Fillimi i muajit tetor mund të jetë koha kur në Kosovë do të shpërthejë një valë e re e infeksionit nga COVID-19, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kështu vlerësojnë ekspertët shëndetësor, teksa ngritin alarmin se kësaj situate mund t’i kontribuoj edhe mbajtja e zgjedhjeve lokale më 17 tetor, si dhe fushata që pritet të zhvillohet.
Për të evituar sado pak rrezikun nga fluksi i ri, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që t’i shtyjë zgjedhjet për 6 muaj.
Duke e arsyetuar këtë kërkesë, ai në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se nëse grumbullimi gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve, do bëhet duke mos i respektuar rregullat e rekomanduara nga IKSHPK-ja, do të ndikoj që fluksi të shtohet.
“Në vitin e kaluar kur janë mbajtur zgjedhjet, ju kujtohen ato tubimet famoze që kanë qenë, ne kemi pasur rritje të numrit. E dyta, ne kemi shumë pak popullatë të vaksinuar, jemi pothuajse të fundit në botë, dhe duke e pasur parasysh që partitë nuk janë serioze, nuk i respektojnë rregullat e IKSHPK-së, do të kemi prapë grumbullime, dhe prapë do të kemi shpërthim dhe rritje të rasteve të COVID-19. Asnjë kontroll s’e kemi”, ka thënë ai.
Sipas tij e rrugës do të ishte që institucionet kosovare të vendosin për shtyrje të datës së zgjedhjeve, për së paku 6 muaj.
“Shumë më e arsyeshme është që zgjedhjet lokale të shtyhen. Përpos rrezikut nga infektimi, arsye tjetër është edhe ajo ekonomike. Është çmenduri që në pandemi të organizohen katër parë zgjedhje e të mos kenë para për staf shëndetësor. Si duke kjo kërkesë e imja s’është marrë, por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, është shprehur tutje ai për Gazetën “Enigma”.
Të pyetur nga Gazeta “Enigma”, nga zyra për Informim e Presidentes Vjosa Osmani kanë thënë se zyrtarisht nuk kanë pranuar kërkesë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Opozita e kritikon Qeverinë për keq menaxhim të pandemisë
Fajin për situatën e krijuar me pandeminë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, ia lë Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se Qeveria nuk e ka nën kontroll situatën me pandeminë.
“Qeveria në asnjë sektor nuk është përgatitur ashtu siç duhet dhe siç e ka obligim. Qeveria jashtëzakonisht keq është duke e menaxhuar situatën me pandeminë në gjithë dimensionin e saj. Ne tash jemi para dy sfidave të mëdha, fillimin e vitit shkollor, për të cilin qeveria nuk ka bërë asnjë hap të duhur dhe konform standardeve dhe kritereve që kërkohen nga situata. Pjesa tjetër që e vështirëson edhe më shumë situatën është ajo që ne nuk kemi asnjë veprim konkret, asnjë masë apo opsion se si do të organizohet fushata”, ka thënë ai.
Si do të ndikojnë zgjedhjet lokale në fluksin e ri?
Infektologu, Ilir Tolaj në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se nëse ndiqet praktika e njëjtë nga partitë politike, sikurse në zgjedhjet e përgjithshme, rritja e numrit të infeksionit do të jetë e pashmangshme.
“Nëse fushatat parazgjedhore zhvillohet ashtu siç është bërë ajo e zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë kjo padyshim se do të përcillet me rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID- 19, nëse jo me një valë të re. Mos të harrojmë se ishin mu këto zgjedhje dhe fushatat e papërgjegjshme e të gjitha partive politike qe rezultoi me valën e tretë të pandemisë në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai tha se vendi jonë nuk është i përgatitur për një valë të re, duke theksuar se institucionet kosovare janë të prirura që në këso situata të improvizojnë, pa ndonjë plan konkret.
“Kosova asnjëherë nuk ka qenë e përgatitur për secilën valë e cila ka ndodhur. E di që as për këtë valë nuk është e përgatitur, nuk janë bërë kurrfarë përgatitjesh plotësuese të nevojshme për përballje me valën e re, ashti siç nuk janë bërë asnjehere në të kaluarën. Me gjasë është një sëmundje kronike e shoqërisë tonë që të reagojmë pasi që gjërat të ndodhin. Bazuar në këtë, jam i bindur se edhe në rastin e ndonjë vale të re gjendja do të jetë e njëjtë. Shquhemi me improvizime, e pandemia nuk është përjashtim”, deklaroi tutje ai.
Ndërkohë përgjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë identifikuar 13 viktima dhe 1 mijë e 901 raste të reja me COVID-19.
Numri i të vaksinuarve në nivel vendi mbetet i ulët, teksa për 24 orë janë dhënë 21.719 doza të vaksinës kundër COVID-19./Gazeta Enigma.