24 shtatori i vitit të kaluar tmerroi gjithë rajonin e Ballkanit e sidomos Republikën e Kosovës, pasi një sulm agresioni nga grupe të armatosura kriminale serbe u zhvillua në Banjskë, e si pasojë mbeti i vrarë pjestari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, shkruan Gazeta Enigma.
Dy javë pa u bërë një vit nga ky sulm, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të pandehurve të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë sulm.
Lajmin e bëri të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj i cili deklaroi se Prokuroria ka zhvilluar hetime disamujore dhe pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre sot është ngritur aktakuzë ndaj 45 të të pandehurve.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili pas sulmit në Banjskë ka pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.
Kryeprokurori shtoi se për shkak të ndjeshmërisë nuk janë ndarë detaje, ndërkaq për të ngriturt aktakuzë është dashur të pritej pranimi i ekzaminimeve që janë kryer jashtë vendit.
Kush janë të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq?
Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”, sipas raportimeve nga Betimi për Drejtësi.
Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.
Dosja tregon se edhe cili ka qenë qëllimi i tyre dhe i sulmit.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Vende të BE-së e SHBA-ja i siguruan Kosovës “dëshmi thelbësore” rreth financimit të grupit të serbëve që sulmuan në Banjskë
Prokurori i rastit, Naim Abazi tha se vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Prokurorinë për të siguruar dëshmi “të rëndësishme” dhe “thelbësore” për çështjen e financimit të këtij grupi.
“Në kuadër të hetimeve, kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vende të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e tjera të cilat kemi arritur t’i sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për t’i siguruar provat të cilat ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha ai.
Abazi tha se fondet u transferuan në disa rrugë dhe se për gjurmimin e tyre është punuar shumë.
“Kemi zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare, duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në prona të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar një analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushës”, tha ai.
Çfarë rezultate priten nga kjo aktakuzë, “vonesa” në ngritjen e aktakuzës a do të ndikojë në zbatimin e një dënimi të merituar ndaj të pandehurve?
Politologu Fidan Ukaj potencon se kjo aktakuzë është kryer me profesionalizëm dhe ka mjaft argumente dhe dëshmi për të marrë dënimin e merituar pjestarët e grupit kriminal serb që kanë kryer këtë akt terrorist në Banjskë.
“Organet ligj-zbatuese, Prokuroria e shtetit mendoj se në suazat ligjore e ka ngritur aktakuzën dhe sigurisht i është dashur një kohë e caktuar deri tek mbledhja e fakteve dhe argumenteve që me e pas një aktakuzë të plotë, në deklaratën e kryeprokurorit të shtetit u theksua se kanë pritur rezultate nga jashtë që kanë të bëjnë me sulmin në Banjskë, është në suaza ligjore e poashtu jam i bindur se profesionalizmi i prokurorëve të shtetit kanë ngritur një aktakuzë të besueshme dhe mjaftueshëm të argumentueshme, që grupi kriminal serb kane kryer nje akt terrorist në territorin e Kosovës e poashtu kjo aktakuzë që është ngritur tani do të jetë bazë e fuqishme që të marrin dënimin e merituar këta njerëz që kanë bërë përpjekje për me e aneksu një pjesë të territorit të Kosovës”, theksoi Ukaj për Enigmën.
“Vonesa” e ngritjes së aktakuzës është e arsyeshme për shkak se kjo çështje është delikate dhe i është dashur kohë për t’u përfunduar në mënyrë profesionale.
“Nuk mendoj se ka pasur vonesa në ngritjen e aktakuzës, përkundrazi mendoj se i është dashtë një kohë Prokurorisë dhe prokurorëve që janë marrë me këtë çështje për me e kompletu lëndën në mënyrë sa më profesionale që kur t’i plasohet opinionit publik aktakuza të jetë e besueshme e poashtu e plotë që pastaj të ndihmoj Gjykatën me argumente e fakte që dënimin e merituar ta marrin ata që kanë kryer këtë akt në veri të Kosovës”, përfundoi Ukaj.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësisë (IKD), Ehat Miftaraj pas ngritjes së aktakuzës në rastin “Banjska” si çështja më komplekse nga viti 1999, kritikon qeverinë Kurti 2, ku sipas tij nuk ka kryer asnjë reformë në sistem të drejtësisë.
“Prokuroria Speciale ende pa u ba një vit e ngriti aktakuzën per rastin me te nderlikuar dhe kompleks qe e ka pas ne pune pas vitit 1999, sistemi i drejtesise, si nga vendoret ashtu dhe nderkombetaret. Rast ku kane ofruar ndihme juridike nderkombetare disa shtete kendej e andej oqeanit atlantik.A qe pershembull qeveria Kurti 2, ne fund te mandatit kater vjeçar nuk ka mundur me kry asnje reforme ne sistem te drejtesise. Reforma ne sistem prokurorial ende ne tentative. Drejtesia civile ne sirtare. Strategjia kunder korrupsion e harruar”, është shprehur Miftaraj.
