Qeveria e Kosovës, të mërkurën mbajti mbledhjen e radhës, ku dhe miratoj disa projektligje, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kryeministri Kurti mbledhjen e filloj duke theksuar rendësin e mbështetjes që qytetarët ia dhanë kësaj parti në zgjedhjet e fundit në vend.
Ai ka thënë se qytetarët ishin dëshpëruar me ata që i udhëhoqën në të kaluarën.
“Kjo mbështetje ka qenë historike, është dëshmi e dëshpërimit më udhëheqjet e kaluara”
Sipas tij, në zgjedhjet e fundit nacionale, qytetarët i dhanë mbështetje Vetëvendosjes së udhëhequr nga ai.
“Secili vit i ka sfidat e tij ky vit sikurse edhe ai i kaluari u mbizotërua nga pandemia dhe pasojat e saj. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë dëshpërimi ndaj atyre që kanë udhëhequr”, tha Kurti në fjalën hyrëse të mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën.
Theksojmë se VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave.
Pas këtyre deklaratave, Kurti së bashku me kabinetin qeveritar miratuan disa projektligje.
Projektligji për Qeverinë
Për miratimin e këtij Projektligji, Kurti ka thënë se “deri tash ne kishim qeveri, por asnjëherë ligj për veten.
” Pra kishim qeveri që sponsorizon projektligje, por asnjëherë s’e kishte një të tillë”, ka deklaruar kryeministri.
Gjithashtu është miratuar edhe projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
“Rëndësia e këtij projektligji është evidente. Projektligji pasohet nga opinionin e komisionit të Venecias”, ka theksuar tutje Kurti.
Ai ka deklaruar se marrë parasysh që projektligji qe një kohë të gjatë nuk është miratuar në Kuvend është mbajtur një tryezë për këtë çështje e është arritur paraprakisht konsensusi politik.
Sipas tij, në projektligj janë përfshirë komentet e bëra.
Miratim nga kabineti qeveritar ka marrë edhe projektkodi civil.
Projektligji për byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë
Mbledhja vazhdoi me miratimin e Projektligjit për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.
Në lidhje me këtë Projektligj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
“Është me interes shoqëror për të gjithë, që sistemit juridik t’i shtohet edhe byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme”.
Tutje, Haxhiu ka theksuar se nëse byroja vëren se një zyrtar ka pasuri qe s’mund ta justifikojë atëherë i kërkon gjykatës konfiskimin e saj.
Sipas saj, Byroja do të jetë institucion i pavarur dhe do i japë llogari Kuvendit.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka deklaruar se qeveria e tij ka objektiv luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Propozim-vendimi për shpronësimin e disa pronave për nevoja të KEK-ut
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Nga Qeveria e Kosovës është vlerësuar se është i nevojshëm shpronësimi i pronave për nevojat e KEK-ut
Bëhet fjalë për zonën kadastrale Hade-Shipitullë.
Kurti shfuqizon vendimin për mandatin e drejtorit të Shërbimit Gjeologjik
Qeveria Kurti ka shfuqizuar vendimin që Qeveria Haradinaj në fillim të vitit 2020 kishte marrë për t’ia vazhduar mandatin për tre vjet Fidaim Sahitit në postin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është konstatuar se vazhdimi i mandatit ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Shërbim Civil.
Vendimi nga Qeveria Haradinaj ishte marrë në janar të 2020-s.
Qeveria emëron sekretarët e rinj në dy ministri
Ministria e Punëve të Brendshme nuk do të jetë më pa sekretar të përgjithshëm.
Në këtë pozitë të mërkurën u emërua nga Qeveria, Fahrie Tërnava-Sheremeti.
E krahas kësaj edhe Blerim Hasani ka marrë votat e kabinetit qeveritar për t`u zgjedh sekretar në dikasterin tjetër, atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Të dy këta zyrtarë u tha se i kanë plotësuar të gjitha kriteret për pozitat e lartcekura.
Qeveria ua paguan orët shtesë zjarrfikësve, ndan gjysmë milioni €
Qeveria e Kosovës ka ndarë 513 mijë euro për të paguar punën në orët shtesë që kanë bërë më 2021 766 zjarrfikës.
Paratë i ndau Ministria e Financave. Pro votuan i gjithë kabineti qeveritar.
Qeveria nis ndryshimet në fushën e shpronësimeve
Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për fushën e shpronësimeve, me të cilin ka thënë se synon të paraqesë problemet ekzistuese dhe propozimet për zgjidhje për të ardhmen.
Në arsyetimin e Qeverisë është thënë se nga departamenti i shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit është konstatuar se ka nevojë për rishikim të kornizës ligjore aktuale.
Sipas ministrit Liburn Aliu, koncept dokumenti do të mundësonte miratimin e një ligji të ri.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancen e mbajtur këtë të mërkure, sërish ka dështuar të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për mos ratifikimin e Memorandumt të mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për programin e shkëmbimit akademik Fulbright.
Për të njëjtën u përmbajtën nga votimi PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe, ndërsa pro votoi LVV-ja dhe AAK-ja.
Pasi dështoi marrëveshja e parë ndërkombëtare, kryetari i Kuvendit vendosi të mos i hedh në votim fare edhe katër marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. Kuvendi po vazhdon punimet, ku po mbahet procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. /Gazeta “Enigma”/