“Njerëz jemi, gjithmonë kemi ndonjë moment tejkalimi por nuk janë gjëra që duhet të përsëriten, edhe unë mund të kem ndonjë moment që mund të kaloj nga vetja ime”, kështu ka thënë kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu për Gazetën Enigma, lidhur me tensionet e djeshme në seancë.
Ai ka theksuar se qytetarët e Preshevës nuk meritojnë të shohin pamje të tilla.
“Ka qenë në rrugën time që si kryetar i Kuvendit të bëj një reagim për atë çfarë ka ngjarë, reagimi im ka qenë shumë civil që të bëj thirrje për uljen e gjakrave, nuk ka nevojë për tensione të tilla kur ne kemi probleme e halle të tjera që e preokupojnë qytetarin, e jo problemet e inatet personale ose lufta pa fre pozitë- opozitë”, thotë Salihu për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka deklaruar se seanca ka qenë e paraparë të mbahet me katër pika por sipas tij pas tri pikave u tensionuar situata dhe u “ngulfat” hapësira për debate të tjera.
“Situata u tensionua në tri pikat e fundit gjë që u ngulfat hapësira për debat, u pengua foltorja nga kreu i opozitës, ndërsa unë jam munduar që ta ul tensionin mos të krijojmë ndonjë keqkuptim tjetër, ne e dimë që janë emocione, nuk është që ndodh vetëm ne kuvend të Preshevës, gjëra të tilla kanë ndodh edhe në Kuvendet tjera, mirëpo e mira e punës është të mos përsëriten”, thekson Salihu.
“Unë me zotin Arifi njihemi personalisht nuk është se kam ndonjë problem personal me të por tensioni opozitar gjithmonë ekziston, besoj se pamjet e djeshme janë skena që nuk i shërbejnë askujt për të mirë”, shtoi tutje ai.
Debati në mes Kryetarit të Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetarit të Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, që ishte afër përleshjeve fizike ndodhi dje gjatë seancës së IV (katërt) të kuvendit, ku të pranishëm ishin 36-të këshilltarë komunal.
Arifi në fund të seancës doli para kryesisë së kuvendit ku fillimisht shkuli mikrofonin e më pas gjuajti me ujë dhe grisi dokumentat kryetarit të Kuvendit Sami Salihut.