Xhudoja sërish krenari kombëtare – Distria dhe elita e sportistëve po e mbajnë Kosovën në majë

Xhudoja sërish krenari kombëtare – Distria dhe elita e sportistëve po e mbajnë Kosovën në majë

Nëse Kosova kohëve të fundit nuk dukej e suksesshme në politikë, ekonomi, mbarëvajtje të numërimit të votave apo çka do tjetër, është një fushë ku Kosova, vendi që po gëzon përvjetorin e 18-të të Pavarësisë vazhdon të korrë suksese – sporti, shkruan Gazeta Enigma.

Sportistë nga disiplina të ndryshme vazhduan të shkëlqejnë, duke ngritur emblemën e Flamurin e Kosovës, lartë e më lartë.

Për të mos u çuditur, xhudoja edhe njëherë përfaqësoi Kosovës si mos më mirë.

Xhudistja Distria Krasniqi edhe njëherë e solli medaljen e artë në tokën dardane. Veç se kësaj radhe nuk ishte medalja e artë nga Lojërat Olimpike (radha e kësaj gare vjen më 2028), por ishte nga Grand Slami i Parisit.

Më 7 shkurt të këtij viti, medalistja e dyfishtë olimpike, triumfoi në finale ndaj spanjolles Toro Soler, para dhjetëra mijëra shikuesve të pranishëm.

Distria mori medaljen e artë, duke gdhendur edhe njëherë emrin e saj dhe të Kosovës në këtë sport.

Lëvizjet e saj drejt titullit më të lartë u publikuan nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, të cilat morën dhjetëra mijëra pëlqime.

Në momentin e intonimit të Himnit të Kosovës, trajneri Kuka u përkujdes që ta emociononte edhe më tej popullin shqiptar, me pamjet e mbi 20 mijë tifozëve francezë që u ngritën në këmbë, për ta dëgjuar e respektuar himnin, teksa Distria po pranonte medaljen e artë.

Tani, Distria do të vazhdojë me stërvitje për gara të reja, e që synimin kryesor e ka një medalje të tretë olimpike, në Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.

Kosova drejt sukseseve historike edhe në futboll

Në garën për t’u kualifikuar për Kupën e Botës 2026, futbollistët e Kombëtares së Kosovës dhanë maksimumin e tyre, duke u renditur në vendin e dytë të grupit B, pas Zvicrës, e duke lënë mbrapa Slloveninë dhe Suedinë.

Kjo bëri tej mase krenarë futbolldashësit shqiptarë në Kosovë e rajon.

Më 8 shtator, Kosova mposhti Suedinë me rezultat 2-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit, më 13 tetor, Dardanët sërish triumfuan, me rezultat 1-0.

Me Slloveninë, në ndeshjen e parë Kosova barazoi më 10 tetor në Fadil Vokrri, pa gola, por se u përmirësua 15 nëntor, duke mposhtur po të njëjtin ekip në Lubjanë, me rezultat 2-0.

Në ndeshjen me Zvicrën, Kosova njëherë barazoi e njëherë humbi.

Nga i gjithë ky sukses, Dardanët tani e kanë mundësinë që ta marrin biletën për në Amerikë, përmes play-off.

Kosova do të ndeshet me Sllovakinë në ndeshjen e parë, ndërsa në të dytën (finalen), me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.

Nëse Dardanët arrijnë t’i fitojnë këto dy ndeshje, kjo do ishte një arritje historike për futbollin kosovar.

E gjithë bota e futbollit do ta mësonte njëherë e mirë emrin e Kosovës, nëse lojtarët e saj do garojnë në sytë e të gjithë botës, në stadiumet amerikane.

Vedat Muriqi, lojtari i muajit në La Liga

Edhe një lojtar nga Kosova bëri namin në një nga ligat të futbollit më të shikuara në botë, La Liga.

Është fjala për Vedat Muriqin, i cili u shpallë lojtari më i mirë i muajit janar 2026 në La Liga, pasi nuk u ndal duke shënuar gola.

Performanca e shkëlqyer e Muriqit po bën që ai të shkoj kokë-më-kokë me yllin botëror Kylian Mbappe, sa i përket golashënuesve më të mirë në La Liga.

Madje, pak ditë më parë, Muriqi vendosi edhe një rekord personal.

Pas supergolit ndaj Real Betisit, Muriqi është bërë golashënuesi më i mirë në Evropë për gola me kokë, plot gjashtë sosh.

Përpos kësaj, ai ka barazuar rekordin e legjendës së Mallorcas Pierre Ëebo për më së shumti gola me kokë në një sezon, rekord që s’ishte prekur që nga sezoni 2010/11.

Nën kampioni i parë në karate nga Kosova

Një sport tjetër ku u veçua Kosova, ishte ajo e karatesë.

Karateisti Islam Selmani, bëri histori duke u bërë i pari nga Kosova që shpallet nën kampion botëror në këtë sport.

Në Kajro të Egjiptit, Selmani arriti ta përvetësojë medaljen e argjendtë, të cilën ia dedikoi Kosovës.

Në një finale të jashtëzakonshme në kategorinë deri në 60 kilogramë, Selmani u përball me turkun Eray Samdan, një nga emrat më të njohur dhe të fortë të këtij sporti në arenën ndërkombëtare.

Pas një dueli të ashpër, Selmani arriti të sigurojë vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë.

Një ditë më herët, ai kishte shkëlqyer në gjysmëfinale, ku mposhti dominueshëm karateistin nga Uzbekistani, Mekhriddin Turakhonov, me një rezultat bindës 9:1.

