Dje më 29 nëntor, kanali i ujit të Ibër-Lepencit është dëmtuar pas një shpërthimi që ka ndodhur në Zubin Potok
Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan, shkruan Gazeta Enigma.
Nga sulmi nuk janë raportuar viktima, por si pasojë e shpërthimit është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit, ndërsa uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Autoritetet kanë theksuar se ky incident është një sulm ndaj sigurisë dhe rendit publik, dhe se po intensifikohen përpjekjet për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Shpërthimin e konfirmoi fillimisht Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, deklaroi Elshani.
Në vendngjarje më pas dolën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Sveçla e cilësoi këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.
“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, tha Sveçla.
Kurti tha se kjo konferencë erdhi si pasojë e “sulmeve të fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”.
“Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga Kompania Regjionale e Ujësjellësit Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, tha Kurti.
Për këtë, kreu i ekzekutimit e ka bërë fajtor Beogradin zyrtar, i cili tha se strukturat e tyre kriminale me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Policia e Kosovës ka deklaruar se “Sulmi në Ibër Lepenc është akt terrorist, do të përdorim asistencën e ndërkombëtarëve për të hetuar provat”.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, ka bërë të ditur se prokurori është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë antiterrorit.
“Po, në vendin e ngjarjes ka dalë menjëherë prokurori kujdestar bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë e Antiterrorit. Është duke u punuar për zbardhjen e këtij rasti”, ka bëri të ditur Preteni.
Për shpërthimin, reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se partnerët ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu “për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, shkroi Osmani.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shpërthimi i mbrëmshëm në Zubin Potok është kopjuar nga “libri i sulmeve ruse” në infrastrukturën kyçe në Ukrainë.
“Infrastruktura kryesore kritike e Kosovës u godit në një sulm terrorist me një eksploziv të fuqishëm. Është dëmtuar rëndë një objekt kyç i nevojshëm për furnizim me ujë dhe prodhim energjie”, ka thënë Gërvalla.
Key critical infrastructure of Kosova was bombed in a terrorist attack with powerful explosives. Key supply essential for water supply and energy production was heavily damaged. Police and law enforcement are investigating, experts are working to limit damage for the citizens.— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) November 29, 2024
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e dënoi shpërthimin, teksa shtoi se u ka ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav.
Me reagim doli edhe Ambasadori i SHBA’së, Jeffrey Hovenier, i cili e dënoi tha se ShBA’të po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
ShBA’të kanë dënuar edhe sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor.
“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, shkroi Hovenier.
Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në kanalin Ibër-Lebenac, ai ka thënë se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Dënojmë ashpër sulmin e rëndë në kanalin Ibër – Lepenc dhe pasojat e mundshme të tij. EULEX është i angazhuar në monitorimin e hetimeve të shpejta – autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Barbano.
Ambasadori gjerman Jorn Rohde ka kërkuar hetim të menjëhershëm të sulmit.
“Bëjmë thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka shkruar Rohde.
Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të së shtunës pas sulmit të tretë brenda 72 orëve në veri të vendit.
Kanë theksuar se FSK dhe Policia e Kosovës janë aktivizuar në terren.
“Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në komunikatë./GazetaEnigma/