në faturat e rrymës në Maj. Kjo veq qeverisje nuk është!”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Ministri në detyrë, Hekuran Murati, sot ka mbajtur një konferencë për media ku u pyet për vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës.

Në përgjigjen e tij ai ka deklaruar se qeveria s’e ka në kontroll çmimet e importit, ndërsa tha se aty ku kanë kontroll, në KEK s’ka pasur rritje.

“Në pjesën ku Qeveria ka kontroll, së paku në afatshkurtër sepse qeveritë e mëhershme kanë pasë kontroll ndoshta në mënyrë të tërthortë se si të ndikohet që të kemi furnizim më të qëndrueshëm e të përballueshëm…sa na përket neve gjatë këtij mandati, pra çka ka qenë në kontrollin e qeverisë është çmimi i energjisë elektrike që KEK e prodhon sa e shet. Pra, vazhdon të jetë çmimi i njëjtë 30 euro për megavat orë, asnjë cent s’është rritur si rezultat i ndonjë vendimi apo insistimi të qeverisë”, tha Murati.

Tutje ai ka shtuar se “çka ka ndikuar në rritjen e tarifave mund të jenë dy çështje: kostot operacionale që i miraton ZRRE dhe është çmimi i furnizimit nga importi”.

Një protestë e madhe u mbajt menjëherë pas njoftimit të ZRRE-së për shtrenjtim e energjisë elektrike dhe janë paralajmëruar edhe protesta tjera për ditët në vijim

Grupe të shoqërisë civile kanë zhvilluar protestë kundër shtrenjtimin e energjisë elektrike me moton “Asnjë cent ma shumë”.

Por të njëjtit kanë njoftuar se edhe në ditët në vazhdim pritet të ketë protesta në lidhje me këtë çështje.

Rritja e çmimit të energjisë për vitin 2025-2026 është një tjetër ngarkesë për qytetarët e Kosovës, që tashmë po përballen me vështirësi ekonomike. /Gazeta Enigma/

Related Articles