Premtimet astronomike të opozitës përballë vendimeve elektorale të Qeverisë – Kush po prinë?

Premtimet astronomike të opozitës përballë vendimeve elektorale të Qeverisë  – Kush po prinë?

9 shkurti po afron, ditë kjo kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Partitë opozitare – PDK, LDK e AAK – ka muaj që kanë filluar me premtime të njëpasnjëshme, në synim që ta kthejnë pushtetin. Ndërkohë, partia në pushtet, LVV, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ende nuk i janë “përvjelur” fushatës siç duhet, por kanë filluar me vendime të ndryshme, si rritje të rrogave për sektorin publik, rritje të pagës minimale e rritje të pensionve, gjë që po shihet si formë e tyre për ta rifituar pushtetin sërish, shkruan Gazeta Enigma.

Përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje është më e zbehtë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, dhe mbetet për t’u parë se sa përqind të votave do i arrijë kjo parti në këto zgjedhje, ani se shumica shprehen skeptik se Kurti do e kalojë prapë 50 përqindëshin. Ai vetë ditë me parë tha se do e arrijë sërish një gjë të tillë.

Çka po premtojnë liderët opozitarë?

Që nga shtatori, PDK, LDK e AAK, i kanë bërë të qarta synimet e tyre, në përpjekje për bindje të elektoratit të pavendosur.

“Kosova mundet ma mirë! Ma mirë për të gjithë!”

Kjo është logoja e Partisë Demokratike, me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza.

Hamza ka thënë se synimi i tij si kryeministër i ardhshëm është zhvillimi i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe i sektorëve që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.


Ai e ka dhënë premtimin më të madh deri më tani për rritjen e pagave në sektorin publik.

“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50% për  shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrëfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30%. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro. Ndërsa, pensionet kontributdhënëse do të rriten me 30%, duke u bazuar në përvojën e punës”, ka thënë Hamza.

Po ashtu ai ka premtuar edhe më pak taksa për bizneset, e më shumë të ardhura për punëtorët.

“Bizneset, më pak taksa! Punëtorët, më shumë të ardhura! Unë jam i përkushtuar që ta lehtësojmë të bërit biznes në Kosovë. Lehtësirat për bizneset do të ndikojnë në rritjen e përfitimeve për punëtorët e sektorit privat”, tha Hamza gjatë fushatës.

Kryetari i tanishëm i Mitrovicës së Jugut ka premtuar se do t’i rrisin pagat në sektorin publik dhe do të krijojmë lehtësira e kushte që ato të rriten edhe në sektorin privat.

“Ne mund ta ndërtojmë një Kosovë më të mirë, të barabartë, të sigurt, të drejtë dhe me perspektivë për secilin qytetar”.

“Unë i kam hyrë garës për kryeministër që të merrem me problemet reale të qytetarëve. Dramat politike nuk i shërbejnë vendit dhe nuk ua sjellin asnjë dobi qytetarëve!”, është shprehur Hamza, në një lloj kritike për kryeminsitrin e tanishëm Albin Kurti.

“Rruga e Re”

Me sloganin “Rruga e Re” e me kandidat për deputetë që janë goxha shumë vite në skenën politike, Lumir Abdixhiku po synon që ta realizojë “ëndrrën rugoviane”, nëse populli ia jep një mundësi të tillë.

Abdixhiku është zotuar se në javë e parë të qeverisjes së tij, koeficienti i pagave do të rritet në 150 euro.

Ai po ashtu ka premtuar mbështetje të fuqishme dhe konkrete për bujqësinë dhe fermerët – me rritje të buxhetit për bujqësi dhe zhvillim rural, lehtësim të procedurave për qasje në grante bujqësore, dhe sigurime bujqësore që i mbrojnë fermerët.

Pakon Fiskale 2.0, lehtësirat tatimore e projektet e mëdha shtetërore, janë disa çështje tjera të cilat Abdixhiku nuk la pa përmendur.