“Kosova të bëjë goditje drastike ndaj terroristëve”
Analisti politik, Spartak Ngjela ka folur në lidhje me rastin Banjska, për të cilin ai tha se është një akt terrorist ndërkombëtar.
Ngjela u shpreh se pushteti gjyqësor i Kosovës duhet të tregohet në lartësinë e duhur dhe sipas tij, goditjet duhet të jenë drastike.
“Banjska është një akt terrorist ndërkombëtar, pushteti gjyqësor i Kosovës duhet të tregohet në lartësinë e duhur, goditjet duhet të jenë drastike, duhet të ruani me fanatizëm pavarësinë tuaj”.
“Një grup terrorist të një shteti terrorist. Kosova ka fituar pavarësinë dhe ju duhet të jeni të fuqishëm në mbrojtjen tuaj sepse keni edhe mbrojtje ndërkombëtare”, u shpreh tutje ai.
“Më mirë vonë se kurrë, s’po jap kritika pse u vonua kaq shumë”
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se është lajm i mirë ngritja e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë, duke e komentuar më frazën “më mirë vonë se kurrë”.
Ai tha se supozon që Prokurorisë iu desh gjithë kjo kohë për shkak të numrit të madh të kriminelëve që kryen aktin terrorist në shtator të vitit të kaluar në Banjskë.
“Sa i përket aktakuzës lidhur me sulmin terrorist prapa të cilit qëndron Serbia, i cili u bë në Banjskë, ky po që është lajm i mirë, që nuk dua të jap kritika të tjera më pastaj pse u vonua kaq shumë. Fraza më e mirë që i shkon këtij lajmi është: më mirë vonë se kurrë. Po supozoj që Prokurorisë i është nevojitur gjithë kjo kohë për të kompletuar dosjen e aktakuzës sa i përket gjithë atij numri të madh të kriminelëve që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këtë sulm”, u shpreh Konjufca.
Hetimet për këtë rast janë cilësuar si më komplekset që ka kryer ndonjëherë kjo prokurori, mirëpo prokurori i rastit është shprehur i sigurt në punën që ka bërë për aktakuzë.
Prokurori i rastit Naim Abazi zbuloi se në hetimet për Banjskën janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtarë për zbatimin e ligjit.
“Ky rast përfshinë ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal i përbërë prej 45 personave, të cilët dyshohen për kryerjen penale që lidhen me veprat kundër rendit kushtetues juridik dhe terrorizmin. Hetimet për këtë rast kanë qenë ndër hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensive ku janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit”, deklaroi Abazi.
Abazi tha se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera, dhe qindra dokumente që përmbajnë prova kritika për këtë rast.
Theksoi se ndër personat që i është ngritur aktakuzë është edhe Millan Radojiçiq.
“Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme në këtë grup. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Millan Radojiçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi.
Ndërkohë që përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit ishte arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
Prokuroria Speciale është përballur tash e sa muaj me kritika për vonesën në ngritjen e aktakuzës.
Kryeministri Albin Kurti ka drejtuar vazhdimisht kritika për trajtimin e këtij rasti.
“Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e vrau, rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të në të cilën hymë sot!”, kishte deklaruar Kurti.
Deklarata të ngjashme Kurti kishte dhënë edhe më herët, ku kishte nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial.
KPK i kishte kërkuar Kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.
“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhej ndër të tjera në reagim.
Kritika ndaj Prokurorisë për vonesën e aktakuzës u drejtuan edhe sot nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Kjo vonesë do ta dëmtoj Kosovën”
Lidhur me këtë janë deklaruar nga “Lëvizja Vetëvendosje”.
Deputeti i kësaj partie, njëherësh anëtar i Komisionit për Mbrojte dhe Siguri, Arbër Rexhaj e ka cilësuar si të vonshme aktakuzën për Banjskën.
“Aktakuza e ngritur sot është shumë e vonshme fatkeqësisht dhe kjo do ta dëmtoj Kosovën. Mirë që është ngritur por është shumë e vonshme”, deklaroi Rexhaj.
Deputeti i VV-së ka thënë se kjo aktakuzë është dashur të ngritët direkt pas sulmin në Banjskë pas shumë dëshmive të policisë.
“Aktakuza do duhej të ngritët menjëherë pas 5000 mijë dëshmive që janë prezantuar në konferencë për media pas sulmit në Banjskë nga Sveçla e drejtori i Policisë, këto dy institucione kanë ofruar dëshmi në 500 mijë fakte por nuk janë marr parasysh”, u shpreh Rexhaj.