Zgjedhjet lokale në horizont – Kuvendi e Qeveria mbeten në bllokadë

Zgjedhjet lokale në horizont – Kuvendi e Qeveria mbeten në bllokadë

Më 9 shkurt të këtij viti u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë dhe tre muaj pas, Kosova është pa Kuvend të konstituuar, e pa Qeveri të rregullt, shkruan Gazeta Enigma.

Ndërkohë krahas “ngërçit institucional” Kosova në vjeshtë do mbajë zgjedhje të reja, ato në nivel lokal.

Për të tetëmbëdhjetën herë me radhë, të hënën më 19 maj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare.

Ndërkohë që muajt po ecin dhe nuk ka ndonjë progres real në konstituimin e Kuvendit dhe për një Qeveri funksionale, vendit po i afrohen çdo ditë e më shumë zgjedhjet në nivel lokal.

Ndër të tjera, partitë si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës – veçse kanë filluar përgatitjet e brendshme partiake për zgjedhjet komunale në nëntor të vitit 2025.

A janë gati partitë për zgjedhje lokale?

Tutje, subjektet politike veç se kanë ‘dhezur motorrët’ për zgjedhjet lokale në nëntor.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook – ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale ku theksoi se janë duke identifikuar njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve.

“Gjatë javëve në vijim, LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë. Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të vendit”, është shprehur Abdixhiku.

Edhe, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, kanë njoftuar se kanë filluar të përgatiten për zgjedhjet lokale të vitit 2025.

“Me përkushtim, profesionalizëm dhe unitet, po fillojmë një angazhim të fuqishëm që pasqyron vlerat, përgjegjësinë dhe vizionin tonë për një Prizren më të zhvilluar dhe më të afërt me qytetarin”, thuhej tutje në njoftimin e PDK-së.

A mund të ndikojë bllokada në Kuvend në procesin e zgjedhjeve komunale?

Njohësi i çështjeve politike, Burim Ramadani, thotë se ngërçi në Kuvend do të ndikojë negativisht, sidomos për partinë politike LVV.

“Tashmë për mua është e qartë që opsionet për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës janë në kalkulim direkt me formimin e Qeverisë, zgjedhjet lokale, dhe zgjedhjet parlamentare në pranverë 2026”, thekson ai.

“Prandaj, besoj që bllokuesi, përkatësisht VV, është duke synuar që të mos zhbllokojë asgjë, të paktën deri në zgjedhjet lokale. Kjo do t’i mundësonte që me “Qeveri në detyrë” VV-ja dhe Kurti të dalin në fushatë për komuna. Ngërçi ndikon në zgjedhje lokale në kuptim të votave. Në bindjen time, kjo do të mund të ndikojë negativisht për vetë VV-në dhe Kurtin, por më duket që ata kanë vlerësim tjetër. Ata mendojnë që kjo do t’i ndihmojë në zgjedhje lokale”, tha Ramadani për Gazetën Enigma.

Por, ndryshe mendon analisti politik Blerim Burjani, teksa thekson se zgjedhjet janë punë e KQZ-së dhe nuk kanë ndikim tek subjektet politike për përgatitje për zgjedhjet komunale.

“Ngërçi në Kuvend nuk ndikon në zgjedhjet komunale, sepse kjo është detyrë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe obligim ligjor. “Zgjedhjet lokale asnjëherë nuk janë tensionuese në krahasim me institucionet qendrore. Dihet që KQZ është organ zgjedhor funksional. Mendoj që më mirë do të ishte nëse zgjedhjet nacionale të bëhen para zgjedhjeve lokale, për arsye profesionale – teknike dhe organizative. Pra, që procesi të jetë më lehtë i menaxhueshëm sesa dy palë zgjedhje menjëherë, sepse zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë mund të jenë pak më të komplikuara për KQZ-në”, u shpreh Burjani për Enigmën.

Në fund, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër në detyrë Albin Kurti, kishte deklaruar se në zgjedhjet lokale të vitit 2025 do të fitoj bindshëm.

“Për qeverisje qendrore e komunale, nga zgjedhjet parlamentare e lokale le ta fitojë Vetëvendosja vitin 2025 edhe kampionatin edhe Kupën”, ishte shprehur Kurti./GazetaEnigma/

Related Articles