“Bashkimi i madh” i LDK-së kthehet në përçarje, Rama dhe Abdixhiku kacafyten rreth koalicionit me PDK-në në Prishtinë

“Bashkimi i madh” i LDK-së kthehet në përçarje, Rama dhe Abdixhiku kacafyten rreth koalicionit me PDK-në në Prishtinë

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike” – këto ishin fjalët e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, menjëherë pasi u shpërnda Kuvendi i Kosovës dhe u konfirmua se Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Megjithatë, fjalët “LDK” dhe “bashkim” duket se nuk po qëndrojnë rehat në një fjali të vetme.

Kjo pasi së fundmi u shpërfaq një përçarje e re brenda kësaj partie.

E gjitha nisi kur Përparim Rama e largoi nga pozita e Drejtorit për Investime Kapitale, Sokol Havollin, i cili njihet për afërsinë me Lumir Abdixhikun.

Rama nuk specifikoi arsyen e largimit të tij dhe zëvendësimit, por e falënderoi “për kontributin e tij” në Komunën e Prishtinës.

Pas këtij largimi u zyrtarizua edhe koalicioni LDK-PDK në Prishtinë.

Megjithatë, pasi një koalicion i tillë u konfirmua nga kreu i PDK-së, Uran Ismaili, LDK doli publikisht dhe mohoi se ekziston një koalicion i tillë.

Kjo parti tha se strukturat e saj partiake nuk kanë qenë pjesë e këtij koalicioni dhe se “çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar” të LDK-së.

“Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në: përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, u tha në komunikatën e kësaj partie.

Rama: Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake

Duke mos iu përmbajtur qëndrimit të LDK-së, Përparim Rama njoftoi se ka emëruar Besianë Musmuratin nga Partia Demokratike e Kosovës si nënkryetare të Prishtinës, duke e jetësuar koalicionin e arritur.

“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës, me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës. Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, shkroi Rama në njoftim.

“Përçarja, shenjë jo e mirë për LDK-në para zgjedhjeve nacionale”

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, për Gazetën Enigma thotë se një përçarje e tillë “nuk është një shenjë e mirë për LDK-në” para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“LDK edhe ashtu është e paunifikuar, në kuptimin e paqartësisë rreth bashkimit apo jo me ish-presidenten Vjosa Osmani. Se sa do ta dëmtojnë këto përçarje LDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme, mbetet të shihet. LDK në këto zgjedhje hyn goxha e paunifikuar, siç po shihet”, tha Drenori.

Tutje, Drenori tha se që nga fitorja e Ramës në zgjedhjet lokale, është ditur se LDK nuk i ka numrat e duhur në Kuvendin Komunal për të miratuar vendime.

“Një kryetar që nuk i ka numrat në Kuvendin Komunal është jashtëzakonisht i hendikepuar për të shtyrë çështjet përpara. Është ditur se Rama duhet të qeverisë me PDK-në, sepse nuk ka alternativë tjetër, pasi VV-ja nuk i shkon. Me gjasë, z. Rama nuk ka mundur ta shtyjë më tej çështjen e bashkëpunimit me PDK-në. Është e papërshtatshme në kohë, sepse ndikon negativisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme.”

“Por, me gjasë, ato që janë përfolur kohëve të fundit, se ka një plasaritje mes zotit Rama dhe zotit Abdixhiku, tani po shpërfaqen. Të shohim tani se çfarë lëvizje do të bëjë zonja Osmani në këtë drejtim. Sepse një pjesë e udhëheqësisë së LDK-së, të cilës me gjasë i prin zoti Abdixhiku, i ka shpresat te kthimi i saj në LDK. Përndryshe, është ditur se LDK do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe më keq e përgatitur sesa për zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar”, u shpreh në fund Drenori për “Enigmën”.

“Mbajnë leksione si duhet të qeveriset shteti”

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, tha se përderisa Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së gjatë gjithë kohës mbajnë leksione se si duhet të qeveriset shteti, “është mirë më parë ‘me e pastru bërllogun’ në oborr të vet”.

“Ja në çfarë derexhe ka rënë LDK. Përparim Rama bën koalicion me PDK-në në Prishtinë pa e pyetur fare partinë. Çfarë partie je kur kryetari yt nuk të pyet për vendime kaq të rëndësishme për kryeqytetin? Çfarë partie je kur nuk e ke në kontroll qeverisjen kaq të rëndësishme siç është Prishtina?”, tha Mushkolaj.

Politikat lokale nuk do të kenë ndikim në zgjedhjet e 7 qershorit”

Mendim tjetër ka analisti politik Valdet Hoxha.

Për Gazetën Enigma, Hoxha tha se përçarjet në politikat lokale nuk mund të kenë ndikim në zgjedhjet nacionale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë ka pasur dhe zhvilluar një demokraci të brendshme funksionale dhe shpeshherë kjo është perceptuar në publik si përçarje”, tha Hoxha.

“Besoj që, pavarësisht rëndësisë që ka kryeqyteti, në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të kenë ndikim politikat lokale, sepse fushata do të përqendrohet në politikat shtetërore, zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale të qytetarëve, raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe tema të tjera nacionale”, shtoi ai. / Gazeta Enigma.

Related Articles