Me një sy nga Kuvendi, e tjetrin nga zgjedhjet lokale – Parashihet garë e fortë midis partive në komunat e mëdha

Me një sy nga Kuvendi, e tjetrin nga zgjedhjet lokale – Parashihet garë e fortë midis partive në komunat e mëdha

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit po afrohen, dhe bashkë me to po ashpërsohet edhe gara midis partive politike. Tashmë, jozyrtarisht, fushata ka nisur për pothuajse të gjitha partitë, ndërsa garë e fortë pritet të zhvillohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e edhe në komuna të tjera të mëdha, shkruan Gazeta Enigma.

Edhe pse vëmendja e subjekteve politike është e ndarë ndërmjet ngërçit institucional dhe zgjedhjeve lokale, përfaqësues të partive kanë deklaruar për Gazetën Enigma se janë të gatshëm për garën në nivel lokal.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se PDK është e përgatitur të ofrojë alternativa serioze dhe zgjidhje konkrete për të gjithë qytetarët.

“Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhjet lokale, pavarësisht situatës aktuale me bllokadën në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi strukturat tona të konsoliduara, përvojën qeverisëse dhe një vizion të qartë për komunat e vendit. PDK është e përgatitur të ofrojë alternativa serioze dhe zgjidhje konkrete për qytetarët, duke dëshmuar edhe një herë se është forcë politike e përgjegjshme dhe e palëkundur përballë sfidave politike dhe institucionale,” deklaroi ajo për Enigmën.

“LDK, gjithë fokusin kah zgjedhjet lokale”

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se partia e tij e ka fokusin kryesor në zgjedhjet lokale.

“Kemi fokus të plotë tek zgjedhjet lokale, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për ne. Pavarësisht zhvillimeve në nivel qendror, fokusi ynë është edhe tek zgjedhjet lokale,” deklaroi ai për Gazetën “Enigma”.

“Sigurisht që ndikon në përqendrimin tonë fakti që institucionet qendrore nuk funksionojnë siç duhet, por ne kemi një strukturë të mjaftueshme që secili të kryejë punën e vet. Janë hapur shtabet politike dhe jemi të përgatitur me të gjithë kandidatët për asamble dhe për kryetarë komunash,” shtoi Zogaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se përkundër zhvillimeve në nivel kombëtar, është e angazhuar edhe për zgjedhjet lokale.

“Punën më të madhe po e bëjnë kandidatët për kryetarë komunash dhe për asamble, ndërsa ne të tjerët, në kohën e lirë që mund të kemi, angazhohemi gjithashtu për zgjedhjet lokale,” u shpreh Kadrijaj.

Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Garë e fortë në komunat e mëdha

Në garë për Prishtinën janë Përparim Rama nga LDK, Uran Ismajli nga PDK, Hajrulla Çeku nga LVV, Bekë Berisha nga AAK dhe Besa Shahini PSD. Ndërsa në Gjilan gara zhvillohet nga Alban Hyseni i LVV, Riad Rashiti nga PDK, Arbër Ismajli nga LDK, Nazim Gagica AAK, dhe Ilir Poroshtica nga GUXO.

Taulant Kelmendi nga LVV, Arta Nallbani e PDK-së , Gazmen Muhaxheri nga LDK, dhe Ali Berisha i AAK garojnë për Pejën. Ndërsa në Gjakovë Ardian Gjini i AAK-së në zgjedhjet e 12 tetorit përballet me Ardian Gola nga LVV, Ervin Shabani nga PDK, Shefqet Shehu i LDK-së, dhe Anton Shala i PSHDK-së.

Agim Aliu i PDK-së, kësaj here përballet me Visar Azemin nga LDK, Enver Halitin nga LVV, dhe Xhemile Muratin nga AAK për Ferizajn. Në Prizren gara zhvillohet nga Shaqir Totaj i PDK, Artan Abrashi nga LVV, Driton Selamanaj i LDK, Besnik Krasniqi nga AAK, dhe Albulena Balaj-Halimaj NISMA.

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka komentuar për Gazetën ‘Enigma” lidhur me listat e kandidatëve për kryetar komune dhe për asamble.

“Janë qindra njerëz që tashmë janë përfshirë në lista. Vetë fakti që ata janë përzgjedhur nga subjektet politike është tregues se janë përzgjedhur më të mirët, sipas vlerësimit të partive, me qëllim që të fitojnë sa më shumë vende në asamble dhe të sigurojnë shumicën në pushtetin lokal,” tha Baraliu.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi, parashikon një garë të fortë në disa komuna.

“Në kryeqytet, të gjithë kandidatët për kryetar komune dhe për asamblistë do të zhvillojnë një garë të fortë dhe interesante, por në fund është populli ai që vendos për fituesin,” u shpreh Halimi për “Enigmën”.

Sipas tij, fushata tashmë ka nisur jozyrtarisht

“Fushata ka filluar, edhe pse janë afate të caktuara sipas planit operacional të KQZ-së. Deri më tani, çdo gjë ka shkuar sipas planit. KQZ i ka njoftuar partitë politike për të gjitha procedurat,” tha ai. “Gara midis partive politike për zgjedhjet komunale veçse ka nisur, dhe secila po përpiqet që përmes kuadrove të saj të dalë sa më fituese në asamble,” përfundoi Halimi. /Gazeta Enigma/


Related Articles