Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat më 22 prill, ka pretenduar se Edi Rama, është fajtori i vetëm për ngjarjen e ndodhur në Elbasan.
“Ka vetëm një autor. Ai është Edvin Kristaq Rama, të tjerët janë instrumentet e tij”.
Presidenti pretendoi se nga ana e Partisë Socialiste, ka pasur shitblerje votash. Kjo, sipas tij, sepse socialistët janë të trembur nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Kompanitë e bandave fusin lekë për të blerë votat dhe vetëm për t’i marrë votat e LSI-së”.
Meta polemizoi edhe reagimin e djeshëm të kryeministrit, i cili mendon se “Meta është i papërmbajtshëm”.
“Kjo është fytyra e Edi Ramës, që mashtron shqiptarët duke hedhur baltë mbi figurën e presidentit”.
Për më tepër, ai u bën thirrrje ndërkombëtarëve që të veprojnë sa më shpejt mbi ngjarjen dhe të mbajnë qendrim më parimor. “Duhet të veprojnë në kohë. Nëse do të kishin reaguar mbi çështjet e ngritura nga unë më parë, nuk do të kishim ardhur në këtë pikë”.
Ambasada e SHBA-së dhe prezenca e Bashkimit Evropian në Tiranë, u prononcuan dje mbi çështjen, duke kërkuar “hetim dhe zbardhje të menjëhershme të ngjarjes”.
Çfarë ndodhi dje në Elbasan?
Elbasani është tronditur të mërkurën e 21 prillit nga një vrasje – vrasje e cila mori sfond tërësor politik, vetëm tri ditë përpara përfundimit të fushatës elektorale, që paraprin zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan. Katër të tjerë u plagosën në ngjarje, ndër të cilat një efektive e forcave “Shqiponja”.
Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.
Autori është vënë nën pranga pak pas ngjarjes, ku është shoqëruar në komisariat. Deklarata e tij ka qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.
Mbi 20 persona janë shoqëruar drejt komisariatit. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.
Puna për kapjen e të dyshuarve të tjerë të përfshirë në ngjarje, vazhdon nga forcat e policisë.
Ritvan Sukaj ndërkaq, prokurori i ngarkuar me çështjen, ka qenë i pranishëm herë pas here në vendngjarje, ku ka kryer këqyrjen dhe mbledhjen e provave.
Gjithsesi, se nga ka nisur sulmi, zyrtarisht ende nuk dihet.