Ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i ka kushtuar një artikull lidhur me këtë proces me titullin “Një partner i NATO-s” po gjykohet në Hagë.
Artikulli i gazetarit Michael Martens, i referohet ish-presidentit Hashim Thaçi, si një bashkëpunëtor i NATO-s, në luftën kundër Serbisë.
Ai sjell intervistat e Pierre-Richard Prosper dhe Gregory Kehoe, dy avokatët e Thaçit.
Avokati Pierre Richard Prosper, tha se prokuroria me mënyrën se si po e paraqet rastin po mundohet që ta rishkruajë historinë.
“Mënyra se si prokuroria po e paraqet rastin në mënyrë të pashmangshme ngre pyetje në lidhje me rolin e komunitetit ndërkombëtar”, tha avokati Prosper.
Autori përmend faktin se gjenerali Wesley Clark dhe ish-shefi i UNMIK-ut Bernard Kouchner, janë të gatshëm të dëshmojnë në proces, por ai vë në pah frikën e avoktit tjetër Kehoe, i cili i kishte thënë se shqetësohet për ritmin e ngadaltë të procesit.
Mertens po ashtu në artikull thekson se dëgjimi i 312 dëshmitarëve mund të zgjasë deri në vitin 2029-të.
Ai thekson se mbrotja e Thaçit pritet t’i ftojë si dëshmitarë Clarkun dhe Kouchnerin.
Avokati Prosper shtoi se UÇK-ja nuk kishte strukturë komanduese.
“Ishte qëndrimi i qeverisë amerikane në vitin 1999 se nuk kishte strukturë komanduese funksionale brenda UÇK-së. Ky ishte edhe qëndrimi i NATO-s. Këto qeveri sigurisht që të gjitha u mbështetën në agjencitë e tyre të inteligjencës (shërbimet e tyre sekrete) për të arritur këtë përfundim”, shtoi ai.
“Ata edhe mund të kenë besuar se ishin të organizuar, por realiteti është se të gjithë e dinin që nuk ishin të tillë. UÇK-ja nuk kishte një strukturë komanduese të centralizuar. Komandantët rajonalë ishin shumë të rëndësishëm, ata kontrollonin rajonet e tyre”, theksoi Prosper.
Gazetari gjerman theksoi se prokuroria mund të citoj dokumente që mund të përdoren kundër ish-eprorëve të UÇK-së, duke demonstruar ekzistencën e një zinxhiri të qartë komandues brenda UÇK-së.
Ai madje pyeti avokatin Prosper se “Cilat dokumente do të kenë më shumë peshë në perceptimin e gjyqtarëve? – pyeti ai.
“Por, le të supozojmë për një moment këto komunikata (të UÇK-së) janë autentike. Duhet të kihet parasysh se në atë kohë kishite njerëz që qëllimisht u paraqitën si më të mëdhenj se sa janë, sepse donin të krijonin mbështetje”, ka thënë Prosper.
“Unë nuk do t’i kushtoja rëndësi komunikatave (të UÇK-së). Ato komunikata ishin kudo dhe askush nuk e di saktësisht se nga erdhën, kush ishin autorët. Pra, ekziston një pyetje e vërtetë për sa i përket autenticitetit të disa prej këtyre komunikatave”, ka shtuar Prosper.
“Është diçka komike të pretendosh se ai kishte aftësinë për të dhënë urdhra për të luftuar komandantët e ngurtësuar rajonalë me flokët dhe mjekrën e tyre gri – në një shoqëri ku mosha ka shumë rëndësi”, thotë Prosper.
Madje avokati i Thaçit theksoi se klienti i tij në atë kohë kishte qenë student kolegji dhe vështirë që komandantët do të mund të pranonin urdhra nga ai.
“Thaçi në atë kohë ishte efektivisht një student kolegji që kishte jetuar jashtë vendit në Zvicër dhe ishte kthyer në Kosovë”, tha ai
Mbrojtja do të mbështetet në dokumentet e brendshme amerikane si ky i vitit 1999: Një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit drejtuar senatorit republikan Mitch McConnell, duke argumentuar kundër armatosjes së shqiptarëve në Kosovë, pasi nuk kishte “nuk kishte komandë dhe kontroll efektiv në UÇK”.
Avokati tjetër, Kehoe tha se do të jetë “absolutisht” një argument mbrojtës që UÇK-ja nuk kishte një strukturë rreptësisht hierarkike:
“Nuk kishte asnjë zinxhir komandues funksional. UÇK-ja ishte një grup individësh që punonin në nivelin bazë (si ne fshatra) për të hequr regjimin shtypes serb”.
Avokatët e ish-presidentit Thaçi ndihmohen nga një ekip prej rreth dhjetëra ekspertë të tjerë ligjorë, praktikantë, studiues, intervistues.
Pra, nëse Hashim Thaçi do të shpallej fajtor, kjo me siguri nuk do të ketë qenë sepse është investuar shumë pak në mbrojtje, thuhet në artikullin e Frankfurter Allgemeine Zeitung.