Afera “Mimi” – Si ndikojnë në figurën e VV-së përgjimet Simiq – Kusari-Lila

Afera “Mimi” – Si ndikojnë në figurën e VV-së përgjimet Simiq – Kusari-Lila


Zhurmë e debat shkaktoi në opinion publikimi i përgjimeve, ku Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilës dëgjohet teksa flet me kryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në përgjime theksohet disa herë nga Simiq se Kusari është dëgjuar edhe me Milan Radojiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Brezovica” dhe i cili është në listë të zezë të ShBA-së.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta nga deputet të partive opozitare në vend, por ka pasur edhe bashkpartiakë që kanë përkrahur Kusari – Lilën pas publikimit të kësaj videoje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dal në mbrojtje Mimoza Kusari-Lilës

LEXO EDHE: Ministrja Haxhiu i del në mbrojtje Kusari – Lilës: Incizimet me Simiq u prenë e u montuan

Ndonëse i është kërkuar një gjë të tillë, Kusari ka theksuar “se as s’e ka ndërmet të jap dorëheqje”, por as nuk i është kërkuar një gjë e tillë nga kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.

Ndërkohë deri më tash, ky i fundit ka qëndruar i heshtur karshi këtyre zhvillimeve.

Por, si do të ndikojnë këto incizime në figurën e VV-së, dhe a duhet të jap dorëheqje Kusari – Lila, për Gazetën Enigma kanë folur përfaqësues nga opozita si dhe njohës të zhvillimeve politike në vend.

Opozita kërkon dorëheqjen e Kusari – Lilës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, vlerëson se Kusari – Lila duhet të jap dorëheqje morale.

“Si deputet përfaqësues i popullit kërkoj së pari, dorëheqjen e Mimoza Kusari Lila, për t’iu hapur rrugë hetimeve. Si dhe, kërkoj që prokuroria të veproj për çështjet e ngritura të qeverisjes, për të cilat qenkan koordinuar me eksponent të krimit në Veri, si çështja e rrymës atje, çështja e Trustit, dhe e lënies së kategorisë së luftës – Veteranëve, jashtë ligjit të pagës minimale”, tha ai.

Berisha tutje ka shtuar se organet e inteligjencës duhet ta sigurojnë procesin që të mos komprometohet në mënyrë korruptive.

“Organet e hetuesisë dhe inteligjencës duhet ta kenë siguruar procesin që të mos komprometohet në mënyrë korruptive, ta zëmë në rastin më të keq qeveria Kurti, ashtu siç e viktimizoi bashkëpunëtoren e Millanit, znj. Mimoza, e cila deklaroi në media se Kurti nuk ka ditur për bisedimet që kam bërë, e kam njoftuar pastaj” një diçka jo relevante për rrethanën dhe që s’mund ti amnistoi”, theksoi Berisha.

Tutje ai ka shtuar se “janë pikërisht këto organizata dhe persona si Millani, për të cilat Kryeministri Kurti po kërkon e kushtëzon, deri edhe me refuzim të bashkëpunimit ndërkombëtarë, që të arrestohen ose largohen nga territori i Kosovës, për të hyrë në procesin e deeskalimit të situatës në Veri”.

“Pra, problemi është se ka bashkëqeverisje me krimin dhe kriminelët e shpallur në ndjekje ndërkombëtare. E të cilëve qeveria Kurti ju ka krijuar një oazë shpëtimi në Veri”, ka përfunduar Berisha.

Kadrijaj: VV-ja erdhi në pushtet me mashtrime

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” deklaroi se përgjimet e publikuara në media dëshmojnë se akuzat që Kurti i ka bërë ndër vite për partitë e tjera, kanë qenë jo të drejta.

“Çka ka deklaruar Lëvizja Vetëvendosje dhe akuzave të vazhdueshme që ju kanë bërë partive të tjera politike për bashkëpunimin me Listën Serbe po del se këta i kanë bërë vet këto gjëra të cilat u vërtetuan me publikimin e fundit të video incizimit të Mimoza Kusari- Lila”, tha Kadrijaj.