I pari i LDK-së po ashtu ka thënë se fëmijët do të vijojnë mësim tërëditor, me atë në krye të Qeverisë.

“Me mua si Kryeministër, do të kemi:

– 5% rritje ekonomike

– 5 miliardë euro investime

– 5 miliardë euro buxhet në fund të mandatit

– Koeficient 150

– Pako Fiskale 2.0

– 0% TVSH për produkte bazike

– 170 milionë euro për Aviokompani Kombëtare

– Privatizimi i 51% akcioneve të Telekomit

– 80 milionë euro për qendrën moderne në Brezovicë

– 50 milionë euro për Qendrën e Skijimit në Pejë

– Themelimi i Ministrisë së ICT-së

– 120 milionë euro TECH FUND

– 30 milionë euro për Parkun Teknologjik

– Trajnimi i 40 mijë të rinjve në ICT

– 15 milionë euro për themelimin e Qendrës Kombëtare të Intelegjencës Artificiale”, pati thënë Abdixhiku gjatë fushatës që ende po vazhdon.

“Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me SHBA-të – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, do të jetë misioni ynë nesër!”.

“Vende pune e paga të dinjitetshme është përgjigja ime dhe ekipit tim të Lidhjes Demokratike!”

Diçka tjetër që po e dallon fushatën e LDK-së, është edhe vizitat e shumta të Abidxhikut nëpër oda të ndryshme në Rrafshin e Dukagjinit.

“DIREKT NË NATO”

Ramush Haradinaj bashkë me AAK-në si gjithmonë vëmendjen e kanë tek mbrojtja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Një premtim kryesor dhe shumë i guximshëm i Haradinajt, është zotimi i tij se Kosova do të anëtarësohet në NATO shumë shpejt pas emërimit të tij si kryeministër.

“Mbështetja për Aleancën dhe partnerët në koalicion është tregues i qartë i besimit që qytetarët kanë për Programin dhe synimin tonë për anëtarësimin direkt në NATO përmes Planit Aksional. Ky është hapi strategjik që do të përmirësonte sistemet arsimore dhe shëndetësore, si dhe do të hapte perspektivë për zhvillim ekonomik”, thuhet në një ndër premtimet e Haradinajt.

Ai nuk e ka lënë me keq për premtime edhe për sferat e tjera në shoqëri.

“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, vlera e koeficientit do të jetë 155 euro. Që në vitin e parë nuk do të ketë pagë minimale nën 500 euro dhe pagë mesatare nën 1000 euro. Pagat në vitet vijuese do të rriten 12-13% për çdo vit, dhe në fund të mandatit qeverisës më 2028, paga mesatare do të jetë rreth 1500 euro. Rritja e pensioneve të të gjitha kategorive në vitin 2025 do të jetë 50% në krahasim me shumat e paguara në vitin 2024, dhe pastaj do të ndjek kuoten e rritjes sipas modelit të rritjes së pagave”, ka premtuar Haradinaj.

Por a janë të realizueshme premtimet e opozitës?

Opinionisti Dritëro Arifi thotë se një pjesë e atyre premtimeve janë të realizueshme, “por jo në masën që janë thënë”.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Arifi tha se gjithçka varet nga shumë faktorë dhe shumë elemente se si do të organizohet dhe argumentohet i tërë programi.

“Kur ta shohim programin përfundimtar, se si është kalkuluar me buxhetin, atëherë mundemi ta dimë se sa janë të realizueshme këto premtime”, u shpreh Arifi.

Arifi po ashtu thotë se premtimet e opozitës mund të ndikojnë në lëvizjen e elektoratit të pavendosur.

