Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se, sipas një përllogaritjeje të tyre, me rreth pesë milionë euro në vit do të mund të rregullohej çështja e sigurimit shëndetësor për policët.
Ai ka thënë se “do të ishte nder” për cilëndo qeveri që do ta bënte një sistem të tillë të sigurimit shëndetësor.
E ka cilësuar shumën prej pesë milionë eurosh si jo të papërballueshme.
“Do të ishte nder për secilën qeveri që ta bënte Policinë e Kosovës me sigurim shëndetësor. Ligji për sigurinë shëndetësore do të ishte nder. Për një vit, sigurimi shëndetësor mund të bëhet me rreth 5 milionë euro, për Policinë e Kosovës, nuk është një shumë e papërballueshme”, ka thënë ai.
Sigurimet shëndetësore dhe jetësore të policëve i bënë temë pas vdekjes së Afrim Bunjakut në sulmin e Banjskës i cili ndodhi më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit.
Atë ditë Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.
Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë.
Pas këtij momenti populli i Kosovës dhe institucionet e vendit shprehën krenarinë e tyre për pjesëtarët e Policisë që vun nën kontrollën situatën e krijuar në Banjskë.