Vrasja e 26 vjeçarit në Pejë – Krejt çka dihet deri më tani

Vrasja e 26 vjeçarit në Pejë – Krejt çka dihet deri më tani

Si pasojë e një përleshje me thika të enjten në Pejë ka mbetur i vdekur një 26 vjeçar me inicialet E.M. Për këtë rast tashmë janë arrestuar dy të dyshuar.

Dy persona janë plagosur me thikë pas një përleshje në lagjen “Fidanishte” në Pejë. Njëri prej tyre s’ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra dhe ka vdekur.

Vdekjen e tij e kanë konfirmuar për Gazetën ‘Enigma’, zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti.

“Me gjithë përpjekjen e mjekëve kujdestar, nga plagët e marra ka humbur jetë”, kishte deklaruar Sahiti.

Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar. Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Si pasojë e një përleshje në Pejë, një person ka humbur jetën nga lëndimet e marra, dy persona janë arrestuar, njëri i dyshuar për veprën pënale vrasja: e tjetri për veprën penale “lëndim trupor”, tha Nikçi.

Tutje ai për ‘Enigmën’ ka bërë të ditur se në këtë rast ka pësuar lëndime trupore edhe i dyshuari për veprën penale “vrasja”.

Ende nuk dihet motivet që arritën deri te vrasja.

Policia jep detaje për vrasjen e 26 vjeçarit në Pejë

Përmes një komunikate për media policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 14:45 në rrugën “Konferenca e Bujanit”.

Sipas Policisë, në përleshje ishin të përfshirë tre persona.

Në këtë përleshje janë përdorur edhe thikat ku njëri prej të përfshirëve ka marrë lëndime më të rënda trupore, teksa më vonë ka ndërruar jetë.

Të dyshuar për rastin janë dy persona.

“Policia ka arrestuar të dyshuarin K.S., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar) i cili po ashtu ishte i lënduar dhe është dërguar për tretman mjekësor. Po ashtu, policia ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë që është i përfshirë në këtë rast: L.M., (viti i lindjes 1988, mashkull kosovar)”, thuhet në njoftimin e PK’së.

Ndërsa, viktima e rastit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Kurse, dy të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, do të dërgohen në ndalim prej 48 orëve.

Ndryshe, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, kishte konfirmuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin.

 “Rreth orës 14:45 policia ka pranuar informatën për një përleshje në mes të dy personave. Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjetet të mprehta dyshohet që thikë. Si pasojë dy personat e përfshirë në këtë përleshje kanë pësuar lëndime dhe janë duke u trajtuar në spital, dhe njëri prej tyre ka lëndime më të rënda”, kishte thënë Gashi për ‘Enigmën’.

Related Articles