Redona, shqiptarja që “jeton” në oqeane, udhëtoi botën me jahtet super luksoze

Redona, shqiptarja që “jeton” në oqeane, udhëtoi botën me jahtet super luksoze

Jeta e saj nuk është shumë e zakonshme. Në fakt jo shumë shqiptarë bëjnë diçka të tillë për një kohë shumë të gjatë.

Në mes të oqeanit, shumë larg brigjeve, Redona Dedja ka gjetur profesionin e saj të ëndrrave, atë të stjuardesës në jahte, të cilin e ushtron tash e 8 vite.

“Para 8 vitesh teksa po studioja për logopedi në Tiranë, dy kusherirat e mija që merren prej vitesh me jahte më propozuan që ti ndihmoja për një periudhë 2 javore në një jaht që ndodhej në një kantier në Holandë. Kështu nisi e gjitha si punë sezonale pa menduar që do kthehej një ditë në profesionin tim”, – ka treguar Dedja për Gazeta Enigma.

E ky pasion për të cilin la studimet e logopedisë, i ka mundësuar asaj që të shohë nga afër më shumë se 40 shtete të botës.

Në jetën e saj në mes të dallgëve të oqeanit, 28 vjeçarja nga Burreli, jo gjithë herë ka pasur eksperienca “shend e verë”. Dallgët e oqeanit, asaj dhe bashkëudhëtarëve të saj i kanë futur ndonjëherë frikën deri në palcë.

“Kam pasur 2 raste kur deti ka qenë i frikshëm dhe dallgët që mbulonin pjesën e përparme të jahtit. Kjo ka ndodhur një herë gjatë lundrimit nga Indonezia në Japoni dhe hera e dytë ka qenë nga Florida në Puerto Riko” – rrëfen stjuardesa shqiptare.

Mbase kjo ka qenë edhe njëra ndër arsyet se pse familja e Redonës në fillim ishte skeptike për zgjedhjen e saj, mirpo që tani e mbështesin pafund.

Të qëndrosh 20 ditë në mes të detit të hapur e oqeanit që mban krijesa që rrallëherë t’i kanë parë sytë padyshim se do të jetosh edhe raste që ngjallin panikë.

“Ka qenë një rast kur ka rënë alarmi i zjarrit në bord gjatë lundrimit në oqeanin Atlantik dhe moti ishte shumë i keq. Ne ishim të përgatitur për çdo lloj urgjence dhe situate por edhe pse rezultoi të ishte alarm i rremë, frika dhe panika ishin shume reale. Në atë rast mendonim çfarë ndodhë nësë bije zjarrë në bord dhe si do të reagojmë,” – tregon për Gazeta Enigma, 28 vjeçarja.

Mes emocionesh shumë ngjyra, shqiptarja nga Burreli tregon edhe për peisazhet piktoreske dhe qetësinë që asaj i’a japin gjatë udhëtimit.

Nga Shqipëria në Australi, nga Florida në Gjermani dhe nga shumë vende në shumë të tjera, në jahtet super luksoze, Dedja thotë se është përgjegjëse për mbarëvajtjen e çdo aspekti në interiorin e jahtit, mirëmbajtja e ambienteve, shërbimit të të ftuarve, kujdesit ndaj tyre, etj.

E pyetur nëse përvojës së saj në këtë profesion do t’i duhej t’ia vinte një titull, Redona ka thënë se do ta quante: “Navigimi i ëndrrave: tregime nga deti”. /Gazeta Enigma

Related Articles