Vetëm të shtunën, Policia e Kosovës sekuestroi mbi 300 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në të gjithë vendin, shkruan Gazeta Enigma.
Kriza energjetike që ka kapluar vendin ka bërë që ekzekutivi të nxjerrë vendim për ta ndaluar prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.
Policia të shtunën zhvillori tri aksione në lokacione të ndryshme, në Leposaviq, në Prishtinë dhe në Vushtrri.
Aksioni i Policisë për ndalim e kriptovalutave në Leposaviq
Në fshatin Trebicë të Leposaviqit, u konfiskuan 272 pajisje për minim të kriptovalutave nga policia.
Pronari që prodhonte kriptovaluta për bursat botërore, pajisjet i kishte instaluar në ahur. Aksioni prodhoi arrestimin e një personi dhe përfundoi pa incidente.
Aksioni i Policisë në Prishtinë
Në Prishtinë në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës” u konfiskuan 39 pajisje tjera për prodhimin e kriptovalutave.
Në kohën kur po kryhej kontrolli, 35 nga këto pajisje ishin duke punuar për të prodhuar kriptovaluta.
“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Aksioni për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Vushtrri
Sekuestrimi i aparateve dhe pajisjeve të dyshuara është bërë në fshatin Druar të Vushtrrisë.
Në kohën kur njësia policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, gjatë kontrollit të detajuar brenda veturës janë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela dhe mjete të ndryshme të dyshuara që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.
Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.
Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar drejtuesi i veturës i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se nga aksion në Leposaviq ku janë konfiskuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave janë kursyer mbi 50 mijë euro.
“Mbi 50,000 euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion. Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, shkroi Rizvanolli.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se nga aksioni në Leposaviq është arrestuar një person.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe u arrestu një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili jo rrallë herë gjatë qeverisjes së Kurtit u doli në mbrojtje veprimeve të ekzekutivit, kishte deklaruar se këto pajisje të sekuestruara në veri shpenzojnë rrymë mesatarisht sa 500 shtëpi.
“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati.
Kujtojmë se me vendim të Qeverisë së Kosovës, prodhimi i kriptovalutave është ndaluar./Gazeta Enigma/