Viti i bllokadës që po shkon drejt fundit

Viti i bllokadës që po shkon drejt fundit


Viti 2025 do të mbahet mend si viti kur Kosova përjetoi një nga krizat më të thella institucionale në historinë e saj të shkurtër si shtet i pavarur, me pasoja të dukshme për jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Pas një viti që u shënua nga katër raunde zgjedhjesh, një mungesë totale e qeverisë së re dhe institucioneve funksionale, vendi rrezikoi shumëçka, shkruan Gazeta “Enigma”.

Viti 2025 nisi me zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje (VV) fitoi më së shumti vota, por pa arritur shumicën e nevojshme prej 61 vendesh në Kuvendin prej 120 deputetësh. Pavarësisht rezultatit, LVV nuk arriti të formonte një koalicion dhe qeveri të qëndrueshme. Për rreth nëntë muaj pas zgjedhjeve, parlamenti nuk arriti të formojë qeverinë, duke kaluar nëpër disa raunde votimesh pa sukses për të zgjedhur kryeministrin dhe kabinetin e ri.

Fuqia politike në vend u duk e shpërndarë, me një opozitë që refuzonte bashkëpunimin, duke krijuar një ngërç institucional që s’është parë më herët në vend. Mungesa e institucioneve të reja u pasua nga katër palë zgjedhje brenda vitit, përfshirë zgjedhjet të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, rezultati i të cilave, më në fund po shfaq dritë në fund të tunelit, sa i përket krijimit të Qeverisë dhe Institucioneve.

Me fitoren e Vetëvendosjes me afro 50% të votave, partia e Albin Kurtit shpreson në krijimin e Qeverisë vetëm me partnerët e koalicionit parazgjedhor, gjë kjo e cila ishte e pamundur në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Çfarë humbi Kosova në mungesë të qeverisë funksionale?

Pa një qeveri funksionale dhe pa parlament që të miratojë ligje, Kosova nuk miratoi buxhetin e vitit 2026 në kohë, duke rrezikuar funksionimin e institucioneve publike dhe shërbimeve kyçe. Një gjendje e tillë çoi në një zbehje të fondeve për pagat, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe shpenzimet sociale që prekin jetën e qytetarëve.

Kriza politike ndikoi edhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Shuma të mëdha të fondeve të planifikuara nga Bashkimi Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare mbetën të ngrira, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve dhe mungesës së një ekzekutivi që të dialogojë dhe të angazhohet për të ardhmen ekonomike të vendit. Po ashtu, Dialogu Strategjik me ShBA-të u pezullua, gjë e cila u vlerësua si tejët negative për Kosovën.

Kështu, për një vit, në Kuvendin e Kosovës asnjë ligj nuk u miratua, ashtu siç edhe do të pritej nga një qeveri në detyrë dhe një Kuvend jofunksional.

Po ashtu, Kosova për një vit që mbajti 4 palë zgjedhje, humbi afro 18 milionë euro për të organizuar ato, pa llogaritur zgjedhjet e fundit, pasqyra financiare e së cilës do të publikohet më vonë.

Kush i pati “fajet” për ngërçin?

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për Gazetën “Enigma” tha se arsyeja kryesore që çoi vendin në ngërç politiko-institucional ishte mos arritja e një kompromisi politik.

“Ngërçi institucional gjatë vitit 2025 ishte pasojë e një kombinimi faktorësh politikë dhe sistemorë. Arsyeja kryesore që çoi në këtë situatë ishte mungesa e vullnetit politik për kompromis, e shoqëruar me polarizim të thellë mes partive parlamentare. Rezultati zgjedhor prodhoi një Kuvend të fragmentuar, pa shumicë të qartë qeverisëse, ndërsa dialogu politik u zëvendësua nga kalkulime partiake dhe interesa afatshkurtra elektorale”, tha ai.

Tutje, Duhanaj tha se përgjegjësinë më të madhe e mban partia e Albin Kurtit, teksa opozita nuk arriti të paraqesë një alternativë.

