Vizita e Trendafilovës në Kosovë mund të jetë alarm për arrestime të reja

Vizita e Trendafilovës në Kosovë mund të jetë alarm për arrestime të reja

Nga 12 deri më 14 maj 2025, në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, shkruan Gazeta “Enigma”.

Avokati Anton Nrecaj në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se vizita e Trendafilovës në Kosovë nënkupton se mund të ketë arrestime të reja.

“Këto janë vetëm hipoteza, mirëpo në praktikë gjithmonë ka ndodhë që pas vizitës të asaj ka pas o ngritje të një aktakuze ndaj ndonjë zyrtari tjetër ose ka pasur arrestime të personave të cilët potencialisht iu është ngrit aktakuza, ose potencialisht ka refuzuar të dëshmojë ose të jetë pjesë e procesit të gjykime ndaj ish krerëve të UÇK-së”, tha avokati.

Nrecaj ka theksuar se “kryesisht vizitat e saj kanë qenë me një kërkesë që me e mbështet punën e Gjykatës edhe në rast se ka me pas arrestime të reja apo aludime të reja që me kërkua mbështetjen prej Eulex-it”.

Tutje ai ka shtuar se Trendafilova në vizitat e saj në Kosovë shumë rrallë ka takuar përfaqësues të institucioneve të shtetit.

“Sa herë që ka ardhur ka pasur raste shumë të rralla kur ka takuar përfaqësues të institucioneve të shtetit, kryesisht është takuar me EULEX dhe kryesisht ka dhënë deklarata ose konferenca për shtyp me informua publikun për mbarëvajtjen e procesit dhe punën që janë duke e ba dhomat e specializuara”, tha Nrecaj për “Enigmën”.

Sipas avokatit pjesa me të cilën ne duhet të merremi më shumë është ajo se si është duke ecur procesi gjyqësor dhe se sa janë duke u respektuar kornizat ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Vizita e saj mund të konsiderohet edhe si e qëllimshme dhe si e paqëllimshme por vizitat që i ka bërë gjithmonë shumë më thelbësore është pjesa se si është duke ecur procesi gjyqësor, a është duke u respektuar korniza ligjore, sepse dhomat e specializuara pavarësisht se janë në Holandë ato veprojnë në kuadër të kornizës ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, që do të thotë ato janë dhoma speciale të Kosovës që i zbatojnë ligjet e Kosovës, por gjatë procesit gjyqësor kemi parë që ka pasur tejkalim të asaj çka janë të zbatueshme nga korniza jonë ligjore. Ajo ka veprua si me qenë gjykata ndërkombëtare, si me qenë tribunali i Hagës për krime të luftës”, deklaroi ai.

Kujtojmë se menjëherë pasi u bë i ditur lajmi për vizitën e Trendafilovës në Kosovë ka reaguar OVL – UÇK-së të cilët e kanë vlerësuar si të papranueshme vizitën e kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Në një reagim të tyre, thuhet se ardhja e saj në Kosovë “është një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit”.

“E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike. Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër”, thuhet në reagim.

“Ne, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët. Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, po ashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut”, përfundon reagimi.

Ambasada Gjermane mbështet Gjykatën Speciale

Ambasada Gjermane në Kosovë të hënën e 12 majit ka pritur për vizitë kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Pas takimit me të ata kanë shprehur falënderimin ndaj saj, ku edhe kanë deklaruar se Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë gjykatë.

“Mirënjohës që gjyqtarja Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e vizitoi sot Ambasadën tonë. Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë gjykatë të rëndësishme, procedurat  dhe zbatimin e rekomandimeve të saj, për shembull një fond për kompensimin e viktimave”, thuhet tutje në shkrimin e Ambasadës.

Vizita e Trendafilovas, Syla i OVL-UÇK-së: Ka ardhur në një datë që lidhet me themelimin e UDB-së

Ndërsa nënkryetari i OVL-së Gazmend Syla, në një deklaratë për media tha vizita e Trendafilovës në këtë periudhë është një provokim.

“Ju e dini tash ky muaji maj, është muaji i përkujtimit të shumë masakrave e dëshmorëve që i kemi, Ka qenë krejt e panevojshme që kjo të vijë, zonja Trendafilova të na tregojë tash se çka po ndodh atje”, deklaroi Syla.

Numri dy i OVL UÇK-së, theksoi se vizita e të parës së DhSK-së, po lidhet me datën e themelimit të UDB-së (Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë).

Dështoi konferenca për media e thirrur nga Trendafilova

Pak para se të nis konferenca e thirrur nga Trendafilova veteranët kanë bllokuar hyrjen e hotelit ku po qëndron ajo. “Rroftë Hashim Thaçi, UÇK”, – ishin brohoritje të pjesëmarrësve të OVL-së së UÇK-së.

Veteranët e UÇK-së në një aksion të martën e kanë bllokuar hyrjen e hotelit ku po qëndron kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, gjë e cila ka ndikuar që ajo ta anulojë konferencën.

Kështu tha para mediave kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Trendafilova e ka anulu takimin dhe nuk ka konferencë për shtyp. Besoj dhe shpresoj që qëllimi ynë është arritur. Këto janë informacionet tona, ajo mund të jetë brenda”, ka thënë Gucati.

Gjykata Speciale jep detaje për anulimin e konferencës së Trendafilovës

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar konferencën që pritej të mbahej sot në Prishtinë..

“Për shkaqe të sigurisë publike dhe në përputhje me këshillën e Policisë së Kosovës konferenca është anuluar. Do t’ju ofrojmë më shumë informacione ndërkohë”, thuhet në njoftimin e Speciales.

UÇK-ja nuk mund të gjykohet

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, është Non Grata për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Bashkë me veteranë, qytetarë e aktivistë jemi mbledhur sot për ta kundërshtuar vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. U mblodhëm për të treguar se historia e këtij populli jeton në zemrat e njerëzve, ani pse institucionet i kemi të tjetërsuara. U mblodhëm për të demonstruar se padrejtësia në Hagë për ne këtu është fyerje e poshtërim. U mblodhëm për të treguar se drejtësia nuk ka nevojë për propagandë as për punë me imazhin. U mblodhëm për t’i treguar se ajo është Non Grata për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Moliqaj.

Tutje ai ka shtuar se “kujdesi i Speciales për marrëdhënien me media është nivel tjetër i dhunës. Pas arbitraritetit, padrejtësisë, shkeljes së të drejtave, ata e duan edhe pajtimin tonë, që ne ta kuptojmë se drejtësia kështu duket – duan të na e japin turpin me bukë. Anulimi i kësaj konference sot është fitore në nivel fryme”. “Padrejtësia po ndodh, ne e dimë dhe e shohim. Por, nuk do të pranojmë kurrë ta përtypim si proces drejtësie. Për neve UÇK është kushti dhe mundësia për të pasur drejtësi. Prandaj: UÇK nuk mund të gjykohet’, ka përfunduar ai./Gazeta Enigma/


Related Articles