Qeveria “Kurti” përballë sukeseseve dhe dështimeve të veta gjatë një viti 

Qeveria “Kurti” përballë sukeseseve dhe dështimeve të veta gjatë një viti 

 
 Qeveria “Kurti II” po bëhet partia e parë në historinë e Kosovës që e qon mandatin e dhënë nga populli deri në fund, ndonëse përballë shumë sfidave që i dolën në rrugë. Në vitin që po lëmë pas, Qeveria u përballë me masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian, disa sulme të njëpasnjëshme nga grupe kriminale serbe, me 8 ligje të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, e me një “betejë” të hapur me Prokurorinë e mediat e vendit, shkruan Gazeta Enigma.
 
Në fillim të vitit 2024, Qeveria dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi, e nisën vitin me hapa të mbarë, fillimisht me lëvizje të lirë në zonën Schengen. Lëvizja e lirë pa viza u pa si një sukses nga Qeveria “Kurti”, ndonëse përpjekjet për të lëvizur lirshëm në shtetet evropiane kishin filluar qysh prej shpalljes së Pavarësisë. 

Qeveria dhe veriu 

Edhe pse ende pa e marrë mandatin udhëheqës, Kurti thoshte se dialogu nuk do jenë prioritet për të dhe se në vend të kësaj prioritet do të kishte mirëqenien e të gjithë qytetarëve, një gjë e tillë nuk doli të jetë bash ashtu. 

Kurti bashkë me ministrin Xhelal Sveçla u fokusuan shumë në veri, sidomos në dy vjetët e fundit të mandatit.  

Përmes Policisë së Kosovës u zhvilluan shumë aksione atje, ndërkohë që pati marrëveshje për çështje të ndryshme, si targat, dinarin, faturat elektrike, patentë-shoferët e objektet paralele. 

Nga dikush e gjithë kjo u pa si një përpjekje për ta “çliruar” veriun e nga dikush tjetër si një fushatë për një mandat të dytë në Qeveri. 

Gazeta Enigma ka renditur disa nga ngjarjet që karakterizuan raportet mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë 2024. 

Lirshëm edhe nëpër Serbi, me targat RKS 

Në fillim të vitit 2024, qytetarët e Kosovës po ashtu filluan të lëvizin lirshëm nëpër Serbi, me targa RKS (Republika e Kosovës).  

Një gjë e tillë ishte sukses i Qeverisë së Kosovës, pasi më 2023 kishte detyruar shoferët nga Serbia që të vejnë ngjitësa kur të hyjnë në Kosovë, si masë reciproke për moslejimin e targave RKS në Serbi.  

E gjithë kjo situatë çoi në angazhim intensiv të Bashkimit Evropian, për të arritur një marrëveshje. Krejt në fund, presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk pati zgjidhje tjetër pos të pranojë veturat me targa RKS që të lëvizin lirshëm në Serbi, shkruan tutje Gazeta Enigma.

Shkurti filloi pa dinarë në Kosovë 

Nga 1 shkurti i vitit 2024, Banka Qendrore e Kosovës vendosi që të mos ketë përdorim të dinarit serb në Kosovë, duke urdhëruar që euro të jetë e vetmja valutë për pagesa. Kjo u pa si një hap drejt shkëputjes së aseteve serbe në Kosovë dhe tentim për integrim të mëtutjeshëm të serbëve në hap me qytetarët e tjerë të Kosovës. 

Nga marsi, filloi shpërndarja e faturave elektrike në zonat e populluara me shumicë serbe 

Si rezultat i marrëveshjeve të mëhershme, nga muaji mars 2024, komunitetit serb në Mitrovicë të Veriut filloi t’u shpërndahej fatura e energjisë elektrike, ndërkohë që prej asaj kohe edhe pagesa e faturave bëhet nga vetë ata. Faturat i ka lëshuar kompania Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS. Kjo kompani mori licencën për autoritetet në Kosovë. Banorët e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga viti 1999, nuk patën paguar për energjinë e shpenzuar. 

Pajisja e komunitetit serb me patentë-shoferë RKS 

Në majin e vitit 2024, Qeveria Kurti i kërkoi komuniteti serb që të pajiset me patentë shoferë të lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe se përdorimi i atyre ilegale të lëshuara nga Serbia do rezultonte me gjoba. Përgjatë verës, një numër i madh i serbëve u bindën për këtë, duke aplikuar dhe duke u pajisur me patentë-shoferë RKS. 

Mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri 

Në muajin gusht, Policia e Kosovës mbylli nëntë objekte të Postës së Serbisë, në veri. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok. 

