“Ka pak përbërje serbe”, Haradinaj i kthehet opozitarizmit ndaj Kurtit

“Ka pak përbërje serbe”, Haradinaj i kthehet opozitarizmit ndaj Kurtit

Raporti i Kurtit dhe Haradinajt ka pasur shumë kombinime. Njëherë aleatë në opozitë, pastaj njëri kryeministër, më vonë tjetri. Dhe, kur dukej se Haradinaj po ia zgjaste një dorë Kurtit përballë Serbisë duke e përkrahur për propozimin, ai vazhdoi deklaratat kundër Kryeministrit, për të treguar se, megjithatë, nuk është krah tij. Për Haradinajn, Kurti, si person, “ka pak përbërje serbe”, raporton Gazeta Enigma.



“Po shihet se kimia e Kurtit është edhe pak serbe”. “Kimia, pra përbërja e tij si person është pak serbe”. Ky ishte komenti i Ramush Haradinajt lidhur me përkujtimin që Kryeministri Albin Kurti, para pak ditësh, ia bëri Zoran Gjingjiqit, lider serb i vrarë në 2003-n.

Ramush Haradinaj, si Kryeministër, e ka pasur kundërshtarin më të madh Albin Kurtin. Kryeministri i tanishëm, ia ka bërë Haradinajt opozitën në çdo gjë, veçanërisht për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, të cilin njëherë Kurti e Haradinaj, e kishin kundërshtuar bashkë. Tani, ata i kanë ndërruar rolet.

Haradinaj kishte shfaqur simptomat e para të një opozitari që do ta sfidonte Kurtin, kur ky u zgjodh për herë të parë Kryeministër. Kurti ia dorëzoi detyrën ish – Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pasi Haradinaj nuk kishte pranuar t’ia kalonte vetë mandatin Kurtit.

Por, përgjatë qeverisjeve, Haradinaj nuk i është hakmarrë Kurtit për t’i dalë kundër, siç thotë ai, në secilën “temë”. Ish-kryeministri, së fundi, është i vetmi opozitar që e ka përkrahur Kryeministrin Kurti në vendimin e tij për ta pranuar propozimin evropian.

Ai ka thënë se nuk po e jep miratimin e tij për ta ndihmuar Kurtin, porse këtë po e bënte “për Kosovën”.

Megjithatë, qëndrimet e Haradinajt përgjithësisht, gjuha e tij karshi Kryeministrit Kurti, nuk ka qenë aq “përkrahëse”, si pozicioni që e ka marrë ndaj negociatave të Kryeministrit me Serbinë.

E fundit ishte kjo që Haradinaj tha se “substanca” e Kurtit si person është “pak serbe, i botës serbe”.

“Pse e ndin obligim Kryeministri i Kosovës me e laboru një ish-Kryeminisër serb, pse? Vetëm e ka një kimi me ta, e ka një lidhje me atë botë dhe i ndikon”, ka thënë Haradinaj, kur analizoi përkujtimin e Gjingjiqit nga Kurti.

Për më shumë se dy vjet, Haradinaj i është referuar Kurtit sistematikisht si “mashtrues”. Ka pasur polemika me Kryeministrin në Kuvend dhe ato i ka shoqëruar edhe me shkrime në rrjetet sociale.

Ndër përplasjet më të ashpra mes Kurtit dhe Haradinajt, si opozitar, janë lidhur kryesisht me serbët dhe me Serbinë.

Kurti disa herë ia ka përmendur Haradinajt se sa ishte Kryeministër, e ka pritur në zyrë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojciqin, që kërkohet nga institucionet e drejtësisë nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

“Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Radoiçiq, atëherë ka qenë i rrezikuar, nuk e rrezikon veriun policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave, dhe kjo ka ndodh në korrik të vitit 2018”, i kishte thënë Kurti Haradinajt, kur ky ka folur për gjendjen e rrezikshme në Veri, pas disa aksioneve të kryera atje, që nxitën reagime të popullsisë lokale.

Haradinaj i ishte kundërpërgjigjur Kryeministrit, duke i thënë se ka frikë se ai qëllimshëm ia dorëzon Serbisë veriun e Kosovës. 

“Unë frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me e dorëzu veriun. Unë besoj që është skenar i yti me i marrë dy veprime, me e lënë pastaj zbrazët që me u forcu kriminelët dhe i ke bërë qëllimshëm”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërkaq akuzat për mashtrim, Haradinaj i kishte nisur paralelisht me nisjen e qeverisjes së Kurtit.

Kur Kurti kishte vendosur ta shfuqizojë vendimin e Haradinajt për rritje të pagave, ish-Kryeministri kishte shkruar për të se “Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv”.

Sipas Haradinajt, të vetmen gjë që mund ta realizonte Kurti si kryeministër, ishte “kthimi i Serbisë në Kosovë”. “Kurti është mjaft i devotshëm me kthy Serbinë në Kosovë”, kishte thënë Haradinaj në vitin 2020.

“Mashtrimit” që Haradinaj besonte se e bën Kurti, i ka dhënë edhe trajta të tjera. Kryetari i AAK-së ishte i bindur se Kryeministri i tanishëm e ka fituar pushtetin me mashtrim dhe se ai është “mjeshtër i manipulimit medial”.

Related Articles