“Lajçak po e luan rolin e prokurorit, njëanshmëria e tij ndaj Serbisë në dialog rrezikon Ballkanin Perëndimor”

“Lajçak po e luan rolin e prokurorit, njëanshmëria e tij ndaj Serbisë në dialog rrezikon Ballkanin Perëndimor”

Tensionet e fundit në veri si duket e kanë bllokuar rrjedhën e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, teksa reagimet e paralajmërimet e shumta për masa e sanksione nga ndërkombëtarët nuk kanë munguar e që në fokus dhe si ‘problem’ në këtë çështje ata e shohin Republikën e Kosovës, duke kërkuar vazhdimisht de-përshkallëzim të situatës në veri, njofton Gazeta “Enigma”.

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime veç e veç me kryeminstrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit në veri.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk ka zgjidhje për shtensionim dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë sepse nuk po zbatohet marrëveshja bazike e arritur në Bruksel më 27 shkurt.

Kurti ka fajësuar Serbinë për mosrespektim të marrëveshjes, ndërsa ka përsëritur se Kosova ishte e gatshme edhe ta nënshkruante dakordimin në Bruksel.

“Sa i përket normalizimit, kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes. Dhe mos të harrojmë se kemi marrëveshje. Shumëçka që trumbetohet në mediat vendore, në Serbi dhe ato ndërkombëtare e kanë krijuar përshtypjen sikur nuk ka marrëveshje. Nuk ka zgjidhje sepse nuk po zbatohet marrëveshja. Kam kërkuar nga Lajçaku dje që marrëdhëniet normale me Serbinë do të mund të bëhen duke mos i braktisur vlerat evropiane. Kam kërkuar që gjithçka që është në marrëveshjen bazike të jetë edhe në sekuencën e zbatimit”, ka deklaruar kryeministri i vendit.

Ndërkohë, për takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Kurti theksoi se i ka shprehur gatishmërinë atij për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri.

“Janë e vetmja mënyrë si të bëhet ndërrimi i pushtetit [për zgjedhjet e parakohshme]. Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhen me dhunë, duke plagosur ushtarët e KFOR-it, gazetarët apo policët. Neni i 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e qartëson se si duhet vepruar. Insittucionet do t’i respektojnë të gjitha procedurat”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se si ai, si Lajçaku, kanë dalë me përshtypje pozitive nga takimi i djeshëm.

Ndër të tjera, emisari evropian Miroslav Lajçak i ka propozuar tre pika rreth deeskalimit të situatës në veri.

Kurti potencoi se ai është shprehur që ato tre pika kanë të bëjnë me deeskalimin e situatës, që në parim ka miratimin e propozimit të mbajtjes së zgjedhjeve të parakoshme në veri.

”Normalizimi nënkupton zbatimin e marrëveshjeve që kemi bërë. Më 26 prill ka pasur një propozim për sekuencimin e 12 hapave, kjo në kuadër të normalizimit”

”Ndërkaq këto 3 pika kanë të bëjnë me 3 pika prë deeskalimin. Të mbahen zgjedhjet e parakohshme, policia të mos veprojë në afërsi të këtyre objekteve, mirëpo këto 3 pika unë praktikisht u kam thënë sepse për zgjedhje të parakohshme jemi dakord. Sepse me zgjedhje largohet krytari, me zgjedhje ka ardhur dhe me to largohet kryetari”, tha kryeministri Kurti.

”Unë nuk mendoj se kemi mënyra të tjera për këtë”, vazhdoi Kurti.

”Mund të themi se legjitimiteti është i vakët sepse pati pak pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar komune në Leposaviq. Ka faj Beogradi. Në vend që të marrin pjesë në zgjedhje i bojkotuan ato. Dhe kemi Lulzim Hetemin kryetar, smund tash ai të paguajë kosto për zgjedhjen e tij kryetar”, përfundoi i pari i vendit.

Kurse, emisari Lajçak në takimin me presidentin serb, ka bërë të ditur se temë diskutimi kanë qenë zgjedhjet e reja në veri të cilat duhet të mbahen me pjesëmarrjen e serbëve, dhe kthimi në dialog.

“Vazhdova vizitën time për t’u takuar me Vuçiq. Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të hapur për rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin në dialog. Takimi dhe udhëtimi ndihmuan për të qartësuar hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak.

A po anojnë ndërkombëtarët në dialogun Kosovë – Serbi?

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, theksoi se diplomati i BE-së po anon më shumë ka shteti serb dhe se qëndrimi i tij i njëanshëm në dialog e rrezikon stabilitetin e Ballkanit.

“Sa i përket qëndrimit tim personal në lidhje me raportin e diplomatit të BE-së, Miroslav Lajçak ndaj dialogut Kosovë-Serbi, kam qenë pesimist për faktin se ai nuk po udhëhiqte një diplomaci të paanshme siç kërkohet në këtë profesion, por anonte më shumë kah Serbia dhe favorizimi i saj. Ai, fillimisht, vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe ka qenë ministër i jashtëm i Sllovakisë duke i dhënë porosi tërë trupit diplomatik sllovak që të thoshte kudo se nuk e njohim Kosovën, si dhe ka miqësi të konsoliduar në Serbi. Qëndrimi i tij i njëanshëm në këtë dialog, ka rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Shabani për Enigmën.

Sipas tij Lajçak po e luan rolin e ‘prokuriorit dhe të avokatit’, sepse kërkesat e Serbisë i duken të arsyeshme e shqetësimet e Kosovës nuk i fut në rend dite.

“Ai në vend se të lobojë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, po luan rolin e prokurorit për të parin dhe atë të avokatit për të dytin, pasiqë sipas tij, kërkesat e Serbisë janë të arsyeshme, ndërsa shqetësimet e Kosovës nuk i fut në rend të ditës. Mos të harrojmë se ndër vite është Kosova ajo që ka nënshkruar çdo marrëveshje paqeje dhe normalizimi duke filluar nga Rambuje e deri tek e fundit e asaj të Ohirt. Por, është Serbia ajo që ka refuzuar çdo nënshkrim marrëveshjeje, madje me cinizëm, por presioni i ndërkombëtarëve, gjegjësisht i Lajçakut, po ushtrohet mbi Kosovën. Me këto konkludime, puna e një lehtësuesi diplomatik nuk rezulton të jetë produktive për palët njëkohësisht, pasiqë ai po mban palën e agresorit, ndërsa po anashkalon palën e paqësorit. Kosova është ajo që kërkon marrëveshje në tavolinë, por Serbia insiston konflikt në fushbetejë dhe këtë gjendje në vend se të arbitrojë Lajçak, ai po ia mban krahun Serbisë, e që mendoj se ka ardhur koha t’i thuhet “mjaft” misionit të tij të ashtuquajtur “diplomatik””, përfundoi Shabani./GAZETAENIGMA/

Related Articles