Kryeministri Albin Kurti, priti të enjten në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Siç njoftohet nga Qeveria, Kurti e njoftoi Metën për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që mbahet nesër në Elbasan, e ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje.
Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur 6 raste të vdekjes së të prekurve me COVID 19, deri tani janë administruar 1 milionë e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë mbi 64 për qind.
Kryeministri ritheksoi se sipas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës do të kemi rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2021, ndërsa ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, remitancat e mërgatës pritet të arrijnë shifrën prej 1 miliard euro.
Ndërkaq, Meta e vlerësoi pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndjehen pjesë e qeverisjes.
Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, Kurti tha se kemi pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, sepse 691 tashmë janë larguar për në vende të tjera.
U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe iniciativat e reja.
Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.
Lidhur me dialogun, kryeministri theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit.
Ai kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.
/Gazeta Enigma/