Ish-ministri i Financave: Ngërçi politik dhe sanksionet e BE-së e lan Kosovën pa 882 milionë euro të KE-së

Ish-ministri i Financave: Ngërçi politik dhe sanksionet e BE-së e lan Kosovën pa 882 milionë euro të KE-së

Kosova humbi 882 milionë euro nga Komisioni Evropian nga pagesat e reja për Ballkanin Perëndimor, si pasojë e mos miratimit në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se paketa e dytë u humb për shkak të sanksioneve që ju kanë bërë Kosovës nga BE.

“Humbja e këtyre 882 milionë nuk është vetëm për shkak të ngërçit politik, pasi kjo gjendje është në 7-8 muajt e fundit. Por një pjesë mund të jenë për shkak se Komisioni Evropian nuk ka me këndë me bë marrëveshje pasi nuk e konsideron këtë Qeveri të plotfuqishme ashtu edhe siç është, sepse ata duhet me bë  marrëveshje me një Qeveri të plotfuqishme me kompetenca të plota” tha Shatri për “Enigmën”.

Sipas tij “këto 882 milion janë të humbura edhe nga problemet e mëhershme që janë krijuar nga sanksionet e mëhershme që ju kanë bërë Kosovës, BE-ja”.

“Pra pjesa më e vogël mundet me qenë për shkak të ngërçit politik, por një pjesë është për shkak të sanksioneve që janë shkaktuar nga mënyra se si është qeverisur përderisa Qeveria ka qenë në fuqi të plotë dhe normalisht tani mbas zgjedhjeve të shkurtit për shkak se s’kemi nuk kemi subjekte politike që janë të gatshme me tejkalu ngërçin institucional”.

Sipas tij viti aktual mund të konsiderohet si një vit i humbur për Kosovën në zhvillimin ekonomik.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar për këtë dështim të Kosovës.

“Komisioni Evropian ka miratuar pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga Paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke i shpërblyer këto vende me transaksionet e dyta të mbështetjes financiare. Ndërkohë, Kosova mbeti jashtë listës së përfituesve, megjithëse kishte qenë ndër vendet e para që kishte përmbushur kushtet teknike dhe kishte miratuar agjendën e reformave”, deklaroi Miftaraj.

Tutje ai ka theksuar se “mos funksionimi i institucioneve shtetërore dhe mungesa e Kuvendit për të ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian kanë bërë që Kosova të mos jetë në gjendje të përfitojë nga kjo paketë, ndonëse fondet janë të gatshme dhe mund të aktivizohen sapo të zgjidhet ngërçi politik”. /Gazeta Enigma/

Related Articles