Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Të  premtën u publikua lista e shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë për Samitin e Demokracive e cila do të mbahet në dhjetor të këtij viti, shkruan Gazeta Enigma.

Mirëpo, në listën e 100 shteteve, Kosova nuk ishte e ftuar në  Samitin e Demokracive.

Lidhur me këtë reagoi edhe Ambasada e SHBA-ve në  Kosovë , e cila u shpreh që  “Jo të  gjithë  partnerët duhet të  përfshihen në këtë iniciativë ”.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin”, thuhej në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Ndërsa, këshilltari i kryemistrit Kurti, Jeton Zulfaj, u deklarua se nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga SHBA-të, pasi sipas tij, demokracia në Kosovë ka rënë gjatë qeverisjes Hoti.

“Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”,kishte shtuar ai.

LEXO EDHE: Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë, krejt çka u tha në lidhje me këtë iniciativë

Ndërkohë, më 9 dhe 10 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet për herë të parë Samiti për Demokraci i cili është  planifikuar të mbahet në platformë online.

Lista e shteteve të  ftuara (me të gjelbërt) në  Samitin e Demokracisë  nga SHBA

Po në të njejtën ditë i dërguar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ishte pjesë e Samitit të Selanikut, ku kishte theksuar se është e rëndësishme që BE të heqë dhe vizat për qytetarët e Kosovës.

 “Për mua pyetja nuk është nëse duhet, por kur dhe si hap të parë do të rekomandojë të nisin bisedimet pa shtyrje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, kishte thënë Lajçak.

I dërguar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak në Samitin e Selanikut

Ndërsa, ditën e enjte temë diskutimi ishte takimi midis zëvendës kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimirov, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama të  cilët u pritën në ‘konakun’ e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në tentative e radhës për të krijuar një “Mini-shengen” në Ballkan, pas takimit, në mesin e shumë premtimeve për thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke proklamuar mirëqenien e qytetarëve, u përmend edhe Kosova e cila e injoroi këtë takim, siç ka bërë që nga fillimi i nismës.

“Sinqeriteti i të gjitha deklaratave të liderëve apo politikanëve testohet në provën e realitetit. Pra, sot presidenti i Serbisë, më hapur se asnjëherë tjetër, e tha se mirëpret Kosovën, njëjtë si dy vendet tjera në këtë nismë. Do të thotë që kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në këtë nismë”, kishte thënë Rama.

Rama kishte deklaruar se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë

Edi Rama me liderët serbë, Aleksander Vuçiq e Ana Bërnabiq dhe kryeministrin malazez e zv.kryeministrin maqedonas darkë në Beograd

Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se Serbia do t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën nëpërmjet dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Por Vuçiq kishte theksuar se iniciativa Ballkani i Hapur është tjetër gjë dhe kushdo që dëshiron të bashkohet është i mirëpritur, duke mos përjashtuar as Kosovën.

“Ne u kemi hapur dyert si Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, por nuk më shkon në mendje që t’i arsyetohem dikujt, qoftë BE-së apo dikujt nga rajoni. A e dini sa punë kemi përpara ne tri shtetet, por a e dini sa benefite do t’i kemi kur të implementojmë këtë marrëveshje”, tha Vuçiq në konferencë në Beograd. “Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë disa herë e ka bërë të qartë se nuk do të marr pjesë në nismën për “Ballkanin e hapur”.

E një gjë të tillë Kurti e konfirmoi edhe në takimin e fundit që pati me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, kishte thënë Kurti.

Hetimi në 29 vendvotime pas ankesave të asamblistëve dhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit për kuvend komunal.

Pas, përfundimit të zgjedhjeve me 17 tetor, shumica e kandidatëve për asamble komunale ishin ankuar se u janë vjedhur votat nga bashkëpartiakët e tyre brenda partisë.

PZAP vetëm gjatë ditës së enjte kishte pranuar 352 apele nga asamblist të partive të ndryshme.

Prej tyre 10 rezultojnë ankesa, të cilat kanë dërguar në hetim 29 vendvotime.

Kështu kishte konfirmuar Kryesuesi i Sekretariatit në PZAP, Mul Desku, i cili kishte deklaruar se këto ankesa kanë të bëjë me anëtaret e kuvendit komunal që janë ankuar se ju mungojnë votat.

LEXO EDHE: Ja cilët janë kandidatët të cilët nuk e votuan as veten

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së premtës zgjati afatin e regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta.

“Shtyhet deri më deri më 9 nëntor afati për regjistrimin e nevojave me nevoja të veçanta. Me tetë vota për miratohet ky propozim”, deklaroi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Foto nga mbledhja e KQZ

Po ashtu në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në raundin e dytë të zgjedhjeve të mos jenë të angazhuar komisionerët të cilët nuk kanë treguar përgjegjshmëri në zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) në KQZ, Arianit Elshani, kishte kërkuar që komisionerët dhe kryesuesit të cilët ditën e zgjedhjeve nuk kanë qenë të vëmendshëm apo pjesë e skemave të organizuara, mos të jenë të angazhuar në raundin e dytë.

E me këtë ishte pajtuar edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Sami Kurteshi, i cili theksoi se kjo kërkesë është bërë me parë nga vet KQZ-ja.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit për kuvend komunal.

E në bazë të këtyre të dhënave, LDK është radhitur partia më e votuar për asamble komunale.

Kurse LVV renditet e dyta me votë popullore ndërsa PDK  e treta duke lënë në vendin e katërt AAK-në.

Kujtojmë që në raundin e dytë që do të mbahet më 14 nëntor, nuk do të ketë votime për asamble komunale, derisa për kryetarë të komunave do të votohet në 21 komuna./Gazeta Enigma/

Related Articles