Kalimi i udhëheqjes së dialogut Kosovë–Serbi nga zyra e kryeministrit te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Glauk Konjufca po shihet si një lëvizje me peshë politike në nisje të mandatit të ri qeverisës, shkruan Gazeta Enigma. Megjithatë, njohës të çështjeve politike dhe përfaqësues të opozitës vlerësojnë se ndryshimi i emrit në krye të procesit nuk garanton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes apo të rezultateve në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sørensen, ka njoftuar se MPJD do ta udhëheqë dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa në nivel të kryenegociatorëve nga Besnik Bislimi.
“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.
Pas këtij takimi, Konjufca ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

“Të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”
Sikurse Konjufca edhe kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke.
Përmes një postimi në X, Kurti ka njoftuar se të hënën ka takuar Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
“Dje prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Kurti.
Por a do të sjellë Konjufca një qasje të re në dialogun Kosovë–Serbi?
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se ndryshimi i personit që udhëheq procesin e dialogut nuk jep asnjë garanci se do të ketë ndryshime.

“Ndryshimi i personit që e udhëheq procesin e negociatave me Serbinë, nga Besnik Bislimi te Glauk Konjufca, nuk jep asnjë garanci se dialogu do të marrë trajtë tjetër nga ajo që kemi parë deri më tani. Emri i Konjufcës duket më shumë si zgjedhje politike brenda rrethit të besimit të Albin Kurtit, sesa si sinjal për ndryshim substancial të qasjes. Për sa kohë që vendimmarrja reale mbetet e përqendruar te Kurti dhe korniza e dialogut përcaktohet nga dinamika me BE-në dhe SHBA-në, ndryshimi i negociatorit nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim i strategjisë”, deklaroi Muhaxheri.
“Propozimi i Konjufcës për udhëheqjen e dialogut më shumë zgjedhje politike se sinjal për ndryshim”
Tutje, ai theksoi se ndryshimi i emrit në tavolinë mund të ketë efekt simbolik ose taktik, por jo domosdoshmërisht përmbajtësor.
“Pa një riformatim të qartë të objektivave, të transparencës dhe të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, procesi i dialogut me Serbinë rrezikon të vazhdojë në të njëjtën linjë. Ndryshimi i emrit në tavolinë mund të ketë efekt simbolik ose taktik, por jo domosdoshmërisht përmbajtësor”, tha ai.

Ndëkohë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, njëherësh zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, tha për Gazetën “Enigma” se deri më tani Kurti ka qenë përjashtues në mungesë të dialogut politik.
“Është një vendim politik që kryeministri Kurti, në këtë mandat, duhet ta rishqyrtojë. Deri më tani ka qenë përjashtues në mungesë të dialogut politik, por jo vetëm me partitë opozitare”.
“Kurti ka pasur qasje përjashtuese edhe me sindikatat, duke e mbytur dialogun socio-ekonomik, edhe me shoqërinë civile dhe grupet e tjera. Kështu që do të shohim nëse do të ketë qasje të reja apo ndryshim të politikave, pasi kjo nuk është çështje pritjeje, por çështje veprimesh politike”, deklaroi Haziri.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i këtij komisioni, Elmi Reçica, deklaroi për “Enigmën” se në këtë mandat është në dorën e LVV-së dhe të Kurtit që të krijojnë një qasje dhe mundësi tjetër për ta ndryshuar atë që ka ndodhur në mandatin e kaluar.
“Kjo është çështje e Qeverisë që është krijuar pasi ka marrë pjesën dërmuese të votave. Pra, kanë mjaftueshëm vota për të marrë vendime të tilla dhe është çështje e tyre se kë vendosin në krye të ekipit për bisedimet me Serbinë”, deklaroi Reçica.
“Njëkohësisht, është çështje e tyre edhe sa do të kenë komunikim, qasje dhe vullnet për ta ndryshuar atë që ka ndodhur në mandatin e kaluar. Pra, është çështje e LVV-së dhe e Kurtit”, tha ai.
Kujtojmë se takimi i fundit në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkoviq nga Serbia u zhvillua më 22 janar 2026.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.
Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë. /Gazeta Enigma
