Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot heroin Gjergj Kastrioti – Skënderbeun në 555 vjetorin e vdekjes së tij.
Kurti shkruan se Skënderbeu me trupa në numër të vogël i bëri ballë ushtrive të Perandorisë Osmane.
“Edhe gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij. Skënderbeu ishte strategu ushtarak gjenial i cili me trupa ushtarake numerikisht të kufizuara, arriti t’u bënte ballë ushtrive të mëdha të forcës politike më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane. Skënderbeu ishte politikani që arriti t’i bashkonte në Lezhë (1444) në një aleancë politike dhe ushtarake, dinastët e shumicës së fisnikërisë arbërore, pasi kishin rënë me radhë nën vasalitetin ose dominimin e osmanëve”, shkruan Kurti.
Ai ka shtuar se Skënderbeu vazhdoi ta përballonte depërtimin osman edhe kur fisnikët arbërorë i bënin oponencë.
“Me vulën e madhe dhe vulën e vogël në korrespodencat që lëshonte kancelaria e tij si dhe me stemën heraldike dhe ushtrinë e tij, Skënderbeu krijoi praktika të mirëfillta të një formacioni politik shtetëror sipas traditive mesjetare të kohës. Ai vazhdoi të besonte se mund ta përballonte depërtimin osman në Europë madje edhe kur Kostandinopoja ra në duart e osmanëve (1453), edhe kur disa nga fisnikët arbërorë i bënin oponencë apo edhe kur nuk i vinin ndihmat e premtuara nga perëndimi”, shton ai.