Viti i fitores së madhe të “Pirros”, por jo dhe i Kosovës

Viti i fitores së madhe të “Pirros”, por jo dhe i Kosovës

2021-ta, nisi mirë për kryeministrin aktual, Albin Kurti, i cili, për të dytën herë radhazi arriti që të ulet në kolltukun e të parit të ekzekutivit së Kosovës. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat ai i konsideroi si referendum i popullit, Kurti arriti që me 67 vota për dhe 30 kundër nga Kuvendi i Kosovës, të bëhet kryesues i Qeverisë së re, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse, Kurti nuk ishte lejuar që të merrte pjesë në listën zfjedhore, për shkak se kishte probleme me ligjin, por partia e tij Lëvizja Vetëvendosja fitoi mbi 50% të votave, duke ia mundësuar kështu që së bashku me votat e garantuara të deputetëve të pakicave ta formojë pa problem qeverinë Kurti 2.

Fitorja e dytë e Kurtit në këtë pozitë, erdhi pasi në vitin 2019 ai ishte zgjedhur kryeministër, por, vetëm pas 50 ditë qeverisje, ai me një mocion mosbesimi u rrëzua nga partneri i atëhershëm qeverisës LDK-së.

Kjo nuk e ndaloi partinë e Kurtit, që ta rikthej qeverisjen, duke dyfishuar numrin e deputetëve në Kuvend, nga 29 në 58.

Në prezantimin e një ekspozeje për prioritetet e tij para deputetëve, kryeministri i ri Albin Kurti kishte deklaruar se qeveria e tij do të kujdeset për rend dhe ligj, siguri e paqe. Kurti premtoi se do ta rrisë ekonominë dhe buxheti i Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro, duke luftuar ekonominë informale. “Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur, e paanshme. Nuk do të ketë as individ as parti më të fuqishme se shteti. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione, do të krijojmë Vetting në drejtësi. Ky proces do të kryhet me partnerët ndërkombëtarë. Do të departizojmë shërbimin e jashtëm, do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për të ndalur emigrimin masiv duhet të rrisim vendet e punës. Do të mbështesim zhvillimin e sipërmarrjeve me fokus të veçantë ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të heqim monopolet dhe evazionin fiskal”, tha ndër të tjera Kurti.

Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

“Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë”, tha Kurti.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha se “në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish- Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjelltë”, duke shtuar se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Ndërkohë Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës në të njëjtën ditë. E disa javë më pas, mandatin e presidentes së Kosovës e morri Vjosa Osmani.

Qeveria e re e Kosovës ka 15 ministri dhe tre zëvëndëskryeministra: zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi.

Sukseset e proklamuara nga qeveria Kurti

Kryeministri aktual, Albin Kurti është shprehur disa herë tashmë se që nga marrja e pushtetit, vendi ka shënuar përmirësim të dukshëm në shumë fusha.

Në një intervistë për media, ai kishte thënë se rritja ekonomike do të jetë së paku 9.9 % këtë vit, krahasuar me vitet paraprake.

“Rritja ekonomike në këtë vit do të jetë së paku 9.9 për qind sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkohë që ekonominë e kemi marrë nga viti i kaluar me tkurrje prej 3.1 për qind, sipas Bankës Botërore. Për një të tretën janë rritur të hyrat buxhetore, i kemi zvogëluar shumë shpenzimet qeveritare dhe e kemi miratuar në mbledhjen e Qeverisë buxhetin për vitin 2022, i cili është 8.7 për qind më i lartë sesa rishikimi i buxhetit në mesvit”, ka thënë ai,

Po ashtu sipas tij qarkullimi në ekonomi është rritur për 30 për qind, eksportet janë rritur 68 për qind.

“Në gjashtëmujorin e këtij viti kishim 230 milionë investime të huaja, që është 33 për qind më shumë se viti i kaluar dhe 109 për qind më shumë sesa viti 2019 dhe 89 për qind më shumë se mesatarja e investimeve të huaja të dekadës 2010-2020. Që nga shpallja e pavarësisë, sivjet në gjashtëmujorin e parë kemi numrin më të madh të investimeve të huaja dhe vlerën më të madhe të tyre në Kosovë”, ka thënë Kurti në nëntor të këtij viti.


Zgjedhjet lokale ‘i japin krahë’ PDK-së e LDK-së

Befasi të shumta u shfaqën nga votat e 42% të qytetarëve kosovare që iu drejtuan kutive të votimit të dielën e 17 tetorit.

Pritshmëri e matematika të shumta u thyen, e kandidatë që s’pritej morën vota të shumta.

Nga të dhënat e KQZ-së, në 17 komuna nxorën kandidatin fitues, kurse në 21 komuna të tjera pritej të ketë raunde të dyta.

Sipas rezultateve të para, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës, pesë, kurse AAK dhe LDK kanë fituar në dy komuna.

Befasi e këtyre zgjedhjeve ishte rënia e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk arriti të fitoj në asnjë komunë, pa balotazh.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u renditën si dy partitë më të votuara në zgjedhjet lokale.

Nga debakli që kishin pësuar në zgjedhjet nacionale, dy partitë opozitare arritën ‘të marrin krahë’ sërish, duke siguruar PDK-ja, 9 komuna, kurse LDK-ja, 7 komuna.

Të dy partitë e lanë pas, subjektin në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje e cila akumuloi vetëm 4 komuna.

