Sot pas një kohe të gjatë do të mbahet takimi në Bruksel, ku në bisedime do të jetë i përfshirë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në lidhje me takimin mes Kosovës dhe Serbisë, analisti kosovar për çështje ndërkombëtare, Gazmir Raci tha se arritja kryesore në këtë drejtim është zhbllokimi i procesit.
“Arritja kryesore në këtë drejtim është zhbllokimi i procesit. Që nga viti 2016 në dialogun e Brukselit nuk ka pasur asnjë zhvillim pozitiv, vetëm degradim dhe acarim të raporteve. Me këtë rast Republika e Kosovës dhe njeherë po jep kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke u ridëshmuar partner i rëndësishëm i SHBA-ve dhe partnerëve perëndimor në Ballkan”.
Raci thotë se me marrëveshjen që pritet të arrihet sot mbyllet përgjithmonë çështja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Duke qenë se dialogu kishte degraduar nga ai për fuqizimin e shtetit të Kosovës, kufijve, sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në një dialog “Pazar” territoresh. Me marrëveshjen që pitet të arrihet sot mbyllet përgjithmonë çështja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Jetësohet moto e festimeve të 15 vjetorit të pavarësisë, “Kosova shtet për jetë”, ka shkruar Raci.
Mes tjerash, Raci thotë se njohja de-facto në mes të dy shteteve arrin kulmin dhe sipas tij nga sot e tutje Serbia detyrohet të njoh dhe pranoj simbolet shtetërore të Kosovës.
“Nga sot e tutje, përveç tjerash, Serbia detyrohet të njoh dhe pranoj simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Zyrat ndërlidhëse kthehen në Përfaqësi të shteteve respektive, sipas Konventës së Vjenës dhe Kosovës i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Interpoli, UNESCO, Këshilli i Evropës, etj, do të jetësohen shumë shpejt, sidomos tash kur pozicioni ndërkombëtar rus është në nivelin më të ulët historik”, ka shkruar mes tjerash Raci.
Ndryshe, Kurtin dhe Vuçiq paraprakisht i pret takim i ndarë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të takohet me kryeministrin Kurti në orën 15:00.
Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell pritet të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
LEXO EDHE: Dita “D” – Sot takohen Kurti dhe Vuçiq, çka pritet të ndodhë?
Kurti gjatë gjithë kohës ka deklaruar se Marrëveshja me Serbinë do e ketë njohjen në qendër dhe se ndryshe nuk do diskutonte me Serbinë. Por ajo që është thënë deri më tani kjo marrëveshje veç njohje nuk do të ketë, të paktën jo njohje ‘de-jure’. /Gazeta Enigma/.