“Veriu i zhurmshëm” – A ka rrezik për sulme të reja terroriste, flasin ekspertët e sigurisë

“Veriu i zhurmshëm” – A ka rrezik për sulme të reja terroriste, flasin ekspertët e sigurisë

“Veriu i zhurmshëm” edhe më tej vazhdon të jetë caku kryesor i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Enigma. Ende pa e rimarrë veten nga sulmi agresor që ndodhë në Banjskë vitin e kaluar, Kosova u sulmua sërish, por kësaj here në zonën ujore, në kanalin e Ibër – Lepencit.

Në orët e mbrëmjes të 29 nëntorit, në Varagë të Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ky sulm i tillë, i menduar dhe ekzekutuar në mënyrë profesionale, la për orë 24 orë banorët e Mitrovicës pa ujë, teksa rrezikohej edhe mbarëvajtja e Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Çka thanë autoritetet pas sulmit në Ibër-Lepenc?

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për këtë sulm, të cilin e cilësuan si terrorist, duke shtuar se ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e fundit në Kosovë.

Pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin, autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.

Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit.

A po rrezikohet siguria e vendit?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, teksa flet për sulmin e fundit në veri të vendit, thotë se ai  ishte i përgaditur profesionalisht, në mënyrë që të mos diktohet nga organet e sigurisë.

“Veprimet e së premtes së kaluar ishin të përgatitura në aspektin profesional dhe padyshim e mbështetur nga Beogradi zyrtar përmese formës “Proxy”, duke përgatitur gjithë këtë ngjarje në formën që të mos diktohet nga mekanizimi i sigurisë vendore”, ka thënë ai për Gazetën Enigma.

Shala potencoi se situata është tani më ndryshe, shkaku i veprimeve që kanë ndërmarrë strukturat e sigurisë.

Por, një gjë e tillë, thotë ai është ndryshe për arsyeje që strukturat e sigurisë kanë vepruar pas rastit, duke rritur numrin e pjesëtarëve të saj në terren dhe për të sjellur një frymë sigurie për gjithë qytetarët e vendit”, shtoi tutje ai.

Shala tha se Serbia ka investuar në grupet e instaluara kriminale në veri të vendit, për të kryer sulme të tilla.

“Serbia përgjatë viteve që kemi lënë pas, ka investuar në veri të vendit dhe në grupet e saja që pikërisht në situata të tilla të vihen në funksion dhe lëvizje. Këto grupe që marrin direktiva të caktuara për të kryer veprime terroriste dhe diversante mbi territorin e Kosovës”, shtoi ai.

“Armatimi i gjetur në pikat kyqe nuk është asgjë më shumë sesa ajo që ndodhi në Banjskë nga ky formacion ushtarak, që besoj se janë element të kontraktoreve private ushtarak, e që metodologjia e tyre është ajo e përdorur në Ukrainë nga ana ruse dhe elementeve të saj. Organet e rendit dhe ato të sigurisë kanë vepruar dhe janë duke analizu dhe hetuar në çdo detaj gjithë këtë ngjarje dhe mbi këto do t’i rrisin veprimet e tyre në terren për të ofruar sigurinë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Qeveria mburret që “çliroi” pjesërisht veriun

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, ka krahasuar situatën e dikurshme në atë pjesë të Kosovës, teksa tha se grupet kriminale po luftohen pambarimisht.

“Gjendja në veriun e Kosovës aq sa është stabile është edhe e brishtë, për shkak që për një kohë të gjatë struktura kriminale kanë operu në atë pjesë, mirëpo nëse i referohemi gjendjes së para tri apo katër vitesh, tashmë mund të themi se ndryshimi është tejet i madh, pra ndryshim pozitiv sa i takon zbatimit të ligjit, pra shtrirjes së sovranitetit. Kemi të bëjmë me një situatë, në të cilën institucionet e Republikës së Kosovës operojnë dhe bashkëpunojnë me qytetarët e komunitetit serb, pa asnjë problem dhe ka një bashkëpunim, si asnjëherë më parë. Sa i takon hapave të mëtutjeshëm, ne do të vazhdojmë pa hezitim dhe vendosmëri që t’i luftojmë grupet kriminale (terroriste) të cilat mund të jenë ende në atë pjesë të Kosovës në forma të ndryshme”, tha ai.

Tutje, Dugolli tha se nuk pretendojnë të kenë kontroll absolut në veri, shkaku i linjës së gjatë të kufirit më Serbinë, e cila mund të ketë infiltrime.

“Natyrisht që institucionet tona të sigurisë, janë në krye të detyrës, dhe po punojmë që të parandalojmë çfarëdo sulmi që mund të bëhet ndaj rendit, ligjit, sovranitetit, dhe infrastrukturës kritike. Mirëpo, vlen të theksohet se ne nuk pretendojmë asnjëherë që të kemi kontroll absolut atje, pasi kemi të bëjmë me një vijë të gjatë të kufirit me Serbinë edhe mund të ketë edhe infiltrime të kohëpaskohshme, mirëpo jo të shkallës cilat kanë qenë më parë. Tani kemi dukshëm reduktim të kriminalitetit dhe të dukurive negative si kontrabanda, por aty këtu mund të gjendet edhe ndonjë mbetje e atyre grupeve të Radojçiqit, për të cilat ne në vazhdimësi po punojmë që t’i identifikojmë e ti kapim sa më shpejtë, në mënyrë që të parandalohen sulme të ngjashme, siç ishtë sulmi më eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit”, tha Dugolli për Enigmën.

Dugolli tha se armatimi i konfiskuar atje, është bërë që nga ardhja e tyre në krye të ekzekutivit, e një gjë e tillë, nuk është bërë asnjëherë më parë.

“Që nga sulmi në Banjska, ne kemi disa operacione të suksesshmë që janë realizu nga Policia e Kosovës, kemi konfiskim të armatimit, paisjeve, uniformave, e kështu me radhë. Në vazhdimësi ka pasë operacione që janë zhvillu, mbi informatat që kanë siguruar institucionet tona dhe kjo nuk është ndalë e nuk do të ndalet as në të ardhmen.  Që nga paslufta, atje nuk ka ndodhë asnjë bastisje as nga organet vendore e as nga ato ndërkombëtare. Atje nuk ka pasur operacionë për të mbledhur armatimin e mbetur nga lufta, e si vendi i tillë, ka potencial që mund të ketë edhe armatime të tjera të mbetura nga lufta por edhe ardhura tash së voni nga Serbia, prandaj ne do të jemi të pakompromis, sa i takon identifikimit të armatimit të tillë, që mund të përdoret nga grupet e caktuara kriminale”, përfundoi ai.

Ndërkohë jo shumë kohë më parë, më 24 shtator të vitit 2023, ndodhi sulmi agresor  në Banjskë të Zveçanit në Kosovë, ku i vrarë mbeti rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Për këtë rast Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radojçiq. /Gazeta Enigma/

Related Articles