“Normalisht që kanë me pas efekt, sidomos tek elektorati i pavendosur, sepse për katër vite, pikërisht ai elektorat që ka qenë i pavendosur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe ka votuar për Vetëvendosjen, jam i bindur që janë zhgënjyer me punën, metodologjinë, qasjen se si ka udhëheq kjo Qeveri, dhe kjo automatikisht na dërgon tek përgjigja më e thjeshtë, që i bie se një pjesë e madhe e këtyre votuesve mund të kalojnë tek opozita, pikërisht për shkak të dëshpërimit me punën që është bërë deri tash”.

Osmani ‘ia then krahët’ Kurtit

Arifi thotë se diçka tjetër që mund të ndikojë në rezultatin për Lëvizjen Vetëvendosje, është mungesa e presidentes Vjosa Osmani në krah të kryeministrit Albin Kurti.

“Duke parë që Vetëvendosje nuk ka arritur që t’i realizojë premtimet kryesore, pra aty ka dështuar, dhe duke llogaritur që nuk është më ai koalicioni i madh me Vjosa Osmanin – pra ky është hendikepi i dytë, dhe hendikepi i tretë është po ashtu ikja e disa deputetëve nga kjo parti, dhe një pikë tjetër interesante janë votuesit e rinj, ata që do të votojnë për herë të parë. Mbetet të shihet se nga cila parti do të anojnë ata”, u shpreh opinionisti.

LVV koalicion me AAK-në / PDK me LDK-në?

Analisti tjetër politik, Shkodran Ramadani, thotë se në bazë të parashikimeve se si do të renditen partitë, mund të shohim një koalicion të LVV-së me AAK-në, ose një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së.

“Në bazë të dispnomimit aktual, as PDK-ja e as LDK-ja nuk duket që janë gjeneroze sa i përket ofertave të LVV-së. Nuk besoj së do të ketë koalicion të PDK-së  dhe LDK-së me Vetëvendosjen. Në rast se vjen në këtë skenar të 35 përqind  për Vetëvendosjen, dhe PDK dhe LDK marrin rreth 20 apo 25 përqind, atëherë shumë lehtë mund të ndodhë që të kemi një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së. Por në rast se LVV ka 35 edhe më shumë, atëherë gjasat janë që koalicioni më i mundshëm është Vetëvendosje – AAK. Haradinaj ka kohë që kërkon të bëhet president, dhe mbetet të shihet nëse Kurti do të pajtohet me një gjë të tillë”, tha Ramadani për “Enigmën”.

Se Kurti nuk do arrijë që ta përsërisë “referendumin”, e thotë edhe Ramadani.

“Ajo çfarë dihet me siguri të plotë është se pushteti aktual jo vetëm që nuk do t’i merr 51 përqind të votave, por nëse vazhdon me këtë trend të rënies së lirë në të cilën janë aktualisht, nuk befasohem në rast se Vetëvendosja përfundon me rreth 33-34 përqind të votave. Kjo nuk do ta ndryshonte domosdo renditjen e partive, por në krahasim me vitin 2021 do të ishte prap një tërmet eloktorarl, edhe kjo normalisht nuk mund të bëhet pa kontributin  dhe angazhimin e partive opozitare, të cilat tash e një kohe janë duke u munduar që të krijojnë nga një platformë, nga një program për t’i bindur votuesit që t’i votojnë ata. Gjatë këtyre katër viteve është dëshmuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është alternativë për problemet e Kosovës”, u shpreh Ramadani.

“Kosova me Lëvizjen Vetëvendosje ka shënuar regres në pothuajse çdo sektor; në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në diplomaci e kështu me radhë”, shtoi ai.

“Pushteti po bën përpjekje maksimale për ta sanuar këtë rënie. Në këtë moment, Vetëvendosje është pothuajse e gjunjëzuar në luftën e saj me publikun, asnjëherë nuk ka qenë në këtë pozitë të vështirë. Se sa do i mbijetojë kësaj stuhie mbetet të shihet”.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt, ndërsa rezultatet prelimininare pritet që të dihen në orët e vona të po asaj date. /GAZETA ENIGMA

Related Articles