Paneli i Gjykatës së Apelit e ka caktuar 2 shkurtin datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se aktgjykimi do të shpallet të enjten e 2 shkurtit në ora 14:00.
Në maj të vitit të kaluar, trupi Gjykues në krye me Charles L. Smtih III kishte shpallur fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, duke i dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.
Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.
Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet periudha e kaluar deri tani në paraburgim ku po qëndrojnë prej shtatorit të vitit 2020.
Ky vendim është apeluar nga mbrojtja e Hysni Gucatit dhe ajo e Nasim Haradinajt, të cilët kanë kërkuar rrëzimin e akuzave apo shkurtimin e dënimit.
Para trupit të Apelit ishin deklaruar edhe vetë të akuzuarit, duke kërkuar lirim nga të gjitha akuzat si zbardhje të tërësishme për mënyrën se si kanë arritur dokumentet në zyrat e OVL-UÇK-së në Prishtinë.