Drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklarimeve të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se Serbia është angazhuar për ta njohur Kosovën.
Petkoviq tha se Bislimi po e keqinterpreton gatishmërinë e Beogradit për dialog me Prishtinën si gatishmëri të Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Beogradi është i përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik të të gjithë rajonit, por që kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe shpalljen e saj të njëanshme dhe të paligjshme. Dhe kurrë nuk do të pajtohet me anëtarësimin e saj në OKB,” u shpreh Petkoviq shkruan Kosovo-Online.
Sipas tij, numri dy i ekzekutivit po përpiqet të përdorë gënjeshtra për të nxitur ndryshimin e qëndrimit të vendeve që nuk e njohin Kosovën.
Ai foli edhe rreth Asociacionit.
Petar Petkoviq tha se preokupimi i vetëm Besnik Bislimit, duhet të jetë formimi i tij.
“Vetë fakti se, duke kërkuar ndryshim të qëndrimit të disa shteteve jonjohëse, Kurti dhe Bislimi po keqpërdorin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve për të destabilizuar më tej rajonin, por edhe për të treguar se sa keqdashës dhe të pasinqertë synimet janë”, tha Petkoviq.