5 vdekje në vendin e punës për një javë – Institucionet “në gjumë”

5 vdekje në vendin e punës për një javë – Institucionet “në gjumë”

Muaji korrik ka qenë tragjik për Kosovën, pasi brenda vetëm një jave pesë punëtorë të sektorit privat kanë ndërruar jetë në vendin e tyre të punës. Pavarësisht këtyre rasteve, shteti nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të shtuar masat e sigurisë për punëtorët, të cilët, përveç pagave të ulëta, përballen edhe me mungesë elementare të kushteve të punës, shkruan Gazeta Enigma.

Më 21 korrik Kosova u trondit nga lajmi se në Gjakovë dy persona, teksa po punonin në një objekt, ranë nga lartësia dhe nuk arritën t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Po atë ditë ndërroi jetë edhe një tjetër punëtor, i cili kishte pësuar lëndime në vendin e punës më 24 qershor, në Gurrakoc të Istogut.

Ndërkohë, më 22 korrik, në Skënderaj, vdiq një 44-vjeçar, i angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë.

Tragjeditë vazhduan më 27 korrik, kur një 27-vjeçar ndërroi jetë pasi mbi të ra mjeti i punës (autovinçi), duke i shkaktuar lëndime fatale, raporton më tej Gazeta Enigma.

Sipas të dhënave nga Sektori i Punëtorëve të Sektorit Privat, vetëm në vitin 2025, 18 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.

“Fati i punëtorëve të sektorit privat – në dorën e pronarëve”

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se Qeveria në detyrë po i braktis punëtorët e këtij sektori.

“Qeveria, së pari, duhet të vetëdijesohet për vetveten dhe të fillojë të çmojë njeriun si njeri. Por me veprimet që bën ky ekzekutiv, shihet qartë se nuk ka asnjë ndjenjë – as si punëtorë, e as si njerëz. U mungon ndërgjegjja dhe iniciativa”, u shpreh Azemi.

Ai theksoi se nuk është marrë asnjë iniciativë dhe as nuk është dhënë një deklaratë e vetme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“E dimë që kemi një Ligj për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, një Inspektorat të Punës dhe një ministër të Financave dhe Punës – por faktikisht këta janë si të mos ekzistonin fare.”

“Fati i punëtorëve ka mbetur në duart e pronarëve, dhe po shihet se pronarët nuk kanë asnjë pikë ndjenje ndaj tyre. Janë të interesuar vetëm që t’u kryhet shërbimi, por se si përfundon jeta e punëtorëve – këtë nuk e kanë problem”, shtoi ai.

Kontest për numrin e viktimave – Azemi: Shteti po e minimizon numrin real

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, numri zyrtar i vdekjeve në vendin e punës për vitin 2025 është 7. Por këtë e konteston Azemi, duke thënë se shifra reale është 18.

“Pronarët e kompanive, Inspektorati dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk po funksionojnë fare. Rezultatet e tyre janë zero. Jo vetëm që nuk kanë marrë ndonjë iniciativë, por po përpiqen edhe të minimizojnë numrin e vdekjeve në vendin e punës”, theksoi ai.

Ai gjithashtu shton se për pesë vite me radhë i ka bërë thirrje Qeverisë që të bisedojnë për gjendjen e sektorit privat, por “ekzekutivi nuk e ka fare në dert këtë sektor.”

Ligj i dobët dhe mungesë dënimesh – Askush nuk mban përgjegjësi

Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, tha se në Kosovë nuk ka asnjë sanksion serioz për vdekjet në vendin e punës.

“S’kam dëgjuar ndonjëherë që dikush është dënuar me burg për vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Nuk kam dëgjuar që dikush të jetë dënuar 2-3 vjet burg për një rast të tillë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se shpesh punëtorët nuk janë të regjistruar dhe as nuk trajtohen si të tillë: “Nëse marrim edhe një punëtor krahu në rrugë, jemi përgjegjës për të, sepse jemi punëdhënësit e tij. Këto fatkeqësi nuk regjistrohen si vdekje në vendin e punës.”

Sipas tij, Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është i mangët, por edhe kur është i qartë, nuk zbatohet.

“Ka kompani që kanë mbi 100 punëtorë dhe nuk e dinë që ekziston një ligj për sigurinë në punë. Ligji thotë qartë se çdo kompani duhet të ketë një person adekuat për t’u marrë me çështjet e sigurisë. Ne, si ekspertë, nuk mund ta bëjmë këtë – kjo është detyrë e kontrollit shtetëror.”

Institucionet “flenë”, punëtorët vdesin

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka ngritur zërin për kushte më të sigurta pune, duke paralajmëruar për mungesën e kontrolleve efektive.

Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës deklaroi se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ka kryer 4,751 inspektime, ka shqiptuar 788 gjoba dhe ka regjistruar 268 aksidente.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kritikuar Qeverinë për mungesë veprimi dhe neglizhencë sistematike ndaj kushteve të rrezikshme të punës.

“KMDLNj do të përkrahë çdo protestë të punëtorëve që kërkojnë kushte më të sigurta, sepse e drejta për jetë është e drejtë themelore e njeriut”, thuhet në reagim. Ndërkohë, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se nga viti 2004 deri në vitin 2021 janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve në vendin e punës./GazetaEnigma/

Related Articles