Projektligji për Trustin votohet sot në Kuvend, s’dihet epilogu

Projektligji për Trustin votohet sot në Kuvend, s’dihet epilogu


Iniciativa për tërheqjen e kursimeve të Trustit deri në 30%, sërish sot do të ‘aterojë’ në Kuvendin e Kosovës, për ta marrë miratimin nga të zgjedhurit e popullit, shkruan Gazeta “Enigma”.


Pas një peticioni, të mbështetur nga mbi 20 mijë qytetarë që kërkuan tu lejohet tërheqja e këtyre mjeteve, kjo pikë sërish do kthehen në Kuvend, pas dështimit në miratim herën e parë.

Por, tërheqja e këtyre mjeteve nuk mund të ndodh pa i dhënë ‘dritën e gjelbër’ partia e mazhorancës, Lëvizja Vetëvendosje.

Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, në një përgjigje për Gazeta “Enigma” gjatë javës theksoi se qëndrimi i partisë së saj mbetet stoik, sa i përket kësaj çështjeje.

“Qëndrimi i grupit të VV-së janë të qarta ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen nga trusti, sepse konsiderojmë që në aspektin ekonomik do të këtë efekt negativ dhe afatgjatë në ekonomi”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse ndonjë nga deputetët mund të votoj pro tërheqjes së kontributeve personale, Kusari – Lila e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pas të deklaruar votë për deri në këtë fazë. Pavarësisht një pjesë të vullnetit të qytetarëve, qëndrimi jonë mbetet i njëjtë”, potencoi ajo.

Haxhiu: Deputetët e VV-së të dëshmojnë a janë qytetarët të popullit apo shefit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, është shprehur optimist se tërheqja e 30 % të kursimeve pensionale nga Trusti do të jetësohet të enjten.

“Kriza është e madhe, rritja e çmimeve është jashtëzakonisht e madhe dhe vlera e kredive në vitin 2022 dhe sigurisht është e domosdoshme që t’i tërheqin disa nga kursimet e tyre dhe pastaj të punojmë pa dallime politike për reformën pensionale. Janë disa deputet që janë deklaruar se do ta votojnë trustin edhe nga LVV, dhe mund të ketë kësaj radhe një votim ndryshe. Tash është kërkesë e drejtpërdrejt e qytetarëve dhe prandaj besoj që s’ka asnjë pengesë që të mos votohet kjo”, theksoi ai për Enigmën.

Ai theksoi se deputetët e partisë në pushtet janë përballë një sfide që do të dëshmojë nëse ata janë ‘deputet të popullit apo të shefit’.

“Iniciativa për Trustin tani është rikthyer në Kuvend me kërkesën e qytetarëve. Tani qytetarët kërkojnë nga të zgjedhurit e tyre që ta mbështesin iniciativën e tyre dhe mendoj që të gjithë deputetët do të jenë para një sfide të rëndësishme në Kuvend. Të dëshmojnë se a janë deputet të zgjedhur të popullit, a e përfaqësojnë popullin apo përfaqësojnë interesa të ngushta politike. Duhet të zgjedhin a janë deputet të popullit apo të shefit, kjo do të jetë sfida”, shtoi ai.

Në anën tjetër tërheqja e Trustit po përkrahet edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Gazetari i fushës së Ekonomisë, Lavdim Hamidi ka dhënë mesazhe për deputetët të cilët herën e parë s’e votuan këtë nisëm.

“Ju deputetë të VV-së që i keni tërheqë 10% të mjeteve Trustit vitin 2020 me të vërtetë jeni dyftyrësha nëse të enjten nuk votoni që qytetarët t’i tërheqin një pjesë të kursimeve pensionale. Edhe ju deputetë të opozitës që nuk shkuat në seancë kur u votua herën e parë Trusti, nëse nuk merrni pjesë sërish të enjten në votim, konfirmoheni si mashtrues kronik”, ka thënë Hamidi.

Të enjten, më 19 janar, në Kuvendin e Kosovës do të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për Trustin. Seanca pritet të nisë nga ora 10:00  /Gazeta Enigma.

Related Articles