Kjo çoi në reagime të ashpra nga shteti serb, por autoritetet kosovare nuk u zmbrapsën nga ky vendim. 

Pas mbylljes së Postës së Serbisë, Posta e Kosovës hapi pika në këtë zonë. 

Përveç Postës së Serbisë, në muajin gusht u mbyllën edhe pesë institucione paralele serbe, të cilat funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë. Institucionet e mbyllura ishin Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit. 

Të hapet apo mos të hapet? 

Gjatë vitit që po lëmë pas, Kurti paralajmëroi se Ura e Ibrit do hapej për qarkullim automjetesh. Kjo u prit me kritika nga komuniteti serb dhe Serbia, si dhe me thirrje që një gjë e tillë të shtyhet për më vonë, nga komuniteti ndërkombëtar. 

Ndonëse u bënë deklarata e analiza për hapjen e saj, Kurti ende nuk ka lëvizur me hapjen e kësaj ure. 

Se a do e bëj këtë në pak javët e mbetura deri në fund të mandatit, mbetet të shihet. Disa njohës parashikojnë se Kurti do e bëj një gjë të tillë pak para zgjedhjeve paralamentare, në përpjekje për të fituar mbështetje nga elektorati. 
 
Kushtetuesja ia rrëzoi Kurtit tetë ligje, tetë të tjera në shqyrtim 
 
 
S’ishin të rralla përballjet e ekzekutivit me Gjykatën Kushtetuese. Që nga viti 2021, Gjykata Kushtetuese ka kontestuar gjithsej 8 ligje, me arsyetimin se përmbanin nene që nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Në mesin e këtyre ligjeve të rrëzuara nga Kushtetuesja, janë ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ligji për çmimin tavan të produkteve dhe ai për Këshillin prokurorial të Kosovës. 

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, bëri të ditur se në shqyrtim ka edhe 8 ligje të tjera, përfshirë atë për Fondin sovran, ligjin për skemat pensionale dhe ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.  

Në anën tjetër, më 13 dhjetor PDK-ja, ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e natës së 5 dhjetorit. 15-të ligje vetëm për mënyrën se si janë miratuar, ndërsa atë për ligjin për Byronë e Konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme edhe në përmbajtje.  
 
E kjo nuk ishte problemi i vetëm me drejtësisë i ekzekutivit. Në vazhdimësi gjatë vitit që lamë pas, kryeministri Albin Kurti por edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë kanë theksuar vazhdimisht një “luftë” të tyre me sektorin e drejtësisë. Madje Kurti nuk iu përgjigj as ftesës që mori nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku u ftua si dëshmitar për një rast që kjo gjykatë ka nën hetime.  

Kosova ende nën masa nga BE-ja 

Bashkimi Evropian nuk u bashkua për të hequr masat ndaj Kosovës, as në 2024. 

Ndonëse Komisioni Evropian kërkoi nga shtetet anëtare që masat të hiqen, një gjë e tillë ende nuk është miratuar nga disa shtetet, të cilat kërkojnë që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale. 

Siç është situata tani, duket se Qeveria Kurti do e mbyllë mandatin nën masa nga BE-ja. 

Masat u vendosën si pasojë e “përshkallëzimit të situatës së sigurisë” në veri të Kosovës. 

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit), shkruan tutje Gazeta Enigma.

Tre ministra nën hetime 

Qeveria Kurti pati edhe përballje tjera me drejtësinë. Tre ministra të Qeverisë Kurti: Rozeta Hajdari (Ministre e Industrisë), Donika Gërvalla (Ministre e Jashtme) dhe Liburn Aliu (Ministër i Infrastrukturës), janë nën hetime për vepra korrupsioni. 

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur me akuzën për mos deklarim të pasurisë.  

Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë. 

Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore. Për këtë se fundmi për intervistim u thirr edhe kryeministri Albin Kurti, i cili po vazhdon ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë Speciale. 

Ministri Aliu është po ashtu nën hetime, nën dyshimet për korrupsion brenda dikasterit të tij. 

Fija e perit që largoi Kosovën nga KiE 

Ndonëse shpresat ishin për një anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. 

Autoritetet e Kosovës shpresonin për një votim për anëtarësim në mes të majit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. 

Për një anëtarësim të Kosovës në KiE, Kurti dhe Gërvalla madje “iu dorëzuan” Asociacionit, duke i dërguar letër udhëheqësve të kësaj organizate se Kosova është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Një gjë e tillë çoi në tensionim të situatës mes dyshes dhe presidentes Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit assesi nuk pajtohej që krijimi i Asociacionit të kushtëzohej me një anëtarësim në KiE. 