“Përgjegjësia politike për dështimin e formimit të qeverisë është e përbashkët, por peshën më të madhe e mbanë subjekti që për fat të keq tani mori prapë mandatin qytetar për të udhëhequr. Pra Partia Vetëvendosja me Kurtin në Krye, provuan se nuk kanë gatishmëri për bashkëpunim e kompromis me partitë thera, qoftë edhe duke dëmtuar interesin e vendit. Me ç’rast nuk arritën të ofrojnë zgjidhje konkrete apo të ndërtojnë konsensus minimal institucional. Opozita, nga ana tjetër, nuk arriti të paraqesë një alternativë edhe për faktin se LDK u pozicionua si e pavullnetshme për të qenë pjesë qoftë e njërës, apo e palës tjetër gjë që edhe u ndëshkua për ketë fakt”, shtoi ai.

Më tej, ai tha se kjo krizë zbuloi dobësi në sistemin politik dhe zgjedhor të vendit.

“Kjo krizë zbuloi dobësi serioze në sistemin politik dhe zgjedhor të Kosovës. Veçanërisht u pa qartë mungesa e mekanizmave që e detyrojnë klasën politike të arrijë marrëveshje funksionale, si dhe paqartësitë kushtetuese që lejojnë zvarritjen e proceseve kyçe shtetërore”, tha Duhanaj.

Ai tha se mungesa e një qeveria funksionale përgjatë vitit pati ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe jetën e qytetarëve.

“Mungesa e një qeverie funksionale pati ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ekonomi dhe jetën e qytetarëve. Vendimmarrja u paralizua, investimet publike edhe ashtu në mungesë u bllokuan fare, reformat u ndalën dhe pasiguria politike ndikoi në rënien e besimit të bizneseve dhe qytetarëve. Kjo situatë u reflektua në rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e perspektivës sociale”, shtoi tutje ai.

Ai tha se qasja destruktive e Qeverisë Kurti e futi vendin në izolim dhe sanksione.

“Në planin ndërkombëtar, kriza dëmtoi kredibilitetin e Kosovës. Qasja destruktive dhe e papërgjegjshme e Qeverisë Kurti, e çoi Kosovën në izolim e sanksione ndërkombëtare. Partnerët ndërkombëtarë e panë Kosovën si një shtet me institucione të brishta dhe të paafta për stabilitet afatgjatë, gjë që dobësoi pozicionin e saj në procese integruese dhe në dialogun me aleatët strategjikë”, tha ai.

“Realisht, Kosova humbi një vit të tërë zhvillimi. Humbi kohë të çmuar për reforma, përmirësim të jetës së qytetarëve, forcim të shtetit ligjor dhe avancim ndërkombëtar. Viti 2025 mbetet një shembull i qartë se sa i kushtueshëm është mungesa e përgjegjësisë politike për të ardhmen e vendit”, përfundoi Duhanaj.

Edhe ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, mendon se gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për vakuumin institucional që ndodhi gjatë vitit.

“Arsyeja që çoi në ngërçin institucional përgjatë vitit që po lëmë pas është për shkak se subjektet politike nuk kanë gjetë kompromis dhe vullneti politik i tyre ka qenë absurd, duke filluar prej Vetëvendosjes, si partia më e madhe, por edhe partitë tjera kanë përgjegjësi për këtë situatë”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Ai tha se mungesa e një qeverie legjitime ka bërë që vendi të hasë në pengesa.

“Kur nuk ke pushtet legjitim atëherë ka edhe pengesa. Ato pengesa janë ligjore, për shkak se Qeverisë i kufizohen kompetencat e përcaktuara me ligj, kështu nuk kemi mundur të nxjerrim ligje të reja, nuk kemi mundur të miratojmë disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë marrjen e disa mjeteve nga BE-ja e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Sipas tij, politika ndërkombëtare e vendit nuk ka pasur pasoja të mëdha, por që kemi krijuar një përformancë të përkohshme jo të mirë.

“Pasojat në politikën ndërkombëtare nuk janë aq të mëdha, megjithatë kemi krijuar njëfarë përformancë të përkohshme jo të mirë për shkak se jemi konsideruar si vend që nuk kemi aftësi të krijojmë institucione të dala nga zgjedhjet”.

Profesori i së drejtës u shpreh se Kosova duhet ta marr hapin në vitin 2026.

“Kosova patjetër duhet të marrë hapin pas këtij boshllëku gati 1-vjeçar. Deputetët duhet tash të konstituojnë Kuvendin, ta formojnë Qeverinë dhe të fillojnë që shteti të funksionoj në mënyrë normale. Ajo mund të sanohet dalëngadalë por efektet negative janë dhe ato mbesin”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles