Si do të zhvillohet fushata elektorale, partitë politike shpalosin planet e tyre

Si do të zhvillohet fushata elektorale, partitë politike shpalosin planet e tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ditë më parë ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Në fushatën që është caktuar të mbahet pesë ditë, përfaqësues të partive politike kanë treguar për Gazetën ‘Enigma’ se si do ta zhvillojnë aktivitetin e tyre politikë gjatë këtyre ditëve.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka

Lidhur me këtë çështje zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka në një përgjigje për Gazetën Enigma pa dashur të jep më shumë detaje ka thënë se fushata do të jetë e njëjtë.

“Po ashtu siç e kemi mbajtur do të vazhdojmë edhe në pjesën e dytë për balotazh”, është shprehur Manxhuka.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi 

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka lajmruar se do të organizojnë fushatë pothuajse të njejtë me zgjedhjet e 17 tetorit.

Betim Gjoshi nga PDK-ja, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se fushata do të jetë pak më dinamike sa u përket takimeve me qytetarë, por se pak a shumë e njëjtë me zgjedhjet e kaluara.

“Në këtë fushatë do të kemi takime më të shpeshta por me më pak njerëz, që të respektojmë sa më shumë masat antiCOVID”, ka thënë ai.

Njëherit ai ka shtuar se “Të gjithë që janë në balotazh kanë marrë vendim që edhe në raundin e dytë në balotazh kanë marr udhëzime të sakta që të vazhdojnë me fushatë përmes mediave, përmes rrjeteve sociale, por edhe takimeve në bazë të rregullave të COVID-it aq sa jep mundësi me u taku”.

“Pak a shumë më dinamike për shkak të kohës së shkurtë që KQZ-ja ka lënë si fushatë”, ka deklaruar Gjoshi.

Për këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, por të njejtit kanë qenë të paqasshëm.

Sipas rezultateve përfundimtare, 21 komuna do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve që kanë shkuar në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)

Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara në web-faqen e KQZ-së, Lista Srpska ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës pesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy.

Fitore që në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Kaçanik (PDK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaj (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).

Zgjedhjet e 17 tetorit ishin organizuar ndryshe krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Partitë politike fushatën më shumë e kishin zhvilluar online dhe përmes platformave në rrjete sociale, e gjitha kjo për të respektuar masat antiCOVID dhe për të shmangur përhapjen e tij.

Gjatë ditëve të fundit ishte vërejtur që partitë politike ishin angazhuar më shumë dhe ishin takuar edhe me qytetarë, ku në shumicën e rasteve pati edhe shkelje të masave antiCOVID.

Më 14 nëntor pritet të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve, ku me këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata të jetë pesë ditore nga tetë deri më 12 nëntor.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor

Balotazhi më 14 nëntor

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 14 nëntor konkurrente në balotazh do të jenë:

Gjakova (AAK-LVV), Rahoveci (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK), Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK) dhe Shtime (PDK-LVV).

Sipas ligjit për zgjedhjet lokale dhe sistemit të aplikuar zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota./Gazeta Enigma/

Related Articles