Sipas saj LVV me mashtrime ka ardhur në pushtet dhe me mashtrime e ka mbajtur pushtetin deri më tani.

“Besoj që do të reflektohet sepse LVV ka ardhur me mashtrime në pushtet dhe me mashtrime e ka mbajtur pushtetin deri tani. Ne e kemi deklaruar prej fillimit që këta janë mashtrues dhe tani me këto video incizime u dëshmua se çka ka ndodhur në Kosovë, duke kundërshtuar çdo të arritur në vendin tonë, qytetarët i kanë besuar dhe në bazë të saj ka marrë edhe përqindje më të madhe të votave, mirëpo tash po shihet se kjo qeverisje ka dështuar”, tha Kadrijaj për “Enigmën”.

Deputetja e AAK-së tutje ka numëruar dështimet e Qeverisë Kurti. “Ka dështuar në sektorin e brendshëm, por ka dështuar edhe në sektorin e jashtëm dhe në menaxhimin e Veriut të Republikës. Aleatët ka kthyer në kundërshtar, Kosova ka pranuar sanksione nga SHBA dhe nga Evropa”.

“Përgjimet që demaskuan retorikën populiste të VV-së”

Kurse, profesori universitar, Arben Fetoshi, duke i komentuar përgjimet ku subjekt kryesor ishte komunikimi me serbet që bëri Shefja e Grupit parlamentar të LVV, Mimoza Kusari-Lila, thotë se ato demaskuan partinë në pushtet.

“Një përgjim që e bën komike aferën e famshme “Pronto” dhe na nxjerr lakuriq para dy opsioneve: – “tradhti e vogël” e Mimoza Kusarit ndaj votuesve të saj, në qoftë se skandali është vetëm angazhim personal me të dyshuarin për shumë krime, Milan Radojçiq; ose, – “tradhti e madhe” e pushtetit ndaj 430 mijë votuesve, në qoftë se Mimi është angazhuar si “shefe e shefit”, për koordinim me Listën Serbe”, ka deklaruar Fetoshi.

Ai shton se “Çka do që del në vazhdim të pjesëve (që kanë për qëllim maksimalizimin e audiencës), bisedat e publikuara, jo vetëm që e demaskojnë retorikën populiste të Lëvizjes Vetëvendosje, por ngjallin edhe dilema për orientimet e saj politike”, tha ai.

Sipas Fetoshit përgjimet dëshmuan qasje joreale që u proklamua në publik nga partinë në pushtet, në raport me Listën serbe, para ardhjes në pushtet.

“Ende pa kaluar “tigri prej letre” i numrit dy të qeverisë (Donika Gërvallës), afera e shefes së deputetëve të pushtetit konfirmon të kundërtën e narracionit të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Listës Serbe”, ka thënë Fetoshi.

Ndërkohë analisti politik, Mazllum Bajraliu në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se nuk duhet demonizuar dhe as ektremizuar me këtë çështje para se organet e ndjekjes ta vlerësojnë këtë situatë dhe të dalin me një vendim.

“Nëse ka elemente për inkriminim të sekuencave të asaj bisede duhet lënë organeve të ndjekjeve dhe institucioneve përkatëse ai.

Sipas tij kjo çështje duhet të lihet në duart e institucioneve të caktuar dhe jo para kohe të jepet gjykimi dhe verdikti.

“Nuk duhet që para kohe të jepet gjykimi dhe verdikti qoftë ai publik qoftë jo publik në çfarë do forme, por duhet të lihet që të vlerësohet nga ana e institucioneve të caktuara dhe të vërtetohet saktësisht se çka ka qenë, a ka qenë bisedë normale në kuadër të kornizave të saj që quhet komunikim i rregullt në mes subjekteve politike dhe Kuvendit në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit apo ka pasur më tepër se kaq brumë apo përmbajtje e cila mund të ketë elemente inkriminuese që të trajtohen pastaj nga ana e organeve të sigurisë, gjegjësisht të ndjekjes deri në procedim penal eventual”, ka përfunduar Bajraliu. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles