Qytetarët serb të dielën kanë filluar votimin në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, shkruan Gazeta Enigma.
Një grup serbësh ishin mbledhur në orët e hereshme të mengjesit në Mitrovicën Veriore për të kundërshtuar mosmbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës.
Situata momentale në këtë pjesë të Kosovës, duket e qetë pas përfundimit të protestës.
Rreth 100 qytetarë serbë ishin pjesë e protestestës, e në mesin e tyre edhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq.
Ata e improvizuan votimin për referendumin.
Serbët e Mitrovicës së Veriut kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë votuar disa nga të pranishmit.
“Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore” dhe “Votoj për paqe jo për terror”, ishin vetëm disa nga shkrimet.
Pas protestës, Policia ka konfirmuar se tubimi i tyre ka përfunduar dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident.
Zëdhënsi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, tha se tubimi ka zgjatur rreth gjysmë ore.
“Nuk ka incidente, ka qenë tubim si kundërshtim për referendumin. Ka përfunduar dhe nuk ka telashe”, tha Hoti.
Ai tha se ky ka qenë tubim dhe jo protestë, ndërsa një e tillë është lajmëruar të mbahet në orë 12:00.
Tutje, Hoti tha se tubimi është bërë gjatë kohës sa serbët janë mbledhur për të shkuar për votime në Serbi.
LEXO EDHE: U ndalua votimi i tyre në Kosovë, qindra serb nga Anamorava votojnë në Vranjë
Kujtojmë që mbrëmjen e së shtunës vonë, Komisioni i Zgjedhjeve atje ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.
LEXO EDHE: Beogradi i ‘çon’ duart, serbët nga Kosova mund të votojnë në qytete të Serbisë
Për këtë çështje me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi./Gazeta Enigma/