Me këtë sukses, Selmani u bë karateisti i parë kosovar që fiton një medalje të argjendtë në Kampionatin Botëror, duke shënuar një prej sukseseve më të mëdha në historinë e sportit kosovar.

Megjithatë, Selmani nuk u mjaftua me kaq. Ai u shpreh i bindur se në garën e radhës së Botërorit, që do mbahet pas dy vitesh, do të shpallet KAMPIONË.

Pjesëmarrja e atletëve nga Kosova në Lojërat Olimpikë Dimërore Milan 2026

Përpos pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Verore, Kosova ka dërguar atletë edhe në Lojërat Olimpikë Dimërore, që po vazhdojnë të mbahen ende.

Dy skiatorët nga Kosova, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, valëvitën Flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të këtyre lojërave, me krenari para dhjetëra mijëra shikuesve në stadiumin ‘San Siro’ e para dhjetëra miliona shikuesve para televizionit.

Flamuri kosovar u valëvit mes 92 shteteve pjesëmarrëse.

Kiana Kryeziu garoi në super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj debutoi në sllallom.

“Sporti vazhdon të jetë ambasadori më i madh i Kosovës”

Gazetari dhe njohësi i sportit, Lutrim Islami, thotë se sporti po vazhdon të jetë vegla kryesore, në mënyrë që emri i Kosovës të dëgjohet kudo në botë.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Islami thotë se medalja e artë e Distrisë ua rikujtoi edhe njëherë popullit, se sa i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet, sporti i xhudos, në promovimin e mëtejmë të shteti tonë.

“Fitorja e Distria Krasniqit, në prag të 17 Shkurtit, ishte një ‘qershi mbi tortë’ në këtë festë. Distria, bashkë me ekipin e xhudos nga Kosova, na mundësoi edhe njëherë që ta shohim flamurin tonë teksa valëvitet mbi çdo flamur tjetër. Dhe prania e madhe e shikuesve në sallë, si dhe e atyre që po e shikonin nga televizioni, na tregoi edhe njëherë se sa shumë vlerë ka suksesi në sport dhe investimi në të”, thotë Islami.

“Xhudoja kosovare po vazhdon të mbetet aseti më i çmuar që ka shteti i Kosovës. Ngjitja në podium në çdo garë është bërë e zakonshme për xhudistët kosovarë. Dhe më këtë po ngritët edhe flamuri i Kosovës në piedestal. Kjo është medalja e nëntë e xhudistëve kosovarë në këtë garë të rëndësishme, nën drejtimin e kryemjeshtrit Driton Kuka”.

“Ky sukses i jashtëzakonshëm i xhudistëve kosovarë, po bën që Kosova të njihet gjithandej botës, duke shfrytëzuar sportin si diplomaci”, tha Islami.

Sa janë gjasat e Kosovës për kualifikim në Botëror?

Sa i përket garës se ekipit dardan për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, gazetari Islami thotë se gjasat janë shumë të mëdha, nëse lojtarët arrijnë një përgatitje të duhur fizike dhe psikologjike.

“Kosova do të jetë për herë të parë në play-off për Kampionat Botëror, dhe para vetes do të ketë ndeshje të vështira, për të siguruar plasmanin për herë të parë në Botëror. Kundërshtari i parë do të jetë Sllovakia, që është mjaft e papërshtatshme, duke parë edhe që do të ketë përparësi terrenin vendas”, thotë Islami në analizën e tij.

Megjithatë, Islami thotë se Kosova tani ndodhet me një momentum të mirë, pasi futbollistët e saj janë në formë të jashtëzakonshme me ekipet e tyre, duke filluar nga Vedat Muriqi në Spanjë, dhe me Fisnik Asllanin, i cili po shkëlqen në Bundesliga.

“Me këtë formë, Kosova mund të ketë rastin që të sigurojë të paktën përballjen me Turqinë ose Rumaninë në finale, e që do të ishte ndeshja më e madhe deri më tani e Kosovës në këto kualifikime”, deklaron njohësi i futbollit Lutrim Islami.

Islami ka fjalë miradie edhe për trajnerin e Kosovës, Franco Foda, duke thënë se prej që ka marr përsipër punën e trajnerit të Kosovës, ka bërë punë të madhe edhe në konsolidimin e ekipit dhe sigurimin e mentalitetit fitues.

“Në të dy ndeshjet, me Sllovakinë dhe fituesin tjetër, lojtarët duhet të hyjnë me mendimin ‘o sot o kurrë’. Duhet të japin maksimumin, ashtu siç dijnë të bëjnë në të shumtën e rasteve. Duhet ta kenë në mendje se kjo mundësi nuk vjen shpesh në duart e tyre”.

Një biletë për në Amerikë, Islami thotë se do ta shumëfishonte njohjen, promovimin dhe vlerësimin lart të Kosovës, në arenën ndërkombëtare.

Synimet e sportit kosovar në vitet që po vijnë

Me kualifikim ose jo në Botëror, Kosova ka ende mundësi që të shkëlqejë në garat e tjera të futbollit. Pas dy vitesh do të mbahet Kampionati Evropian, një tjetër garë e rëndësisë së madhe, ku Kosova pritet të jetë edhe më e fortë për kundërshtarët.

Gazetari Islami thotë se tani, atletët e Kosovës po përgatiten edhe për një përfaqësim sa më të denjë në Lojërat Olimpike 2028, ku pritet të jetë një garë tejet interesante.

Kosova pritet të marrë pjesë aty në disiplinat në xhudo, not, atletikë, boks, çiklizëm dhe gjuajtje. /GAZETA ENIGMA

Related Articles