Ndonëse PDK-ja fitoi në një nga komunat më të mëdha në Prizren e Ferizaj, LDK-ja në anën tjetër pas disa vitesh e riktheu bastionin e vet, Prishtinën.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të rundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Bllokimi i dialogut, Asoaciacioni – nyja lidhëse
Përkundër dhjetëra takimeve të mbajtura gjatë vitit 2021, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë një murë të madh përpara tyre. Në anën tjetër Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, nuk heziton që në asnjë takim publik, apo event që t’i kujtoj të dyja vendeve se e vetmja rrugë drejt këtij unioni është që të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis dyja vendeve.

Në një përgjigje me shkrim nga BE-ja, në dhjetor, zëdhënësi i këtij misioni, Peter Stano ka ftuar të dy vendet që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura midis dyja vendeve.
“Po e theksojmë sërish se presim që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja. Ne presim që palët t’i respektojnë këto udhëzime”, kishte thënë ai për Gazeta “Enigma”.

Ndërkohë Asociacioni i Komunave serbe vazhdon të jetë “mollë sherri” midis dy vendeve.

Në njërën anë qëndron Kosova, krerët qeveritar të së cilës janë shprehur se Asociacioni do të formohet duke respektuar Kushtetutën e vendit, e në anën tjetër qëndron Serbia që me ngulm e kërkon një gjë të tillë.

Ndërkohë përgjatë këtij viti dhjetëra vizita të zyrtarëve serb në Kosovë, por edhe atyre kosovar në Serbi janë ndaluar.

Disa muaj më parë, zyrtari serb, Petar Petkoviq kishte planifikuar të qëndrojë dy ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një manifestim në Manastirin e Deçanit. Por një gjë e tillë iu ndalua.

“Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtarë janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhej në reagimin e zyrës së Petkoviqit.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy ditë pas, dhe qeveria e Serbisë nuk lejoi një vizitë të katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës dhe vendimin për ndalim, autoritet serbe ua komunikuan autoriteteve kosovare vetëm disa orë para nisjes.

Vizita ishte parashikuar të zhvillohej nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se vizita në Luginë të Preshevës ishte planifikuar shumë kohë më parë dhe refuzimi nga ana e Beogradit ishte pa ndonjë arsye.

E njëjta gjë ndodhi edhe në muajin dhjetor kur kryediplomates kosovare, Donika Gërvallës iu ndalua hyrja në Serbi. Në të njëjtën ditë as Petkoviq, s’ishte lejuar të hyjë në Kosovë.

Për këtë reagoi BE-ja, duke ftuar organet kosovare që t’i respektojnë marrëveshjet me Serbinë, por që të njëjtën gjë s’i kërkoi edhe organeve serbe.

Raporti i Progresit apo i Regresit për Kosovën?

Bazuar në të dhënat e Raportit të Progresit për vendin për vitin 2021, shteti i Kosovës pak ka ndryshuar që nga vitit 2020.

“Kosova ka ngecur në zhvillimin e reformave që duhet t’i plotësoj me qëllim që të anëtarësohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian’, kështu thekson Raporti i Progresit për vitin 2021 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë dy faktor kryesorë përmenden në raport.

“Zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma të thella” thuhet në raport.

Bazuar në këto gjetje, Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane, e cila sipas tyre është lënë anash.

“Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”. Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian.

Ku qëndron Kosova në dialog me Serbinë sipas KE?

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thekson Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.

Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.

KE s’ka harriar të përmendur edhe situatën në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.

Stagnimi në luftën kundër korrupsionit

Pothuajse se në secilin vit, KE-ja ka të njëjtat komente për Kosovën, kur flet për sistemin e Drejtësisë. Në raport theksohet se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik.

“Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.

Tutje aty potencohet se “Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit” posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarëve terroristë që morën pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme”.

Si edhe në vitet e mëparshme, prej vitit 2018, në raportin e Progresit të Komisionit Evropian përmendet që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, një gjë e tillë akoma nuk po ndodh.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka kufizim të lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Raporti i KE-së thotë se Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka pluralizëm të mediave. Megjithatë, ka shqetësime lidhur me fushatat e shpifjes, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

“Mungesa e vetëfinancimit të qëndrueshëm, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19, i lë mendiat e ndjeshme ndaj interesave politike dhe biznesore. Transmetuesi publik po ashtu është i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket financimit të tij”, thuhet në raport.

Krerët e UÇK-së vazhdojnë qëndrimin në Hagë, s’lirohet asnjëri prej tyre

Ka kaluar një vit prejse ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndërkohë ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në muajin nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit para Gjykatës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se synon që gjykimi ndaj tyre të fillojë më së largu në verën e vitit 2021, por kjo gjë s’ndodhi.

Përveq tyre, gjykimi tashmë ka filluar ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, si dhe ish krerëve të OVL-së, së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Në nëntor të vitit 2021, kishte sinjale pozitive se ndonjëri nga ish krerët e UÇK-së, do të lirohej. Kjo pas kërkeës së Gjykatës Speciale, drejtuar Policisë së Kosovës, për ofrimin e garancisë për ish krerët.

Specialja kërkoi nga Policia e Kosovës përgjigje në detaje lidhur me mundësinë se nëse ata mund të sigurojnë mbrojtje në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Nga Policia i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese të Speciales, e cila në fund rezultoi se s’u morr parasysh.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje. /Gazeta Enigma/.



Related Articles