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i mbuluar nga “rrjetat e merimangës” 

Se BE-ja nuk është e interesuar për momentin që ta bëj Kosovën vend kandidat për anëtarësim në bllok, e tregon aplikimi i kësaj të fundit. 

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, asnjëherë një gjë e tillë nuk është shqyrtuar. 

Megjithatë, shteti fqinj – Shqipëria, këtë vit mori statusin e vendit kandidat dhe filloi hapjen e kapitujve të parë në rrugë drejt anëtarësimit. 

 
Rritje pagash për sektorin publik nga janari 

Qeveria Kurti vendosi t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i këtij viti. 

Kurti tha se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë. 
 
Ndërkohë përgjatë mandatin aktual ekzekutivi ndau disa subvencione për qytetarët të cilat u mirëpritën nga ta. Subvencionet për ngrohje, për izolim të shtëpive dhe blerjen e pajisjeve si klima apo pajisje të tjera ishin një nga sukeset e tyre që u shënua në vitin 2024. 

Osmani, Kurti, Maqedonci, Jashari e shujtat e ushtarëve 

Qeveria Kurti, gjatë 2024 u kritikua edhe për një gjë tjetër – shujtat e ushtarëve të FSK-së. 

Fotografitë e shujtave të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të publikuara në media lokale e në rrjete sociale, nxitën debat në sferën publike dhe politike kosovare për “menynë e varfër” të ushtarëve. 

Opozita akuzoi pushtetin se e ka lënë pa bukë FSK-në, partia qeverisëse – Lëvizja Vetëvendosje – e cilësoi çështjen si propagandë, teksa presidentja e Kosovës kërkoi raport për situatën e krijuar me ushqimin e ushtarëve. 

Ministria e Mbrojtjes ngulmoi se ushtarët nuk kanë mbetur pa shujta asnjë ditë të vetme, ndonëse pranoi se përballet me problem të kamotshëm për furnizimin e FSK-së me ushqim. 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se që nga viti 2015 e deri këtë vit, institucioni që udhëheq, ka lidhur dhjetë herë radhazi kontrata emergjente për çështjen e ushqimit, të cilat kanë qenë disamujore dhe janë parë si të dyshimta nga opozita, shkruan tutje Gazeta Enigma.

Edhe viti i katër pa asnjë njohje 

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka dështuar plotësisht në sjelljen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. 

Me Gërvallën tash e katër vjet në krye të kësaj ministrie, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet i huaj dhe nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë euro-atlantike. 

Kjo shihet nga të gjithë si një dështim total i këtij dikasteri. 

“Dështime në shumë ministri” 

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë për Gazetën Enigma se Qeveria Kurti në përgjithësi ka pasur vështirësi në realizimin e premtimeve, përveç shtrirjes së sovranitetitnë veri të vendit. 

“Konsideroj se përveç disa punëve rreth shtrirjes së sovranitetit në veri te vendit, përmes legalitetit institucional por, pa legjitimitet të qytetareve serb që jetojnë në katër komunat veriore, Qeveria Kurti ka pasur vështirësi në realizimin e planit të punës”.  

Sadiku prek disa dikastere ku ka pasur dështime, si në Infrastrukturë, Drejtësi, Shëndetësi, Arsim e Politikë të Jashtme. 

“Nëse flasim për infrastrukturë, kemi pasur katër vite qeverisje ku nuk është kryer ende ura 30 metra tek Liqeni i Badocit, nëse flasim për Drejtësi, tetë ligje antikushtetuese të shpallura nga Gjykata Kushtetuese, nëse flasim për Shëndetësi, nuk kemi sigurime Shëndetësore, ndonëse ligji është miratuar, por, ai do shkojë në Kushtetuese, dhe do bie sepse është miratuar pa debat me opozitën dhe sindikatat. Për Arsim, nga 159 çerdhe të premtuara – vetëm katër apo pesë të kryera – dështim. Nëse flasim për politikën e Jashtme, zero njohje të reja nga shtetet mosnjohëse, asnjë pranim në organizata ndërkombëtare, dështim pranimi ne Këshillin e Evropës, edhe pse Rusia ishte përjashtuar nga aty”, shprehet Sadiku për “Enigmën”. 

Siç potencon ai “Pra, thënë troç, ka pasur disa përparime në fushën e sigurisë në veri dhe kryerje të disa punëve rutinë, por, dështim në të gjitha sferat e tjera”, përfundon ai. / GAZETA ENIGMA.  

Related Articles