Një valë e re e COVID-19 në Kosovë është në prag, teksa këtë e konfirmojnë shifrat e fundit të IKSHPK-së. Dje, janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes nga CPVID-19, shkruan Gazeta “Enigma”. E kjo situatë e re i ka gjetur papërgatitur qendrat mjekësore në vend, të cilat nuk kanë as teste për COVID-19.
“Në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19”, njofton IKShPK duke theksuar se grup mosha më e prekur është nga 50 deri në 70 vjet.
Sipas këtij raporti Komuna e Prishtinës kryeson me 25 raste aktive me COVID-19 duke u pasuar nga Peja me 8 raste dhe nga Gjakova me 7 raste.
“Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet tutje në raportin e IKShPK-së.
“Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me drejtorin e QKMF-së në Pejë, Petrit Locin, i cili ka njoftuar se ka shtim të pacientëve të cilët kërkojnë trajtim me simptoma të COVID-19.
“Supozohet që ka më shumë raste mirëpo sa i përket shifrave vetëm IKShPK-ja mundet me dhanë shifra”, tha Loci.
“Gjendja në institucionet e kujdesit parësor ka shtim të rasteve të pacientëve të cilët kërkojnë trajtim që korrespondojnë me simptomat e COVID-it”, ka theksuar Loci.
Kurse Nadire Ymeri, drejtoresh e QKMF-së në Ferizaj, thotë se një rast pozitiv është shënuar edhe në këtë komunë.
Ymeri në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se mungesa e testeve mund të jetë shkaku që mungojnë shifrat e rasteve në Ferizaj.
Edhe në Komunën e Gjilanit është një rast pozitiv me COVID-19, kështu bëri të ditur për Gazetën Enigma, Basri Kamberi ushtrues detyre i drejtorit të QKMF-së në Gjilan.
“Për momentin në Gjilan e kemi vetëm një rast pozitiv me COVID-19 me datë 10.09.2023. Ky pacient është i vaksinuar me 2 doza të vaksinës Pffizer”, tha Kamberi për “Enigmën”.
QKMF-të në Kosovë kanë mungesë të testeve për COVID-19
“Nuk kemi teste, më herët kemi bërë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë por ende nuk na kanë furnizuar me teste. Kjo edhe mund të jetë shkaku që ne nuk dimë nëse ka raste pozitive ose jo pasi pacientët mundet me i bë testet diku tjetër dhe ka mundësi që nuk tregojnë që janë pozitiv me COVID-19 në rast se kërkojnë trajtim mjekësor”, tha Ymeri nga QKMF – Ferizaj.
Udhëheqësit shëndetësor në Gjilan konfirmojnë po ashtu se as në Komunën e Gjilanit nuk ka teste për COVID-19.
Nërsa Petrit Loci drejtor në QKMF të Komunës së Pejës tha për “Enigmën” se janë të furnizuar me teste por se nuk ka sasi të mjaftueshme. /GAZETA ENIGMA/