Çka do të sjellë plani evropian në dialog dhe cila është beteja aktuale e Kurtit?

Çka do të sjellë plani evropian në dialog dhe cila është beteja aktuale e Kurtit?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherëshi prirësi i dialogut me Serbinë, u deklarua pro propozimit të Bashikimit Evropian, i njohur si plani “franko-gjerman”, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kurti madje këtë plan e konsideroi si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Këtë deklarim Kurti e bëri pas takimit që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Prishtinë – gati një vit pasi iu dorëzua ky propozim.

Vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së e mirërpriti edhe ambasadori amerikan.

Por, me të marrë vesh se ky plan ishte në sirtarin e Kurtit qysh nga shtatori i 2021-tës, përfaqësues të partive opozitare, por edhe nga shoqëria civile e konsideruan atë si jo transparent.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ajo se çfarë lë shije të keqe në tërë këtë proces është mungesa e komunikimit dhe konsensusit politik para deklarimit për pranimin e këtij plani.

Fetoshi për Gazetën Enigma tha se qëndrimi i Kosovës për planin ka qenë veçse i ditur prej disa javësh. Megjithatë, ai theksoi se pranimi i këtij plani nga Kurti do t’i kthejë palët në dialog, mirëpo sipas tij nuk do ta përmbyllë atë duke e arritur marrëveshjen.

“Qëndrimi i Kosovës për planin ka qenë i ditur prej disa javësh dhe nuk paraqet ndonjë befasi. Ajo që lë shije të keqe është mungesa e komunikimit dhe konsensusit politik para deklarimit për pranimin e këtij plani, sidomos kur kemi parasysh se i njëjti ende nuk është bërë publik. Pranimi i kryeministrit Kurti mund t’i rikthejë palët në dialog, por nuk mendoj se ta përmbyllë atë duke arritur marrëveshjen”, ka thënë Fetoshi për Enigmën.

Por, më e rëndësishmja sipas Fetoshit është cilësia e epilogut të procesit.

Cila është beteja aktuale e Kurtit?

Sipas Fetoshit, beteja e Kurtit është shmangia e presionit ndërkombëtar lidhur me asociacionin.

“Beteja aktuale e Kurtit është shmangia e presionit ndërkombëtar lidhur me asociacionin, prandaj rikthimi në tavolinë, nëse ndodhë, do t’i shërbente një përceptimi të tillë, por jo edhe imponimit të kushteve të tij”, ka thënë ai.

Anipse Fetoshit kjo i duket vështirë e arritshme, sipas tij e rëndësishme është që të vazhdojnë përpjekje dhe që presioni për asociacionin të kapitalizohet me garanci juridike dhe politike.

“Në rrethanat aktuale kjo më duket vështirë e arritshme, mirëpo është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet dhe që presioni për asociacionin të kapitalizohet me garanci juridike dhe politike të cilat e pamundësojnë keqpërdorimin e tij nga ana e Beogradit”, përfundoi Fetoshi.

Opozita akuzon Kurtin për jotransparencë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin franko-gjerman pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai.

“Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë”, shkroi ai në Facebook.

Tutje, ai pyeti se a është ky plan në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit.

E kësaj pyetje iu përgjigj të martën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një deklarim për media.

Ai tha se nuk e kupton gjithë pluhurin që po ngritet për këtë çështje, derisa theksoi se Kurti qysh para tre muajve e ka pranuar se ky propozim është i pranueshëm për Kosovën dhe është bazë e mirë. Kjo pasi sipas tij, aty nuk përmendet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, ai pranoi se në atë plan Kosova e merr një obligim për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

“E tëra që mund të aludohet për nënkuptim të Asociacionit në atë plan është marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog. Kosova e merr përsipër njëfarë obligimi për marrëveshjet e arritura deri tani në dialog”.

“Pra, në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca në Asociacion. Por, çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit”, deklaroi Konjufca.

Ai përmendi edhe dy rreziqe që sipas tij, i vijnë Kosovës me planin evropian.

LEXO EDHE: Plani evropian sipas Konjufcës i ka dy rreziqe për Kosovën

Ndërsa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare dhe me njohje reciproke.

“Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë: përfundimtare – e jo e ndërmjetme, sepse ndryshe mbetet problem i hapur për të ardhmen dhe kjo e rrit pasigurinë politike në gjithë rajonin; ligjërisht e obligueshme – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve; me garanci ndërkombëtare – ku BE dhe ShBA marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës; për normalizim të marrëdhënieve – ku adresohen të gjitha çështjet mes dy vendeve bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë; dhe për njohje reciproke”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu, Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje zëdhënësit të Bashkimi Evropian, Peter Stano në lidhje me atë se çfarë mund të përmbajë ky propozimin, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë, emisari Lajçak teksa u shpreh se i vjen mirë që “edhe Kosova pranoi në parim planin e BE-së”, paralajmëroi se do të vazhdojnë diskutimet në nivel të lartë.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të ShBA-ja. /Gazeta Enigma/.

Related Articles