Presidentja Vjosa Osmani ka vendosur që t’i mbledhë kryetarët e partive më të mëdha në vend, në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes së krizës në Kuvend, pas dështimit të 15-të të sotëm për konstituim, e me shumë gjasë edhe dështimit të 16-të të enjten, shkruan Gazeta Enigma.
Nga Zyra e Presidencës u tha se ftesat u bënë për konsultime rreth çështjes së konstituimit.
Partitë konfirmuan pjesëmarrjen
Menjëherë pas publikimit të ftesës, PDK, LDK dhe AAK konfirmuan pjesëmarrjen në takim, duke thënë se shpresojnë në konstriktivitet për kalimin e krizës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është konfirmuar ende zyrtarisht pjesëmarrja në takim, por deputetja Mimoza Kusari-Lila sot tha se kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, me shumë gjasë do jetë pjesë e takimit.
Kush nuk u ftua?
Faton Peci nga partia “Guxo”, tha se partia e tij nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për konsultime.
“Ne nuk kemi marrë ftesë, por do duhej të merrnim ftesë sepse jemi subjekt i certifikuar nga KQZ”, theksoi Peci.
Ai tha se për pjesëmarrjen ose jo në takim do vendosin në kryesi.
Kujtojmë se vet presidentja aktuale Vjosa Osmani e kishte themeluar partinë “Guxo” dhe ishte në krye të saj.
Çka presin deputetët nga ky takim?
Deputeti nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi, ka thënë se po shqyrtojnë ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ me liderët e partive politike, por tha se ftesa për takime mes kryetarëve veç se ka pasur nga ana e partisë së tij.
“Jemi duke shqyrtuar ftesën e presidentes, vlerësojmë vullnetin e këdo që mundohet për tejkalim të situatës. Nuk ka qenë problemi tek mungesa e takimeve, ne i kemi ftuar partitë e tjera në takim. Ta shohim, besojmë se shumë shpejtë do ta analizojmë përmbajtjen e asaj ftese”, tha Abrashi.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të marrin pjesë në takimin e thirrur, duke shtuar se do të shohin se çka do të iu propozojë Presidentja.
“Ta shohim në takim se çka na sygjeron presidentja Osmani dhe nëse kemi ndonjë sygjerim do ta japim”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se ka “një kokëfortësi” nga Lëvizja Vetëvendsje, sa i përket emërimit të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut.
Ai tha se shpreson që VV t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ me kryetarët e partive.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha se “kemi disa propozime të cilat do ti shpalosim aty”.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, ka kërkuar zgjidhje nga presidentja për bllokadën e krijuar.
“Ne kemi pranuar çdo diskutim në këtë situatë dhe në këtë bllokadë është i mirëseardhur. Do të shohim si do të shkojë rrjedha e bisedimeve dhe të shohim se çfarë po propozon presidentja, të shohim dhe qëndrimet e partive të tjera. Në fakt presidentja duhet të jap ndonjë alternativë, është presidente e vendit”, tha ajo para seancës së sotme.
“Nuk ka vullnet politik”
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, tha se angazhimi i presidentes Osmani për te zhbllokuar situatën është pozitiv, porse nuk do ketë efekt, pasi që mungon vullneti politik i të gjitha partive, për të bërë Qeverinë.
“Kjo për dy arsye – E para është Asociacioni i Kumanave me Shumicë Serbe, i cili duhet bërë menjëherë pas themelimit tëQeverisë dhe barra e dytë e kabinetit të ri është zgjedhja e Presidentit të ri, pas më pak se një viti”, tha Sadiku në një prononcim për Gazetën Enigma.
Deri kur kështu?
Sipas njohësve të çështjeve ligjore, përsëritja çdo 48 orë e tentativave për konstituim, mund të zgjasë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.
Zgjedhje e nënkryetarëve, e cila do të përmbyllte konstituimin e Kuvendit, do të jetë e pamundur, në rast se dështon zgjedhja e kryeparlamentarit, për shkak të mosnominimit të një emri nga partia fituese ose për çfarëdo arsye tjetër.
Rregullorja e Kuvendit thekson se në rast se seanca ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. /GAZETA ENIGMA