Vazhdon iniciativa “Ballkani i Hapur”, a po përfshihet BE-ja dhe NATO në këtë proces?

Vazhdon iniciativa “Ballkani i Hapur”, a po përfshihet BE-ja dhe NATO në këtë proces?

Kryeqyteti shqiptar, Tirana do të jetë vendi nikoqir, ku pritet të mbahet sot (e hënë), dhe nesër (e martë), takimi i radhës i “Open Balkan”. Në këtë takim veç tri shteteve nikoqire, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, e Shqipërisë pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshilli të Atlantikun dhe Komisionit Evropian, shkruan Gazeta “Enigma”.

Për dy dite, të hënën dhe të martën e 20 dhe 21 Dhjetorit liderët e tre vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri Edi Rama, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.

Por çka nënkupton pjesëmarrja e përfaqësuesve të Këshillit të Atlantikut dhe Komisionit Evropian për këtë nisëm?

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, thotë se me pjesëmarrjen e këtyre dy organeve, është krijuar një momentum i ri i “Ballkanit të hapur”.

Milazim Krasniqi, profesor universitar

“Pjesëmarrja në takimin e sotëm të “Ballkanit të hapur “ në Tiranë e O. Brajanit, si përfaqësues i Këshillit Atlantik dhe i komisionerit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhejlit, paraqet një moment të ri të kësaj iniciative. Gjasat janë që NATO dhe BE duan ta mbajnë nën kontroll këtë iniciativë, që të mos dalë plotësisht nga binaret e procesit të zgjerimit të NATO-s NATO-s dhe të anëtarësimit të shteteve ballkanike në BE”, ka thënë ai.

“Pra, një mundësi është që tash e tutje “Open Ballkan”, mund të jetë nën kontrollin e NATO-s dhe të BE-së, për ta  dobësuar influencën ruse, e cila është kumbara i “Open Ballkan””, shtoi Krasniqi.

Megjithatë, sipas tij e paqartë mbetet pozita e Aleks Sorosit në atë takim e në tërë këtë iniciativë.

“Nuk është e qartë nëse ai e e përfaqëson SHBA-në një agjent joqeveritar si Fondacioni “Soros?” në këtë iniciativë, kjo paraqet një sfidë për Departamentin Amerikan të Shtetit, për të cilin kurrë nuk mund të thuhet se nuk ka kapacitete e autoritet, për përfaqësimin zyrtar e legal të interesave amerikane në botë. A mos po përdoret Soros si karrem, për ta afruar disi Vuçiqin me SHBA-në e për ta larguar nga Putini?”, theksoi tutje Krasniqi.

Kjo iniciativë sipas Krasniqit mund të jetë një lojë e madhe që po nis me tre lojtar të vegjël.  

“Pra, mund të jetë se është një pyetje një lojë e madhe, e cila po fillon me tre lojtarë të vegjël, Vuçiqin, Ramën e Zaevin, i cili tashmë politikisht është jashtë loje, por vazhdon të jetë aktiv, duke mbledhë topat nga jashtë fushës”, tha tutje ai.

Sipas tij pikërisht përfshirja e Serbisë dhe aleanca që ky shtet ka me Rusinë e bënë tejët të rrezikshme nismën për gjithë rajonin e ballkanit.

“Një gjë është e sigurt: Vuçiqi vetë përsëritë shpesh se asnjë vendim nuk e merr pa u konsultuar me Putinin. Logjikisht edhe propozimi i iniciativës “Ballkani i Hapur”e edhe zhvillimet e derisotme të kësaj iniciative, Vuçiqi i ka në akord me Putinin. A po hyn në lojë NATO e BE për ta marrë nën kontroll këtë iniciativë? Kjo vërtet është pyetje për një milion dollar. Përtej kësaj pyetjeje të vështirë, vetëm një përgjigje është e ditur saktë: çdo iniciativë serbe e ruse është gjithmonë në dëm të shqiptarëve”, shtoi profesori Krasniqi.

Çka pritet të ndodh në takim?

Zaev dhe Vuçiqi të shoqëruar nga disa ministra të tyre dhe krerët e dhomave të tregtisë së vendeve të tyre do mbërrijnë në Tiranë pasditen e të hënës.

Ditën e parë është parashikuar një darkë zyrtare në një resort në qytetin e Elbasanit, i njëjti ku u zhvillua mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ku do jenë të pranishëm dhe një përfaqësues i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur. Të martën takimi do të nis në orën 09:00 në pallatin e Brigadave.

Ekipeve të tre vendeve do t’iu bashkohet dhe komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi online, si dhe drejtori i CEFTA-s, Emir Djikiq, si dhe Majlinda Bregu si sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Marrëveshja e parë që do të nënshkruhet nga Rama, Vuçiq e Zaev është për kushtet për aksesin e lire në tregun punës.

Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me: skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndersjelltë për operatoret ekonomi.

Takimi i Tiranës mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve.

Protesta që kundërshton “Open Balkan”

Lidhur me takimin e “Ballkanit të Hapur”, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se do të organizojë protestë mbarëkombëtare, pasi, siç ka thënë më 18 dhjetor, kjo nismë “është kërcënim kombëtar”.

Ndërkohë Berisha të hënën dha edhe arsyet se pse e kundërshton këtë nisëm, e që kryefjalë e këtij kundërshtimi sipas tij është sjellja e Serbisë karshi Kosovës.

“Vuçiq është ministër i Milloshevicit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptareve nga Serbia dhe vazhdon të ndjek politiken e shefit të tij”, tha Berisha.

Takimi i “Open Ballkan”


Tutje ai si arsye tjetër theksoi se “Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së madhe andaj nuk duhet lejuar assesi që të konkretizohet”.

Tutje ai përmendi faktin që Vuçiq vazhdon të mos e pranoj gjenocidin që shteti i tij ka ushtruar në Kosovë. “Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptareve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, theksoi tutje ai.

Ndërkaq, se “Ballkani hapur” është ide e jetësuar nga Serbia, e konfirmoi të hënën edhe kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq, i cili tha se kjo është arsyeja pse disa vende po refuzojnë t’i bashkohen kësaj nisme.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. / Gazeta Enigma.

Related Articles