Zgjedhjet e jashtëzakonshme tash e disa javë janë pjesë e diskutimeve publike, ndonëse ende nuk ka ndonjë iniciativë nga opozita për ta rrëzuar qeverinë aktuale, shkruan Gazeta “Enigma”
Një takim midis kreut të Qeverisë, Albin Kurtit, dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqit dha sinjale të reja për zgjedhje parlamentare.
Pas këtij takimi Kurti doli me një deklaratë për media ku theksoi se zgjedhjet e ardhshme janë çështje të muajve, prandaj desha të diskutoj me krerët e opozitës ta diskutonim kohën se kur do të duhej të mbaheshin këto zgjedhje në vjeshtë apo në pranverë.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Le ta diskutojmë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim ose të them se kështu se nuk mundet ndryshe. Ta bëjmë debatin në fushatë zgjedhore pasi të jemi pajtuar për zgjedhje”, tha Kurti.
Ndërsa kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me Kurtin tha se zgjedhjet e parakohshme mundë të mbahen edhe në javët e ardhshme.
Tutje ai ka shtuar se pret bashkëpunim nga partitë tjera opozitare.
“Do të ruaj korrektësinë, datat i kam propozua edhe më herët. Më vjen keq që data e 9 qershorit tashmë është jashtë kornizës kohore kushtetuese, sepse ka qenë vërtetë datë e mirë. Unë besoj që ka ende data që janë në javët e ardhshme që janë brenda kësaj kornize kohore, pres bashkëpunim nga partitë e tjera”, tha Krasniqi.
Në ndërkohë nga PDK 30 qershori ose 7 korriku janë propozuar si data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me analistin, Gazmir Raci, i cili komentoi mbi aludimet se në vjeshtë ose pranverë mund të ketë zgjedhje të parakohshme.
Tutje ai ka theksuar se në bazë të deklaratës së Kurtit pas takimit me Krasniqin vjeshta është opsion i mundshëm nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Në bazë të deklaratës së kryeministrit vjeshta është opsion i mundshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme edhe pse unë jam kundër që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse zgjedhjet e rregullta janë çështje muajsh dhe nuk është e nevojshme që të bëjmë shpenzime të tilla të pa parashikuara përderisa për disa muaj i kemi zgjedhjet e rregullta që janë diku në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm”, tha Raci për “Enigmën”.
Në anën tjetër Raci ka thënë se është mirë që sa më shpesh të ketë takime mes pozitës dhe opozitës.
“Është mirë gjithmonë që të ketë takime të tilla në mes të liderëve të pozitës dhe opozitës. Në takimet e kaluara disa lider të partive tjera kanë marrë pjesë, disa jo, kjo mbetet në përgjegjësinë e tyre dhe elektorati i tyre pastaj i gjykon me votë”, ka deklaruar ai.
“U bë gabim që dje nuk ishte prezentë në këtë takim LDK dhe AAK sepse ishte një mundësi e mirë për të diskutuar edhe për zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse për mua shumë më shumë është e rëndësishme tani idea e kryeministrit që të zgjidhet konsensusi për t’i zhbllokuar këto marrëveshjet ndërkombëtare që janë bllokuar në Kuvendin e Kosovës sepse kërkohen dy e treta dhe këto marrëveshje janë miliona euro në pyetje për të investuar për qytetarët e Kosovës dhe është gabim politik që të bllokohen nga partitë opozitare”, deklaroi raci për “Enigmën”.
Për këtë çështje është deklaruar edhe Visar Xani analist, i cili në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se takimi i Kurtit me Krasniqin kishte qëllime tipike elektorale, dhe jo agjendë shtetërore.
“Takimi i mbrëmshëm kishte qëllime tipike elektorale dhe nuk kishte agjendë shtetërore, por përkatësisht për kalkulime politike. Gjithsesi meqë jemi në situatë të pa qartë dhe nevojën mbase për zgjedhje edhe pse në një mënyrë mund të duken të pakuptimshme për shkak se kësaj qeveri i ka mbetur pak më shumë se gjysmë viti dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme nuk më duket edhe shumë e zakontë mbase por që gjitha partitë politike janë të interesuara për zgjedhje duhet të ishin pra në takim”, tha Xani.
Tutje ai ka shtuar se nga ky takim ka kuptuar se nga opozita vetëm PDK është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
“Prandaj me gjasë prej partive opozitare më e interesuara për zgjedhje është Partia Demokratike e Kosovës”, deklaroi Xani për “Enigmën”.
Sipas tij “AAK edhe pse kishte marrë një iniciativë ende po i mungo ose organizimi ose guximi për tu future në garën e zgjedhjeve, ose e kanë ndonjë strategji tjetër për të shkuar kjo qeveri deri në fund të mandatit që do të kishte logjikë, dhe në momentin që përfundon mandati të shkohet në zgjedhje të rregullta”.
“Ndryshe në çdo aspekt është vështirë në këtë fund-mandat të themi që do të ketë zgjedhje të parakohshme ndonjë efekt tjetër për shkak që në pranverë do të duhej që Kosova të koncentrohet shumë në interes nacional edhe në raport me faktorët ndërkombëtar dhe me procese të rëndësishme”, ka deklaruar ai.
Xani: Interesi nacional dhe faktorët ndërkombëtar janë procese më të rëndësishme se zgjedhjet e parakohshme
“Më të rëndësishme janë këto procese sesa këto zgjedhje, por meqë nuk po ka lëvizje në këtë drejtim ndoshta një qeveri tjetër mund të lëvizë zonat por gjithsesi kjo qeveria e re që do të vjen në Kosovë nuk vjen në kohë ideale për shkak që do të kemi zgjedhje edhe në SHBA dhe në BE, dhe po ashtu rikthimin për të negociuar ose për të shtyrë proceset nuk do të jetë rikthimi I njëjtë aty ku e kanë lënë, por mbase do të ketë një ide dhe strategji tjetër të dialogut, varësisht se si e mendojnë qeveritë e tjera ose në SHBA, ose edhe mund të ketë ndryshime dhe vetë Brenda Bashkimit Evropian sa i përket emisarëve, ndërmjetësuesve dhe pozitave të tjera të rëndësishme në politikën e jashtme Brenda BE-së”, tha Xani. /Gazeta Enigma/