Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Në lidhje me këtë, analisti Gazmir Raci, ka thënë për Gazetën “Enigma” se kjo është një luftë e re e cila është premtuar nga qeveria amerikane.
“Kjo luftë nuk do të ndalet këtu. Ka filluar më herët në atë listën me Shqipërinë ku disa muaj më parë edhe ish kreu i PD-së, Sali Berisha dhe familja e tij janë futur në të njëjtën listë, pastaj me serbët e Kosovës. Kjo është një luftë e premtuar nga ana qeverisë amerikane për të paralanduar çdo individ që kërcenon stabilitetin politik demokratik në zhvillimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Raci.
Se a po vepron konkretisht qeveria amerikane, Raci e pohon një gjë të tillë, derisa thekson se edhe qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë në bazë të të dhënave nga thesari amerikan, të ndalojnë personat në fjalë.
“Tashmë qeveria amerikane po vepron edhe konkretisht, kështu që edhe qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, pasi që ka të bëjë me qytetarë serbë të cilët shihen edhe në Serbi, duhet të marrin veprime konkrete që në bazë të të dhënave nga thesari amerikan dhe qeveria amerikane, të ndalojnë personat në fjalë, sepse ata realisht kanë kërcenuar stabilitetin politik në Kosovë”, shtoi ai.
Raci thotë se kjo “Është një çasje e re e SHBA-së, më sakt është çasje e re e administratës së presidentit, Joe Biden. Administratë kjo që ndalet në pushtet të Partisë Demokratike”.
“Natyrisht se një vendim i tillë është më se i mirëpritur si dhe është një indikacion se SHBA-të do ti ngrijnë të gjitha pasuritë e organizatave kriminale dhe personat e lidhur me këto organizata kudo qofshin ato, te gjithë pa dallim do të jenë subjekt i ndjekjes në një forme apo tjetër”.
Kështu ka thënë analisti për çështje të drejtësisë, Anton Nrecaj, për Gazetën “Enigma”, i cili theksoi se është një kërkesë e shteteve përkatëse qe të marrin veprime konkrete në luftën kundër krimit te organizuar. Ai tutje, shton se duhet treguar konkretisht me emër dhe mbiemër se kush janë ata persona të cilët janë pjese e organizatave kriminale
Ai shton se “Ky vendim i administratës së SHBA-ve vjen mu në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, me një mesazh te fuqishëm per Qeverinë dhe organet e drejtësisë se Kosovës se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk luftohet duke e përshëndetur dhe përgëzuar vendimet e administratës amerikane por se lufta e krimit ndaj përsonave me emër dhe mbiemër duhet te ketë veprime konkrete ne terren”.
Ndryshe, sa i përket kësaj çështje ka pasur reagime të ndryshme edhe nga liderët politik.
Një vendim të tillë e ka përkrahur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe sipas saj do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale.
Edhe kryeministri Kurti e ka përshëndetur sanksionimin e SHBA-së ndaj dy serbëve dhe grupit të tyre kriminal në Mitrovicë të veriut.
Ai theksoi se ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.
“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale”, tha Kurti.
LEXO EDHE: Ky është paralajmërimi i Kurtit për sanksionet e SHBA-së ndaj dy serbëve dhe grupit të tyre kriminal
Ndërsa, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.
Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.
Kurse, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se se thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore.
“Thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore nëse duam të krijojmë hapësirën për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, jo vetëm për veten e tyre”, ka shkruar ai.
Pasi SHBA shtoi në listë të zezë të kriminelëve dy serbët e veriut, ka reaguar edhe Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Blinken ka thënë se se ky vendim vjen si një akt për të thyer të gjitha lidhjet mes aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.
“SHBA-të vendosën sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve të lidhura me aktivitetet e krimit të organizuar transnacional në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore. Është një prioritet i sigurisë kombëtare për të luftuar korrupsionin, i cili lehtëson krimin e organizuar transnacional”, ka thënë ai.
Madje, për këtë reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “akuza serioze kundër tyre”.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiq.
LEXO EDHE: SHBA e futi në listë të sanksioneve grupin e Veselinoviçit, reagon presidenti i Serbisë
SHBA vendosi sanksione ndaj dy serbëve dhe grupit të tyre kriminal, por kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq?
LEXO EDHE: SHBA u vendosi sanksione për krim të organizuar, kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq ?
Në dhjetor të vitit 2011, Veselinoviqi u ndalua së bashku me vëllanë e tij në Kopaonik gjersa u ngritën aktakuza edhe kundër Milan Radoiçiqit dhe Dragan Çurçiqit me pretendimin se ata kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme 32 kamionë (vlera totale rreth 2.8 milionë euro). Gjykata e Apelit i shpalli të pafajshëm Veselinoviqin dhe Radoiçiqin, ndërsa Çurçiq u dënua me tre vjet burg.
Sidoqoftë, kjo biografi nuk ndikoi në biznesin e tij. Nga të hyrat e vetëm dy kompanive, pasuria e përbashkët e Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit në vitin 2019 ka arritur në 63 milionë euro.
/Gazeta Enigma/.