Pas dhjetë viteve, Kosovën e ka kapluar kriza energjetike, duke pas reduktime të mëdha në çdo cep të vendit. Reduktime këto që kanë vazhduar tash e një kohë, por ditëve të fundit kanë qenë të herë pas hershme, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse, në disa vende vazhdon ndërprerja e rrymës për disa orë, qytetarët alarmuan për mundësinë e rikthimit të reduktimeve.
E për këtë, zëdhënësi i KEDS’it, Viktor Buzhala ka deklaruar për “Enigmën”, se nëse ka ndërprerje të rrymës, kjo është shkaku i ndonjë prishje.
Sipas, tij edhe ato po rregullohen në kohën më të shkurtër të mundshme.
“Nuk ka reduktime nga KEDS askund dhe kjo gjendje vazhdon tash e më tepër se dy javë. Mund të ketë ndonjë prishje sporadike, të cilat po rregullohen në kohën më të shkurtër të mundshme. Por, ato prishje përfshijnë një numër të vogël të konsumatorëve”, ka thënë Buzhala.
Prishje të tilla ka pasur edhe mbrëmjen e së martës. Një pjesë e lagjes “Aktash” dhe një pjesë e “Parkut të Qytetit” të Prishtinës kanë mbetur pa rrymë për mbi pesë orë.
Arsye për këtë ka qenë prishja e një kablloje në pusetën nëntokësore në rrugën “Bajram Kelmendi”.
Për këtë ka njoftuar vetë KEDS-i në faqen zyrtare.
“Përkundër temperaturave të ulëta e kushteve mjaft të vështira për të realizuar punën në pusetën nëntokësore në rrugën Bajram Kelmendi, ekipet tona po bëjnë përpjekje maksimale për ta sanuar sa më parë kabllon e cila furnizon një pjesë të lagjes Aktash dhe një pjesë të Parkut të Qytetit.
Në kohëzgjatjen e ndërprerjes së energjisë ka ndikuar edhe pamundësia e intervenimit të menjëhershëm si pasojë e ujërave të zeza, ku është dashur fillimisht të zbraset puseta në mënyrë që të fillohet me sanimin e kabllos”, ka njoftuar të martën KEDS.
A do të arrijë KEK ta kthejë në prodhim bllokun B2 deri më 20 janar?
Ka disa javë që në KEK kanë ardhur ekspertë nga Gjermania të cilët bashkë me ekspertët vendës po synojnë ta kthejnë bllokun B2 deri më 20 janar ashtu siç është premtuar.
Nga zyra për informim e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë dhënë më shumë detaje për modalitetet e bashkëpunimit me kompaninë General Electric .
“Ashtu siç e ka shpjeguar edhe Kryeshefi Ekzekutiv ditë më parë, po ripërsërisim se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrëveshje kontraktuale me kompaninë e prodhuesit origjinal të turbinave në TC Kosova B, pra me “General Electric” (GE) trashëguese e ALSTOM-it. Sa i përket punimeve ju bëjmë me dije se përfaqësues i GE bashkëpunon me ekspertët tanë dhe është në koordinim të vazhdueshëm me kompaninë GE. Ndërsa puna kryesisht bëhet prej ekspertëve të KEK-ut”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KEK-ut.
“Ne kemi dhënë një datë, e cila presim që duhet të jetë datë e rikthimit të bllokut B2 në punë, ajo është 20 janari. Kjo nuk do të thotë se ne do të ngelemi në datën 20, pasi në vazhdimësi jemi duke u munduar që sa më herët ta kthejmë në funksion këtë njësi”, kishte deklaruar, drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Kujtojmë se pas më shumë se një dekade, Kosova u përball me reduktime të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor. Tani situata duket më stabile, por akoma apelohet për kursim të energjisë elektrike.
Ndërkohë, që nga KEDS ka paralajmërime për shtrenjtim të energjisë, kurse Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se do t’a mbulojë importin e energjisë shtesë që i nevojitet kosovarëve për konsum./Gazeta Enigma/