Si dështoi seanca konstituive – Krejt çka ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës

Si dështoi seanca konstituive – Krejt çka ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dje ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Seanca u hap në mënyrë solemne nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në përputhje me rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Në vijim, Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve paraqiti raportin e tij, një hap procedural thelbësor për vazhdimin e procesit të betimit dhe konstituimit të Kuvendit.

Në një atmosferë të tensionuar politike, raporti nuk mori mbështetjen e nevojshme për miratim.

Vetëm 52 deputetë votuan pro, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan – duke bërë që raporti të mos kalojë.

Për raportin votuan LVV dhe Nisma Socialdemokrate, ndërsa kundër ishin deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Lista Serbe abstenoi.

Kryesuesi Dehari njoftoi se në mungesë të miratimit të raportit, seanca nuk mund të vazhdojë dhe do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani për udhëzime të mëtejshme.

Cakolli kritikon mënyrën e dorëheqjes së kabinetit qeveritar, sqaron procesin

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se ankesat e opozitës lidhur me mënyrën se si dhanë dorëheqje Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, janë të bazuara.

“Dorëheqja e kryeministrit nuk është e mjaftueshme – çdo ministër që ka fituar mandat si deputet duhet të dorëzojë dorëheqjen individualisht dhe në rrugë zyrtare”, thotë mes tjerash Cakolli.Ai thekson se nuk është e pranueshme që këto dokumente të dorëzohen në mënyrë informale apo përmes individëve të ndryshëm në ambientet e Kuvendit. Procedura e duhur përfshin dorëzimin zyrtar në Sekretarinë e Kuvendit, e cila më pas e përcjell dokumentacionin tek Komisioni përkatës.

“Sepse unë besoj që nuk është e hijshme që këto të sillen nga individë të caktuar, të barten shkresat me dorë nëpër hollët e Kuvendit. Por, ka përcaktim të procedurave se si bëhet pranimi i një shkrese nga Qeveria”, thotë Cakolli.

Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.

Presidenca: Nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi

Këshilltari për media në Zyrën e presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, tha se “deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi”. “Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, shtoi ai, pasi u pyet për një deklaratë lidhur me atë që ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

Faton Peci nga Vetëvendosja tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të japë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Reagimet e partive politike

PDK: Kryetari Memli Krasniqi fajësoi LVV-në për situatën e krijuar, duke thënë se mungesa e dorëheqjeve të mirëfillta ishte arsyeja kryesore për mosvotimin e raportit.

LDK: Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK nuk e kundërshton raportin në parim, por nuk do të votojë për të derisa dorëheqjet të jenë të plota, individuale dhe të dokumentuara siç kërkohet nga procedurat zyrtare.

Abdixhiku tha se para strukturave vendimmarrëse të partisë ka propozuar Kujtim Shalën për nënkryetar të kuvendit dhe Hykmete Bajramin për shefe të grupit parlamentar të kësaj partie.

AAK: Ramush Haradinaj akuzoi Kurtin për bllokim të procesit dhe mosrespektim të Kushtetutës, duke thënë se nuk do të bëjnë kompromis me rendin kushtetues.

LVV: Artan Abrashi, kryesues i Komisionit të përkohshëm, tha se dorëheqjet janë dorëzuar dhe akuzoi opozitën për shkaktim të “një krize të panevojshme”.

GUXO: Deputeti Faton Peci e quajti bllokimin një veprim të koordinuar mes opozitës shqiptare dhe Listës Serbe.

Çfarë tha Albin Kurti

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti reagoi përmes një postimi në Facebook, ku akuzoi opozitën për sabotim institucional.

Ai tha se kundërshtimi i verifikimit të mandateve përfaqëson një sulm ndaj rendit demokratik dhe legjitimitetit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kur përfundon mandati i Qeverisë?

Ligji për Qeverinë e Kosovës, i miratuar nga Qeveria e fundit e Albin Kurtit në vitin 2022, parasheh se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit (që është rasti në situatën aktuale), me votimin e suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, me dorëheqjen e kryeministrit, apo me shpërndarjen e Kuvendit.

Po ashtu, mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon nëse ai/ajo nuk bën betimin, jep dorëheqje, zgjidhet deputet, i përfundon mandati i rregullt i Qeverisë, etj.

Çfarë ndodh në rast se anëtari i Qeverisë zgjidhet deputet?

Ligji për Qeverinë parasheh se, nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Kështu thuhet në nenin 26 të këtij ligji, i cili ka të bëjë me papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë është bërë më 27 mars nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe para asaj date nuk ka pasur dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë Kurti 2.

Albin Kurti më 27 mars shkroi në Facebook se mandati i tij katërvjeçar përfundoi më 23 mars, dhe pretendoi se sipas Ligjit për Qeverinë, nuk ka nevojë për një akt shtesë dhe formal të dorëheqjes nga posti.

Ai citoi nenin që përcakton se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon nëse përfundon mandati i rregullt i Qeverisë.

Si ndodh dorëheqja e Qeverisë dhe a ka ajo kompetenca pas kësaj?

Sipas ligjit, Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi, por me kufizimet e përcaktuara me ligj (më poshtë përmendim cilat janë ato).

Një Qeveri është në dorëheqje: pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re; pas dorëheqjes së kryeministrit ose në çdo rast tjetër kur posti i kryeministrit mbetet i lirë, deri në zgjedhjen e Qeverisë; pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj nga Kuvendi, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re…

Sa u përket kufizimeve, në ligj përmendet që Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme të planifikuara me planin vjetor dhe ligjin për buxhetin; nuk miraton nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, nuk miraton projektligje, amendamente kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale, nuk inicion procedura të reja për emërime në pozita publike, nuk propozon kandidatë për pozita që kërkojnë emërim nga Kuvendi, etj.

Qeveria në dorëheqje, megjithatë, ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e buxhetit. Në rast të fatkeqësive natyrore apo shëndetësore, disa nga këto kufizime nuk vlejnë më.

Kur fillon mandati i deputetit?

Sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 70), mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përfundon, ndër të tjera, kur deputeti emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës.

Mandati i deputetit përfundon ose bëhet i pavlefshëm nëse: nuk bën betimin; jep dorëheqje dhe emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës.

Related Articles